Zbardhen propozimet e PD-së për reformën zgjedhore: Qeveri tranzitore dhe drejtor i ri policie 100 ditë para zgjedhjeve, hetimet nga SPAK-u

12 Shkurt 2020, 18:37| Përditesimi: 12 Shkurt 2020, 23:14

  • Share

TIRANE-Partia Demokratike depozitoi sot në tryezën e ekspertëve propozimet për ndryshimet në Reformën Zgjedhore. Por çfarë kërkon PD-ja që të ndryshohet? Në draftin e siguruar nga Report Tv, tre janë kërkesat kryesore të PD-së, e para qeveria kujdestare tranzitore para zgjedhjeve, e dyta emërimi i një drejtori të ri të policisë së shtetit 100 ditë para procesit zgjedhor nga ministri i Brendshëm teknik dhe e treta që krimet zgjedhore të hetohen nga SPAK-u. Gjithashtu në draft, PD-ja kërkon që Prokurori i Përgjithshëm të vendosë në lëvizje të gjitha institucionet në funksion të parandalimit të krimeve zgjedhore. 

"Për të siguruar besimin e subjekteve zgjedhore në funksionimin e paanshëm të Policisë së Shtetit, përjashtimisht nga rregullat e parashikuara në nenin 13 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, 100 ditë (njëqind) ditë përpara datës së zgjedhjeve, Ministri i Brendshëm në Qeverinë Kujdestare të zgjedhjeve, i caktuar sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Marrëdhënia e Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit gjatë periudhës 100 ditë përpara datës së zgjedhjeve, përcaktohet nga rregullat kalimtare të parashikuara në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, brenda dy javëve nga caktimi i datës së zgjedhjeve: nxjerr udhëzim për procedurat administrative të veçanta gjatë periudhës zgjedhore. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, brenda dy muajve nga përfundimi i periudhës zgjedhore, raporton me shkrim pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme për veprat penale zgjedhore në kompetencë të saj.

Drejtuesi i BKH-së, brenda dy javëve nga caktimi i datës së zgjedhjeve, nxjerr rregulloren mbi metodologjinë e informimit të BKH-së nga punonjësit e policisë së shtetit për veprat penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme. Drejtuesi i BKH-së, kur konstaton shkelje disiplinore të policisë gjyqësore përgjatë kryerjes së hetimeve të veprave penale zgjedhore, paraqet brenda 5 ditëve ankesë me shkrim tek Komisioni Disiplinor [për t’u verifikuar] për Policinë Gjyqësore. Prokurori i Përgjithshëm ka përgjegjësi për punën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm të apelit dhe shkallës së parë për periudhën zgjedhore" thuhet në draft.

PD-ja kërkon që KQZ -ja të pajisë me sistem monitorimi me kamera të gjitha qendrat e votimit. Në këtë sistem monitorimi, sipas PD-së duhet të kenë akses KQZ dhe salla operative e policisë së shtetit, që monitoron procesin zgjedhor. Gjithashtu, PD kërkon që të shihet mundësia që shkeljet zgjedhore të konsiderohen si shkak për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

Një pikë tjetër e rëndësishme që propozon PD-ja lidhet me sinjalizuesit për shkeljet, që kërkon të mbrohen me ligj nga ndjekja penale për vepra penale të shpifjes, fyerjes apo kallëzimit të rremë. "Të drejtat dhe interesat e sinjalizuesve mbrohen menjëherë, në mënyrë të besueshme, të efektshme dhe të përshtatshme. Sinjalizuesi gëzon të drejtën e: a) konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit, që përfshin, gjithashtu, mundësinë e sinjalizimit anonim të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni; b) ruajtjen e konfidencialitetit të burimit të informacionit të sinjalizuesit; c) mbrojtjes kundër hakmarrjes, ç) mbrojtjes në marrëdhënien e punësimit; d) mbrojtjes nga ndjekja penale për vepra penale të shpifjes, fyerjes apo kallëzimit të rremë, duke konsideruar se në paraqitjen e sinjalizimit, ai ka vepruar në ushtrim të një të drejte të caktuar nga ligji, sipas nenit 21 të Kodit Penal".

Gjendja e flagrancës është një tjetër pikë. PD-ja kërkon që "I dyshuari për një vepër penale në fushën e zgjedhjeve konsiderohet se është në gjendje flagrance, sipas nenit 252 të Kodit të Procedurës Penale, pasi është në kryerje e sipër të veprës penale vazhduese gjer ditën e përfundimit të procesit zgjedhor. Gjendja e flagrancës sipas këtij neni përfshin cdo rast të ndjekjes penale, për të cilin organi i ndjekjes penale". Por përfaqësuesi i shumicës në tryezën për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh sot se një pjesë e propozimeve të PD-së janë politike dhe nuk do të pranohen (lexo këtu). Tashmë mbetet për t'u parë nëse palët do të arrijnë koncensusin deri në 15 mars.

Propozimi i PD për ndryshimet në kodin penal

( Kliko këtu ) Propozimi për rolin e prokurorisë në zgjedhje

( Kliko këtu ) Propozimi për rolin e policisë në zgjedhje

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?