Olaf Scholz

Në Gjermani nuk priten zgjedhje të parakohshme

10 Qershor, 14:22| Përditesimi: 10 Qershor, 14:25

  • Share

Qeveria gjermane ka kundërshtuar spekulimet dhe thirrjet për zgjedhje të parakohshme, pas humbjeve të partive të koalicionit në zgjedhjet evropiane. "Data normale për zgjedhjet është vjeshta e ardhshme dhe kështu planifikojmë ta zbatojmë atë," tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit. "Në asnjë moment, as për asnjë sekondë, nuk është menduar se në Gjermani mund të shpallen zgjedhje të reja".

Koalicioni tripartiak është një projekt katërvjeçar. "Në fund të katër viteve mbyllen llogaritë". Hebestreit theksoi se qeveria është marrë me shumë fusha, pas sulmit rus ndaj Ukrainës dhe me ristrukturimin e ekonomisë, për të mbrojtur më mirë klimën. Kjo po shkakton paqetësi.

Pyetja se pse kancelari Scholz nuk shpall zgjedhje të reja parlamentare, siç bëri Presidenti Macron në Francë, u shtrua në medie dhe nga opozita CDU/CSU natën e zgjedhjeve. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann i tha kanalit ZDF se kancelari duhet të hapë rrugën për zgjedhje të reja.

Por situata në Gjermani është e ndryshme nga ajo në Francë. Qeveria tripartiake në Gjermani ka ende një shumicë parlamentare, megjithë dobësimin e ndjeshëm në zgjedhjet evropiane.

Nga ana tjetër: sistemet politike të Gjermanisë dhe Francës janë të ndryshme. Në Gjermani, zgjedhjet e reja nuk mund të shpallen me urdhër, por janë të mundura vetëm pas disa hapash.

Në Francë do të zhvillohen zgjedhje të reja vetëm për Asamblenë Kombëtare, pra për parlamentin. Por jo zgjedhjet me rëndësi parësore për Francën, zgjedhjet presidenciale. Franca ka një sistem gjysëmpresidencial, ku zgjedhja kryesore është ajo e Presidentit, i cili përcakton vijat qendrore të politikës së vendit. Zgjedhjet e reja presidenciale nuk janë aktualisht në rendin e ditës në Francë. Veç kësaj, në sistemin francez, Presidenti i vendit zgjidhet drejtpërdrejt nga populli në zgjedhje të veçanta, jo nga Parlamenti.

Në Gjermani, që është republikë parlamentare, zgjedhjet e përgjithshme janë me rëndësi qendrore: pasi është kancelari ai që i përcakton linjat kryesore të politikës së vendit. Që të shpallen zgjedhje të reja të parakohshme, në Gjermani është e nevojshme që kancelari të humbasë votëbesimin në parlament.

As kancelari dhe as presidenti i Gjermanisë nuk mund të urdhërojnë zgjedhje të reja për Bundestagut gjerman "krejt papritur". Kjo nuk parashikohet në Kushtetutën gjermane, në Ligjin Themelor. Hartuesit e Kushtetutës donin të garantonin një stabilitet më të madh, pas përvojave që e destabilizuan Republikën e Vajmarit në vitet 1930. Për të shmangur destabilizimin e vendit, u caktuan në kushtetutë disa "pengesa": zgjedhjet e reja për Bundestagun mund të zhvillohen vetëm pas disa hapave të ndërmjetëm.

Në hapin e parë, Kancelari Federal i paraqet Bundestagut votëbesimin, në përputhje me nenin 68 të Kushtetutës. Eshtë kancelari dhe askush tjetër ai që vendos nëse e bën apo jo një hap të tillë. Kur e fiton votëbesimin, gjithçka mbetet siç ishte.

Por kur e humbet votëbesimin? Në parim është e mundur që Bundestagu të zgjedhë një person tjetër si Kancelar Federal me shumicën e anëtarëve të tij. Kjo ndodhi në fund të vitet 1970, kur kancelarin socialdemokrat Helmut Schmidt e pasoi në post opozitari kristjandemokrat Helmut Kohl. Schmidt u detyrua të kërkonte votëbesimin pas braktisjes së qeverisë së tij nga liberalët e FDP-së me Hans Ditriech Genscher-in.

Kur nuk arrihet të zgjidhet një kancelar tjetër, Presidenti federal mund të shpërndajë Bundestagun brenda 21 ditëve, me propozimin e Kancelarit federal.

Zgjedhje të reja pas 60 ditësh

Kur në përputhje me Nenin 39 (1) pika 4 të Ligjit Themelor, Presidenti federal shpërndan Bundestagun, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 60 ditëve. Në Gjermani, zgjedhjet e reja sjellin zakonisht edhe një kancelar të ri federal. Sepse kancelari zgjidhet nga Bundestagu.

Hera e fundit kur u shpërbë Bundestagu dhe u mbajtën zgjedhje të reja në Gjermani ishte viti 2005. Kancelari socialdemokrat i atëhershëm Gerhard Schröder kërkoi votëbesimin pas zgjedhjeve në landin e Rinit Verior-Vestfalisë. Llogaria e Schröderit me zgjedhjet e parakohshme ishte që të fitonte një mandat të tretë për të qeverisur. Por ai i humbi zgjedhjet me diferencë të vogël ndaj CDU/CSU me Angela Merkelin. Pas kësaj, Presidenti federal Horst Köhler shpërndau Bundestagun dhe u mbajtën zgjedhje të reja parlamentare./DW

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Italisë sfidën e parë në Euro 2024, kush fiton?