Zgjedhjet europiane, përparon e djathta ekstreme, EPP merr shumicën! Goditje për Gjermaninë dhe Francën, Macron shpall zgjedhjet e parakohshme! Në Itali fiton Meloni

10 Qershor, 08:00| Përditesimi: 10 Qershor, 19:29

  • Share

Rezultatet e para për zgjedhjet europiane tregojnë se partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Evropian. Partitë e ekstremit të djathtë në Francë, Gjermani, Holandë, Austri performuan fuqishëm në zgjedhjet europiane një votim që do të shohë që balanca e pushtetit të zhvendoset djathtas në parlamentin prej 720 vendesh.

Votimi i dha një goditje të brendshme udhëheqësve të Francës dhe Gjermanisë, duke ngritur pikëpyetje se si fuqitë e mëdha të Bashkimit Evropian mund të drejtojnë politikën në bllok. Partitë populiste të djathta shënuan në shumë vende rritje të ndjeshme të elektoratit.

Në Itali fitoi kryeministrja Meloni, me partinë Fratteli d'Italia më shumë se 29%. Edhe në Austri partia populiste e Lirë, FPÖ doli fituese me 26%. Kurse në Gjermani, partia Alternativa për Gjermaninë, AfD me 15,9% doli forca e dytë politike pas partive të Unionit CDU/CSU me 30%. Në vend të klimës, fushatën për zgjedhjet europiane e përcaktoi migracioni, politika ekonomike dhe siguria.

Macron shpall zgjedhjet e parakohshme  

Pas fitores së qartë të partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Rassemblement National (RN), presidenti Macron shpërbëu Asamblenë Kombëtare dhe shpalli zgjedhje të parakohshme. Në një fjalim drejtuar kombit nga pallati presidencial Elysee, presidenti Macron tha se “kam vendosur t'ua kthej zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare përmes votimit. Prandaj po shpërndaj Asamblenë Kombëtare”.

Votimet do të zhvillohen në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, tha ai. Udhëheqësja e së djathtës së skajshme, Marine Le Pen, mirëpriti vendimin e presidentit Macron.

"Ne jemi të gatshëm të marrim pushtetin nëse populli francez na jep besimin në zgjedhjet e ardhshme legjislative. Jemi të gatshëm ta ngremë vendin përsëri në këmbë”, tha Le Pen.

Partitë qeverisëse në Gjermani ndëshkohen me votë

Partitë qeverisëse jopopullore të Gjermanisë dolën me rezultate të dobëta, ndërsa Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë shënoi rritje. Opozita konservatore kryesore doli ndërkaq forca politike kryesore, sipas anketave të para.

Projeksionet treguan se socialdemokratët e qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz fituan rreth 15 për qind të votave, duke u radhitur pas Alternativës për Gjermaninë, (AfD) të ekstremit të djathtë që fitoi pak më shumë se 16 për qind të votave.

Anketat treguan se të Gjelbrit, partia e dytë më e madhe në koalicionin e kancelarit Scholz, fitoi 12 për qind të votave, ndryshe 20.5 për qind sa kishte fituar pesë vjet më parë. Mbështetja për Demokratët e Lirë pro biznesit, partia e tretë në qeverinë aktuale doli me 5 për qind.

Rezultatet

Në të gjithë Europën duket se është shënuar një fitore e qartë e aleancës së Partive Popullore Europiane me kandidaten gjermane, Ursula von der Leyen. 65 vjeçarja mund të shpresojë për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Europian, ndërsa tha se do t'i drejtohet Liberalëve dhe Socialistëve për koalicion për të formuar shumicën.

“Qendra po mbahet, por është gjithashtu e vërtetë se ekstremet në të majtë dhe në të djathtë kanë fituar mbështetje”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Partia Popullore Europiane mori 185 eurodeputetë, Aleanca Progresive e Socialistëve 137 eurodeputetë, Renew Europe me 79 vende, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë 73 vende, Identity and Democracy Group me 58 vende, Të Gjelbrit kanë marrë 52 eurodeputetë dhe Grupi i Majtë në Parlamentin Evropian me 36 euro deputetë. 100 vende janë për partitë e tjera.

Ndërkohë, Greqia ka siguruar 21 eurodeputetë, ku Fredi Beleri mori 235 mijë vota duke u renditur i katërti, ndërsa në Shqipëri ndodhet në burg për korrupsion zgjedhor. 7 eurodeputetë kanë dalë nga listat e partisë Demokracia e Re, e kryeministrit Mitsotakis, parti me të cilën kandidoi edhe Beleri. 

Grupi konservator i kryeministres italiane Giorgia Meloni fitoi shumicën e votave, duke konfirmuar statusin e saj si partia më popullore në Itali. Partia e Melonit Fratelli d'Italia konfirmon veten si parti e parë, duke arritur në 29%, e ndjekur nga Partia Demokratike që kalon 24%. “Ata na panë që po vinim, por nuk na ndaluan”, tha Meloni , e cila e përkufizoi si “natën më të bukur të politikës”.

Austri, Partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë, duket fituese me mbi 25 për qind të votave. Në Holandë, partia nacionaliste dhe kundër migrimit Geert Ëilders, pritet të fitojë shtatë prej 29 vendeve që i takojnë këtij vendi në Parlamentin Evropian. E djathta ekstreme, megjithatë, nuk ka performoi mirë në Belgjikë, Çeki, Hungari, Finlandë dhe Poloni.

Një zhvendosje djathtas brenda Parlamentit Evropian mund ta bëjë më të vështirë miratimin e legjislacionit të ri që mund të jetë i nevojshëm për t'iu përgjigjur sfidave të sigurisë, ndikimit të ndryshimeve klimatike ose konkurrencës industriale nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, saktësisht se sa ndikim do të kenë partitë nacionaliste euro-skeptike do të varet nga aftësia e tyre për të kapërcyer dallimet e tyre dhe për të punuar së bashku. 

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor në të 27 vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa pjesëmarrja ishte rreth 51%, pak a shumë si në zgjedhjet e vitit 2019. Në Gjermani për herë të parë mundën të votonin edhe 16-vjeçarët. Parlamenti Europian që deri tani ka pasur 705 deputetë, pas këtyre zgjedhjeve do të rritet në 720 vende.

 

 

Ora 19:26
Nuk është vetëm Beleri, një grua italiane e dënuar zgjidhet eurodeputete

Nuk është vetëm Fredi Beleri, i cili edhe pse ndodhet në burg u zgjodh eurodeputet. Një grua, aktiviste italiane, e cili ndodhet në arrest shtëpie ka marrë votat për t’u bërë pjesë e Parlamentit Evropian.

llaria Salis  është në gjyq në Hungari dhe në arrest shtëpiak për sulmin e dyshuar të neonazistëve. Ajo shpreson për imunitet sipas ligjit të BE-së pasi u zgjodh në Parlamentin Evropian, raporton BBC.

llaria Salis ishte një kandidate për partinë e të Gjelbërve dhe Aleancës së Majtë të Italisë (AVS), e cila fitoi 6.7%.

Pasi qëndroi në burg për më shumë se një vit, Salis iu dha arrest shtëpie muajin e kaluar.

“Ne kemi pasur gjashtë eurodeputetë të zgjedhur dhe mes tyre është Ilaria Salis,” thotë Nicola Fratoianni, një nga drejtuesit e partisë. “Tani ne duam Ilaria këtu në Itali – e lirë dhe me imunitet, e gatshme për të kryer mandatin e saj.”

Ora 16:32
Çfarë po ndodh në BE? Influencuesi me 2.6 milion ndjekës në You Tube zgjidhet eurodeputet

Zgjedhjet e fundit për në Parlamentin Evropian kanë sjellë ndryshime të mëdha, ndërsa pjesë e tyre janë bërë edhe personazhe të njohur të rrjeteve sociale.

Kështu ka ndodhur në Qipro, ku votuesit kanë zgjedhur si eurodeputet të pavarur një influencer You Tube, 24-vjeçar, Fidias Panayiotou.

I famshëm për shakatë dhe klipet e tij humoristike, “Fidias”, siç njihet online,  ka 2.6 milionë ndjekës në YouTube.

Klipet e tij më të ndjekura përfshijnë një mision për të përqafuar 100 të famshëm, konkurse për të ngrënë pica dhe shmangie të tarifave në trenat japonezë.

Edhe pse ai nuk ka përvojë politike - dhe e quan veten "një gabim profesional" - fushata e tij tërhoqi një numër të madh votuesish të rinj.

Ora 09:52
Meloni feston suksesin në zgjedhjet europiane: Na panë që po vinim, por s’na ndalën dot

Fratelli d'Italia e kryeministres italiane Giorgia Meloni konfirmon veten si parti e parë në zgjedhjet europiane, duke arritur në 29%, e ndjekur nga Partia Demokratike që kalon 24%. M5S 9,95%, Forza Italia 9,72%, Lega 9,12%, Avs 6%.

Giorgia Meloni festoi fitoren. Në orën 02:00 të mëngjesit të 10 qershorit, Meloni mbërriti në Parco dei Principi. Sytë i shkëlqejninn dhe një buzëqeshje krenarie.

“Kjo natë është më e bukur se ajo e dy viteve më parë. Atëherë ne ishim një shpresë, sot një realitet. Na panë që po vinim, por nuk mundën të na ndalonin. Sistemi po bëhet sërish bipolar. Dhe italianët na thonë të ecim përpara”, tha Meloni e cila e përkufizoi këtë si “natën më të bukur të politikës”.

Ajo është e vetmja kryeministre në Europë që ka fituar zgjedhjet dhe dëshiron ta thërrasë me zë të lartë para kamerave: “Jemi takuar këtu dy vite më parë dhe ishte një natë e bukur, kjo është edhe më e bukur për ne. Ne do të arrijmë në G7 me qeverinë më të fortë në Evropë, është një kënaqësi dhe një përgjegjësi e madhe”.

Dhe tani që shifrat i japin asaj disa pikë më shumë se politikat e 2022-ës dhe kurorëzojnë krijimin e saj si parti të parë, Meloni mund të gëzohet: «Pas gati dy vitesh qeverisje, në situatën më të vështirë që ka parë ndonjëherë Italia të kryqëzuar, mund të themi se kemi krijuar një kryevepër."

Ora 09:32
Pas humbjes në zgjedhjet europiane, kryeministri belg humb njofton dorëheqjen me lot në sy (VIDEO)

Kryeministri belg Alexander De Crooka ka njoftuar mes lotësh se do të japë dorëheqjen pas humbjes së rëndë që partia e tij pësoi në zgjedhjet evropiane.

"Për ne, është një mbrëmje veçanërisht e vështirë. Ne humbëm. Që nga nesër, unë do të jap dorëheqjen si kryeministër," tha një De Croo dukshëm emocionues në një fjalim para mbështetësve të tij të dielën.

De Croo tani do ta drejtojë dorëheqjen e tij te mbreti Philippe, i cili ka fuqinë ta refuzojë atë sipas gjykimit të tij.

Megjithëse pritej të mbetej pas partive nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë në Flanders, Open VLD ka pësuar rënien e saj më të madhe në zonën elektorale të De Croo-s në Flanders Lindore, ku nga 17.85% në 2019 shkoi në 10% këtë herë, dhe më pak se 7% në përgjithësi.

Ora 08:38
Zgjedhjet europiane/ I dënuar në Shqipëri, Fredi Beleri zgjidhet eurodeputet në Greqi: Drita fiton mbi errësirën! I katërti më i votuari me 237 mijë vota

 

Fredi Beleri është zgjedhur eurodeputet në Greqi, ndërsa në Shqipëri ndodhet në burg për korrupsion zgjedhor. Beleri ka marrë 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Demokracia e Re.

Beleri bëhet eurodeputet në Parlamentin Europian, ndërsa në vendin tonë është dënuar pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendore të 2023.

Nga burgu, në një reagim për mediat, Beleri tha se kjo është një fitore e dritës mbi errësirën. Beleri deklaron se lufta u fitua falë krenarisë dhe patriotizmit të grekëve. Në mesazhin drejtuar mbështetësve, Beleri nënvizon se zëri i minoritetit tani do të jetë dhe më i fortë.

“Gjatë të gjitha muajve të aventurës sime, më jepte forcë besimi im se drita gjithmonë fiton ndaj errësirës. Dhe se forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve. Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së Grekëve.

Dua të falënderoj nga zemra të gjitha Greket dhe Grekët që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Vëllezërve të mi të helenizmit verior dua t’u them se nga sot edhe ata mund të ndihen më të fortë. Dhe çdo bashkëqytetari tonë se si eurodeputet do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”, deklaron Beleri në reagimin e tij.

Partitë politike në Greqi kanë siguruar 21 eurodeputetë. Përbërja e delegacionit grek në Parlamentin e ardhshëm Europian do të ketë drejtues nga të gjitha partitë që arritën të kalojnë pragun 3%, mes tyre edhe Beleri.

Kjo çështje pritet të prodhojë sërish debate, ndërsa sa i takon asketit ligjor zgjedhja e tij si eurodeputet nuk ndikon në procesin penal të Belerit në vendin tonë. Beleri është në pritje të vendimit të Apelit për dënimin me 2 vite burg.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?