Zgjedhjet europiane/ I dënuar në Shqipëri, Fredi Beleri zgjidhet eurodeputet në Greqi: Drita fiton mbi errësirën! I katërti më i votuari me 237 mijë vota

10 Qershor, 08:38| Përditesimi: 10 Qershor, 15:24

  • Share

 

Fredi Beleri është zgjedhur eurodeputet në Greqi, ndërsa në Shqipëri ndodhet në burg për korrupsion zgjedhor. Beleri ka marrë 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Demokracia e Re.

Beleri bëhet eurodeputet në Parlamentin Europian, ndërsa në vendin tonë është dënuar pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendore të 2023.

Nga burgu, në një reagim për mediat, Beleri tha se kjo është një fitore e dritës mbi errësirën. Beleri deklaron se lufta u fitua falë krenarisë dhe patriotizmit të grekëve. Në mesazhin drejtuar mbështetësve, Beleri nënvizon se zëri i minoritetit tani do të jetë dhe më i fortë.

“Gjatë të gjitha muajve të aventurës sime, më jepte forcë besimi im se drita gjithmonë fiton ndaj errësirës. Dhe se forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve. Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së Grekëve.

Dua të falënderoj nga zemra të gjitha Greket dhe Grekët që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Vëllezërve të mi të helenizmit verior dua t’u them se nga sot edhe ata mund të ndihen më të fortë. Dhe çdo bashkëqytetari tonë se si eurodeputet do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”, deklaron Beleri në reagimin e tij.

Partitë politike në Greqi kanë siguruar 21 eurodeputetë. Përbërja e delegacionit grek në Parlamentin e ardhshëm Europian do të ketë drejtues nga të gjitha partitë që arritën të kalojnë pragun 3%, mes tyre edhe Beleri.

Kjo çështje pritet të prodhojë sërish debate, ndërsa sa i takon asketit ligjor zgjedhja e tij si eurodeputet nuk ndikon në procesin penal të Belerit në vendin tonë. Beleri është në pritje të vendimit të Apelit për dënimin me 2 vite burg.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet europiane, përparon e djathta ekstreme, EPP merr shumicën! Goditje për Gjermaninë dhe Francën, Macron shpall zgjedhjet e parakohshme! Në Itali fiton Meloni


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Italisë sfidën e parë në Euro 2024, kush fiton?