Viti 2024 nis me pritshmëri pesimiste për uljen e inflacionit! BSH: Të gjithë sektorët e ekonomisë presin rritje çmimesh

5 Janar, 20:08| Përditesimi: 5 Janar, 20:16

  • Share

Besimi në ekonomi i bizneseve dhe qytetarëve është rritur në dhjetor të vitit të kaluar pas rënies së vazhdueshme që prej muajve të verës. Por nga ana tjetër përkundrejt të gjitha pritshmërive për ulje të inflacionit gjatë këtij viti, të gjithë sektorët presin rritje të çmimeve.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë besimi në ekonomi në dhjetor u rrit me 2.2%, ku hovi më i madh është regjistruar tek ndërtimi me 9.1%, i ndikuar më së shumti nga përmirësimi i aktivitetit ndërtues në vend dhe rritja e porosive. Ky sektor pret që çmimet dhe punësimi të rriten përgjatë muajve të parë të këtij viti.

Besimi i sektorit të shërbimeve është rritur me 2.6%, ndikuar edhe prej bumit turistik, dhe në raportin e Bankës së Shqipërisë thuhet se pritjet e bizneseve për kërkesën, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu me rritje.

Edhe gjendja e industrisë dhe e tregtisë është përmirësuar lehtë, ndikuar nga pritshmëritë për rritje të prodhimit, të punësimit, apo kontratave, por nga ana tjetër ata pohojnë se shtrenjtimi nuk do të ndalet.

Ndryshe nga bizneset, besimi dhe optimizmi i konsumatorëve në ekonomi mbetet i palëkundur, ata presin rënie çmimesh dhe më shumë blerje të mëdha.

Objektivi i Bankës së Shqipërisë është që inflacioni të zbresë në 3% brenda këtij viti, nga mbi 4% që ishte në 2023.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?