Burgu i Spaçit

32 mln lekë dëmshpërblim 9 ish-të dënuarve politikë! Qeveria akordon fondin, mes tyre 2 të pushkatuar pa gjyq

24 Gusht 2023, 15:47| Përditesimi: 24 Gusht 2023, 15:57

  • Share

Një fond prej 32 milionë lekë të reja është akorduar nga qeveria për dëmshpërblimin financiar të 9 ish-të dënuarve politike nga regjimi komunist. Vendimi i propozuar nga ministria e drejtësisë, u miratua në mbledhjen e qeverisë.

‘9 subjekte përfituese ish të dënuarish politikë për të cilët qeveria ka miratuar masën e kompensimit. Është vendimi i 30 që merr qeveria për dëmshpërblimin e të dënuarve të regjimit komunist. Nga 9 prej tyre, 7 janë me burgime të gjata dy të tjerë të ekzekutuar pa gjyq.’- tha Ulsi Manja.

Report Tv, mësoi se fondi total i akorduar është 30.2 milionë lekë të reja. Në listën A të përfituesve, janë ish-të dënuar politikë të dënuar me burgim, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, ndërsa në listën B, janë renditur ish-të dënuarit politikë të dënuar me dënim kapital ose të ekzekutuar pa gjyq.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se në mbledhjen e qeverisë u diskutua edhe problematika e një numri dosjesh të dorëzuara jashtë afateve të përcaktuara nga ligji, për të cilat po kërkohet një zgjidhje.

‘Kemi rënë dakord të përllogarisim koston e buxhetit për këtë kategori, dhe në kohën e duhur do ndërmarrim iniciativën e ligjit për të shtyrë afatin e depozitimit të këtyre dosjeve.’- tha Manja.

Ora 13:47
VKM/ Miratohet dëmshpërblimi për 9 ish-të dënuar politikë! Do jepet me këste! Manja propozon zgjatje afati për dosjet e pa trajtuara

 

Këshilli i Ministrave miratoi sot masën e kompensimit financiar për 9 subjekte përfituese ish-të dënuarish politikë. Nga 9 subjektet përfituese, 7 janë ish-të dënuar politikë të regjimit komunist me burgime të gjata ose izolime në hetuesi, ndërsa dy subjekte përfituese janë me dënime kapitale ose të ekzekutuar pa gjyq.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, u shpreh se “ky vendim vjen me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe është vendimi i 30-të që merr qeveria për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”.

Dëmshpërblimi për ish-të dënuarit politikë do të bëhet me këste

Manja nuk bëri të ditur sa është vlera e këtij dëmshpërblimi ndërsa propozoi ndryshimin e ligjit që të parashikojë zgjidhje për ata dosje të cilat janë dorëzuar jashtë afatit në Ministrinë e Drejtësisë.

“Sot në mbledhjen e qeverisë është trajtuar edhe problematika e trajtimit të disa dosjeve të subjekteve përfituese të regjimit komunist, të cilat janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë jashtë afateve të përcaktuara nga ligji. Kemi rënë dakord që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të përllogarisim sa është kostoja e buxhetit të shtetit lidhur me këtë kategori dosjesh dhe në momentin dhe kohën e duhur, ne ndoshta do të ndërmarrim edhe iniciativën ligjore për të ndryshuar ligjin dhe për të shtyrë afatin e depozitimit të këtyre dosjeve nga ana e subjekteve përfituese, ish-të dënuar politikë të regjimit komunist”, theksoi Manja.

VENDIMI 

1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për disa ish-të dënuar politikë të dënuar me burgim, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, sipas listës së përcaktuar në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuar politikë të dënuar me dënim kapital ose të ekzekutuar pa gjyq, sipas listës së përcaktuar në aneksin B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Shpërndarja e masës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë bëhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

4. Shuma e përllogaritur përballohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i planifikuar për këtë qëllim. Shuma transferohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bankën e nivelit të dytë nëpërmjet thesarit, pas konfirmimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues urdhërohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në llogaritë e tyre personale, të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

 

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pensionisti: 24/08/2023 16:15

    Ish te burgosurit politik po ta mjelin shqiperine ,jepuni edhe per mbesa e nipa,per stermesa e sternipa,vetem per pensionista nuk keni para,kështu i leverdis qeveris

    Përgjigju
    • I drejti: 24/08/2023 16:53

      Pusho o pusht i kuq. Ata janë masakruar me breza për 45 vjet o qelbësirë

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?