Arbër Hoxha në prezantim

Zyrtare/ Sylvinho e do në Kombëtare, Arbër Hoxha firmos me Dinamo Zagreb: Jam në klubin më të madh kroat

10 Janar, 10:37| Përditesimi: 10 Janar, 10:38

  • Share

Arbër Hoxha është sulmuesi më i ri i Dinamos së Zagrebit. 25-vjeçari bëhet lojtari i parë që lë Slaven Belupo dhe kalon te Dinamo e Zagrebit po në Kroaci. Shifra e transferimit është më shumë se 1.5 milionë euro, teksa detajet e kontratës nuk bëhen me dije.

Klubi kampion nga "Maksimir" ka konfirmuar gjithçka, me Hoxhën që është shprehur i lumtur që është në klubin më të madh kroat. Shqiptari do mbajë numrin 20 mbi fanellë.

"Jam jashtëzakonisht i kënaqur që kam arritur marrëveshje me Dinamon dhe jam bërë lojtar i ri i këtij klubi të madh, më të madh në Kroaci. Falenderoj ish-bashkëlojtarët dhe trajnerin për të gjitha eksperiencat, për gjithçka që më mësuan, por tani për mua fillon kampionati i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Për një kohë të gjatë ishte dëshira ime të luaja për Dinamon, dhe sapo dëgjova se kishte një interesim të klubit për mua, nuk dyshova për asnjë moment për të ardhmen. Do të bëj të pamundurën për të arsyetuar besimin e klubit dhe për të arritur suksese të shumta dhe momente të paharrueshme së bashku", tha Hoxha.

Këtë paradite ai do bashkohet me ekipin në fazën përgatitore, ndërsa këtë sezon me Slaven Belupo ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar tre herë. Sulmues në krahun e majtë, 25-vjeçari prej verës së 2021 është pjesë e kampionatit kroat, si fillim me Lokomotivën e Zagrebit dhe më pas me Slaven Belupo, teksa ka shkëlqyer më herët me Prishtinën dhe Ballkanin në Kosovë.

I lindur në Gjermani, Arbër Hoxha para disa muajve u pajis me pasaportën shqiptare pasi është një ndër dëshirat e Sylvinhos për ta pasur në Kombëtare. Më herët sulmuesi ka luajtur tre sfida dhe ka shënuar një gol me fanellën e Kosovës, por për një kohë të gjatë nuk është grumbulluar nga Dardanët.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?