Kreu i KLP-së, Alfred Balla

Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagon për sulmin e Metës ndaj kreut të SPAK: Dënojmë çdo veprim fyes dhe intimidues ndaj prokurorëve

16 Prill, 19:44| Përditesimi: 16 Prill, 21:34

  • Share

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dënuar sulmin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani të cilin e akuzoi se ishte takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

Përmes një reagimi për shtyp KLP i cilëson shqetësuese deklarata të tilla fyese dhe intimiduese, ndërsa bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

"Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme", thuhet në reagim.

KLP thotë se Dumani mund  të bëjë ankesë, ndërsa garanton mbështetje ndaj çdo prokurori.

"Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta. Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush."

Ndonëse Dumani sqaroi gazetarët se nuk është takuar asnjëherë me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së McGonigal, Meta përsëriti akuzat ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, madje e cilësoi atë si "vrasës të pluralizimit".


Lajmi kryesor:

Dumani hedh poshtë deklaratat e Ilir Metës: McGonigal? S'e kam njohur kurrë, as s'e kam takuar! Gjithçka, vijim i akuzave të pabaza


B.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?