VKM/ Miratohet dëmshpërblimi për 9 ish-të dënuar politikë! Do jepet me këste! Manja propozon zgjatje afati për dosjet e pa trajtuara

24 Gusht 2023, 13:47| Përditesimi: 24 Gusht 2023, 15:15

  • Share

 

Këshilli i Ministrave miratoi sot masën e kompensimit financiar për 9 subjekte përfituese ish-të dënuarish politikë. Nga 9 subjektet përfituese, 7 janë ish-të dënuar politikë të regjimit komunist me burgime të gjata ose izolime në hetuesi, ndërsa dy subjekte përfituese janë me dënime kapitale ose të ekzekutuar pa gjyq.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, u shpreh se “ky vendim vjen me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe është vendimi i 30-të që merr qeveria për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”.

Dëmshpërblimi për ish-të dënuarit politikë do të bëhet me këste

Manja nuk bëri të ditur sa është vlera e këtij dëmshpërblimi ndërsa propozoi ndryshimin e ligjit që të parashikojë zgjidhje për ata dosje të cilat janë dorëzuar jashtë afatit në Ministrinë e Drejtësisë.

“Sot në mbledhjen e qeverisë është trajtuar edhe problematika e trajtimit të disa dosjeve të subjekteve përfituese të regjimit komunist, të cilat janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë jashtë afateve të përcaktuara nga ligji. Kemi rënë dakord që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të përllogarisim sa është kostoja e buxhetit të shtetit lidhur me këtë kategori dosjesh dhe në momentin dhe kohën e duhur, ne ndoshta do të ndërmarrim edhe iniciativën ligjore për të ndryshuar ligjin dhe për të shtyrë afatin e depozitimit të këtyre dosjeve nga ana e subjekteve përfituese, ish-të dënuar politikë të regjimit komunist”, theksoi Manja.

VENDIMI 

1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për disa ish-të dënuar politikë të dënuar me burgim, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, sipas listës së përcaktuar në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuar politikë të dënuar me dënim kapital ose të ekzekutuar pa gjyq, sipas listës së përcaktuar në aneksin B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Shpërndarja e masës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë bëhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

4. Shuma e përllogaritur përballohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i planifikuar për këtë qëllim. Shuma transferohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bankën e nivelit të dytë nëpërmjet thesarit, pas konfirmimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues urdhërohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në llogaritë e tyre personale, të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

 


Lajmi kryesor:

32 mln lekë dëmshpërblim 9 ish-të dënuarve politikë! Qeveria akordon fondin, mes tyre 2 të pushkatuar pa gjyq


G.MO//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?