Kuvend/ PS tërheq amnistinë penale! Opozita: Duan të amnistojnë zyrtarët e korruptuar! Manja: Gënjeshtër, e kalojmë me mbi 90 vota

22 Shkurt, 11:43| Përditesimi: 22 Shkurt, 15:43

  • Share

TIRANË- Fati i amnistinë penale është ende në udhëkryq. Në mungesë të 84 votave, socialistët e hoqën nga rendi i ditës edhe këtë të enjte, 22 shkurt. Ashtu siç kishte paralajmëruar grupi i Bashës nuk ishte fare në Kuvend, ndërsa Rithemelimi vijoi me skenarin e bllokimit me zhurmues e pankarta.

Në përfundim të seancës 7 minutëshe, Gazment Bardhi hodhi akuza se PS kërkon që të amnistojë ministra, drejtorë e kryetarë bashkish të korruptuar.

“Për shkak se nuk arritën dot pazar e tërhoqën amnistinë, nga një pr.ligj humanitar nga ku do duhet të përfitonin qytetarët e zakonshëm që ndodhen në burg, e shndërruan në ligj për të amnistuar ministra, kryetarë bashkish e drejtorë të korruptuar”, tha Bardhi.

Akuzat i hodhi poshtë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke i cilësuar si gënjeshtra. Manja tha se nuk do të ketë asnjë lloj amnistie për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Gënjeshtarë politikë, që mashtrimin e opinionit publik e kanë kthyer ves më vete. Me këtë draft amnistie nuk duam të amnistojmë zyrtarët e lartë GJKKO. Nuk ka amnisti për korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Manja.

Mesazhin të drejtpërdrejtë Manja e kishte edhe për Gazment Bardhin, që sot në seancë në vend të kartonit jeshil vijoi aksionin të kaosit me zhurmues.

“Më vjen keq që Bardhi, është dhe jurist, është bërë bashkë me Nokën nga veriu në jug dhe mos prisni gjë të vërtetë nga ato, se e vërteta te ky çift ka kohë që ka ik në drejtim të paditur”, tha Manja.

Ndonëse sot u tërhoq, mazhoranca shfaqet komode me ministrin Manja, i cili tha se amnistinë penale do ta kalojnë me mbi 90 vota pro.

“Nuk dua votat e Lulzim Bashës me kusht. Dua votat e kuvendit të Shqipërisë të lexojnë ligjin. Votat janë aty në sallë. Do ketë mbi 90 vota ky ligj, ka deputetët të përgjegjës në atë sallë. Një pjesë të atyre kanë qenë shtysë që të sjellim një ligj”, tha Manja.

Ministri i Drejtësisë e la të paqartë nëse ka negociata me partitë e vogla dhe se si do t’i arrijnë këto vota.

Manja nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të ketë tërheqje nga neni që nxiti edhe kundërshtimin e PD-së së Lulzim Bashës, atë që lidhet me uljen e dënimit për subjektet e GJKKO, ndërsa një kunj e kishte edhe për kërkesën e kryedemokratit për amnistinë ndaj protestuesve.

“Po për ata që kanë protestuar më 8 janar a do të ketë amnisti? S’mund të ketë amnisti për protestuesit 2018-2020 dhe jo për ata që kanë protestuar në 2020-2024”, u shpreh Manja.

Përgjigjen e kreu i PD Lulzim Basha ia dha nga selia blu.

“Këtë hall ka Manja. Atëherë amnisti të plotë për të gjithë, edhe ato të PS nëse kanë mbetur”, tha Basha.

'Përplasja' për amnistinë penale

Një amendament i socialistëve bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar. Por, PS thotë se bëhet fjalë vetëm për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO, që më parë përjashtoheshin nga përfituesit, ndërsa të korruptuarit nuk përfitojnë. Ndërkohë që kërkesës së demokratëve për amnistinë ndaj protestuesve të opozitës, socialistët e kanë pranuar  pjesërisht por pa falur protestuesit e dhunshëm.

Ora 11:25
A do i japë PDIU votat pro amnistisë penale? Doda: Varet kush përfiton, Kuvendi nuk është për luftë

 

Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda është pyetur nga gazetarët nëse do i japin votat pro amnistisë penale. Doda tha për gazetarët që duhet të lexojnë draftin përfundimtar dhe më pas do dalin me një vendim.

Vota e tyre, theksoi Doda, se do varet nga shtresat që do përfitojnë nga amnistia.

“Do varet shumë nga shtresat që përfitojnë nga amnistia. Parlamenti që disa të luftojnë përballë disa të tjerëve. Është që të gjemë ligjet për më të mirën, duhet të kemi mundësi të themi fjalën tonë. Do duhet ta lexoj draftin, se s’kemi një draft përfundimtar”, tha Doda.

Ora 11:23
Amnisti për zyrtarë të korruptuar? Manja i përgjigjet Bardhit: Gënjeshtar, u bashkove me Nokën dhe ‘fluturuat’ të vërtetat në drejtim të paditur

 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i është përgjigjur Gazment Bardhit i cili pretendon se PS do të amnistojë zyrtarë të lartë. Manja tha për mediat se kjo është gënjeshtër dhe se s’do ketë amnisti për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Madje një ‘thumb’ e pati edhe për bashkimin e tij me Rithemelimin, duke thënë se është bashkuar me Flamur Nokën dhe e vërteta te ky çift ka ikur në drejtim të paditur.

“Gjatë këtyre dy ditëve kam dëgjuar avokatë sharlatanë që rrinë me draftin e vet në xhep, paradite rrinë në oborre e gjykatave për të mashtruar ndonjë klient, në darke rrokin banakët televizive për të mashtruar qytetarët. Këto ditë kam dëgjuar edhe plot gënjeshtarë politikë, që mashtrimin e opinioni publik e kanë kthyer art me vete. Duke mashtruar opinion publik se me këtë draft duam të amnistojmë zyrtarët e lartë të korruptuar të këtij vendi. E kemi bërë të qartë që s’ka amnisti për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Drafti është në dyert e kësaj salle në dritë të diellit. Një nga këta gënjeshtarë e kishit këtu pak më parë që tha se mazhoranca synon të amnistojë zyrtarët e korruptuar. Ata janë bërë bashkë këto ditë, për të shpall alternativën. Më vjen keq që Bardhi, është dhe jurist, është bërë bashkë me Nokën nga veriu në jug dhe mos prisni gjë të vërtetë nga ato, se e vërteta te ky çift ka kohë që ka ik në drejtim të paditur”, tha Manja.

Ora 11:17
Amnisti për protestuesit e opozitës, Manja pyet Bashën: Po ato të 8 Janarit pse s’i përfshin?

 

Ministri i Drejtësisë tha se kërkesa e Lulzim Bashës për të amnistuar protestuesit e opozitës të vitit nga viti 2018 e deri në 2020, nuk respekton barazinë para ligjit. Manja kujtoi protestën në selinë e PD-së më 8 janar, dhe pyeti Bashën, pse mos të amnistohen edhe protestuesi nga viti 2022 deir ne 2024.

‘Lulzim Basha ka kërkuar amnisti. Ka kërkuar amnisti për shkatërrim prone me zjarr, për shkatërrim prone me lëndë plasëse... Po për ata që kanë protestuar me 8 janar a do të ketë amnisti? Që këtu janë të pandershëm. Barazia para ligjit. Nuk mund të ketë amnisti për protestuesit 2018 dhe 2020 dhe s’mund të ketë për protestuese 2022 -2024.

Do të shtjellojmë në detaje se aty është. ...’- tha Manja.

Ora 11:11
PS u tërhoq nga amnistia penale, Manja: Nuk duam votat e Bashës me kusht, më shumë se 90 deputetë do votojnë pro

 

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka folur pas përfundimit të Kuvend, ku PS tërhoqi amnistinë penale. Manja tha për mediat se PS nuk do votat as të Lulzim Bashës as të Rithemelimit, por votat e deputetëve të Kuvendit.

Manja tha se do marrin mbi 90 vota pro për miratimin e amnistisë penale.

“Nuk kërkojmë votat as të Bashës as të askujt, kërkojmë votat e kuvendit, majtas e djathtas siç ka qenë tradita se amastia është akt mëshire. Nuk duam një amnisti me vota të kondicionuara. E kemi për detyrë të japim votën për këtë akt dëshire, humanizmi, janë 700 burra dhe gra që presin nga ky akt dëshire. Ka mbi 4 vite që ky parlament nuk ka bërë amnisti. Nuk dua votat e Lulzim Bashës me kusht. Dua votat e kuvendit të Shqipërisë të lexojnë ligjin. Votat janë aty në sallë. Do ketë mbi 90 vota ky ligj, ka deputetët të përgjegjës në atë sallë. Një pjesë të atyre kanë qenë shtysë që të sjellim një ligj”, tha Manja.

Ora 11:03
Tërhiqet amnistia penale, Çuçi: PS i ka votat solide, por kërkojmë konsensus! Manja: S'e kthejmë më në komision, 84 votat do i gjejmë në Kuvend

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi deklaroi se PS i ka solide votat e saj në Parlament, por projektligji për amnistinë u tërhoq në respekt të një tradite parlamentare të votimit të amnistive.

"“Qëndrimin e Bashës s’kam çfarë komentoj. PS i ka votat dhe janë solide. Ne jemi të duruar për të respektuar traditën. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. Sot e tërhoqëm në respekt të traditës për ta votuar me konsensus të plotë”, deklaroi Çuçi në një komunikim me mediat jashtë Parlamentit.

Çuçi shpreson tek një reflektim.

"Publiku e e ka kuptuar kush e ka seriozisht. Ky është një ligj ku përfitojnë pjesë e të cilës  kur ka një grup të madh përfituesish që janë përfaqësuesish të PD dhe për interesa personale e shkak të luftës së tyre të brendshme politike dhe manisë të bëjnë politikë me gjëra të vogla që nuk prodhojnë politikë kanë qëndrimet e tyre, që besoj se përballë shqiptarëve besoj se do të reflektojnë”

Ndërkohë Ulsi Manja tha se konsensusi do të gjendet në parlament dhe pr/ligji nuk do të kthehet më në komisionin e ligjeve, sipas rregullores. 

Drafti nuk kthehet në Komision, rregullorja e ka të përcaktuar. E tërhoqëm, do të thotë që konsensusin sipas traditës do të gjendet në këtë sallë", tha Manja.

Ora 10:50
PS tërhoqi amnistinë penale, Bardhi: Nuk arriti pazarin për të amnistuar zyrtarët e korruptuar! I turpshëm ligji me Italinë

 

Deputeti Gazment Bardhi në përfundim të seancës plenare komentoi heqjen e amnistisë penale nga rendi i ditës, me kërkesë të PS, pasi nuk u arrit konsensusi me opozitën. Bardhi tha se PS u tërhoq pasi nuk arriti dot pazarin, ndërsa hodhi sërish akuza se duan të amnistojnë ministra e kryetarë bashkish të korruptuar.

Një koment e pati edhe për miratimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët duke thënë se ishte një ligj i turpshëm.

“Ju e patë sot në rendin e ditës nuk kishte asgjë të mirë për qytetarët shqiptarë, ka kohë që kuvendi është shndërruar në organ që nuk i trajton ligjet në dobi të qytetarëve, por vetëm ligje me porosi në dobi të një grushti njerëz. Për shkak se nuk arritën dot pazar e tërhoqën amnistinë, nga një pr.ligj humanitar nga ku do duhet të përfitonin qytetarët e zakonshëm që ndodhen në burg, e shndërruan në ligj për të amnistuar ministra, kryetarë bashkish e drejtorë të korruptuar. Mbetet e papranueshme, tentuan të mashtronin opinion publik duke ia faturuar opozitës. U tërhoqën nga pr.ligji që e kishin miratuar në komisione me procedurë jo transparente. Ligji i dytë ishte ligji i turpshëm i sjelljes së emigrantëve në Shqipëri. Duke shprehur vlerësimin për ndihmën që Italia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në ditë të vështira, kjo marrëveshje tej pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë në raport me këtë marrëdhënie sa kohë cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë”, tha Bardhi.

Ora 09:13
PS tërhiqet nga amnistia penale, Partia e Lirisë: Kuvendi është kthyer në pazar hajdutësh, i heqin e i fusin ligjet sipas ryshfeteve

1707149908_kuvend.jpg

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka reaguar për seancën e sotme plenare, ku pritej të kalonte për votim amnistia penale, por burime për Report Tv bëjnë me dije se PS do e heqë nga rendi i ditës.

Në një postim në Facebook, Vasili shkruan se Kuvendi është kthyer në pazar hajdutësh, ku interesat heqin e fusin ligjet sipas pazareve dhe ryshfeteve.

“Amnistia, Rilindja e kthen Kuvendin ne pazar hajdutesh! Kuvendi i Nikolles është zhytur ne kaos dhe paligjshmeri totale ku interesat mafioze te Rames dhe hajduteve te tij heqin dhe fusin ligjet sipas pazareve, qe bëjnë lapangjozet e rilindjes me njeri tjetrin dhe sipas ryshfeteve, qe kane marre.

Dhe kane surrat e flasin per rregulla e ligje keta ordinere qe nga kryeministri e deri tek ministrat e tij karagjoze. Keta  xhagajdure te parasë, qelben ere hajduteri ashtu si i pari i tyre Rama.

Por te mos te harrojne kurre se njerezit e thjeshte shohin, degjojne dhe mbajne shenim çdo gje dhe do tjua kthejne turive 100 fish ketyre ordinereve me mjeker e pa mjeker, dy metrosh apo 1.5 metra qofshin”, shkruan Vasili.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ledina: 23/02/2024 07:50

    Kuvendi i Shqiperise perfaqeson pushtetin legjislativ qe nxjerr ligje, nuk duhet te kete pune me Amnistine, e cila u takon Drejtorise se Pergjithshme te Burxheve qe ben studimin, Ministrise se Drejtesise qe ben miratimin e studimit teknik, Gjykates se larte qe ben miratimin ligjor dhe ne fund Presidentoi i Republikes qe i nxjerr Dekretin e Faljeve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?