Afera ‘Partizani’, Berisha sulmon prokurorët: O laro të SPAK-ut! Si gënjen ish-kryeministri për pagesat me bono

25 Tetor 2023, 12:32| Përditesimi: 25 Tetor 2023, 13:23

  • Share

Sali Berisha ka dalë sërish në konferencë për shtyp, për të sulmuar SPAK-un, pse po e heton për aferën me klubin Partizani. Teksa nuk kurseu akuzat për prokurorët, Berisha doli të gënjejë sërish për këtë aferë, për të cilin SPAK e akuzon se ka pasuruar dhëndrin e tij duke përfituar 5.4 milionë euro nga privatizimi i Partizanit. Sipas Berishës, vendimi për miratimin e bonove nuk është marrë për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, por kanë përfituar të gjithë shqiptarët.

“Dje u njoha ju me njohjen monstruoze të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë, që shkruanin në dacibaon e tyre se vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë për pagesën në masën 80 përqind të shumës në blerjen e objekteve të privatizuara, nga i cili kanë përfituar qindra e mijëra shqiptarë, duke blerë objekte në privatizim, legalizuar banesat e tyre dhe destinacione të tjera. Ky vendim sipas tyre qenka marrë për të ndihmuar dhëndrin tim, i cili kishte paguar në të holla 88.6 përqind të shumës për blerjen e objekteve të ndërtuara nga shteti komunist në tokën e familjes së tij, të grabitur 50 vite më parë. Dhe ky vendim doli një muaj pasi ata kishin paguar 88.6 përqind të shumës për objekte të ndërtuara në tokën e konfiskuar për 50 vite më radhë”, tha Berisha.

Por në fakt faktet tregojnë krejt të kundërtën. Dy vendime të marra prej tij në kohën kur ishte kryeministër tregojnë favorizimin ndaj dhëndrit të burgosur Jamarbër Malltezi. Report Tv publikoi dje dokumentet që tregon qartë se pasi Berisha miratoi përdorimin e bonove në dhjetor 2008, Jamarbër Malltezi e pesë familjet paguan me bono në shkurt 2009. Në korrik të po atij viti, pasi Malltezi mbaroi punë, Berisha ndryshoi vendimin duke urdhëruar që pagesat të bëhen vetëm me lekë.

Berisha ka votuar konkretisht më 17.12.2008 VKM-në 1638 me të cilën lejonte 64 ish-pronarët e klubit Partizani, mes të cilëve dhe bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, të paguajnë 80% të shumës së fiksuar për privatizimin me bono privatizimi dhe jo me lekë. Me atë vendim Berisha i kurseu atij grupi pronarësh rreth 8 milionë lekë të reja.

Vetëm pas shtatë muajve nga ai vendim, kryeministri Berisha firmos një VKM të dytë (nr.738 dt.1.07.2009) me të cilën e heq mundësinë e pagesës me bono privatizimi dhe rivendos në ngarkim të ish-pronarëve të paguajnë vetëm me lekë. Natyrisht, në këto shtatë muaj Jamarbri bashkë me gjithë grupin e ish-pronarëve të Klubit Partizani përfituan nga vendimi i parë i Berishës-vjehërr dhe në këtë mënyrë në vend të 8 milionë lekëve (të reja) derdhën vetëm bono privatizimi të blera në treg për më pak se 300 mijë lekë.


Lajmi kryesor:

‘Partizani’/ Mbrojtja e Berishës braktis gjyqin, GJKKO i vendos avokat shtetëror! Në sulm Shkëlzen Berisha, zëvendësohet Artan Simoni! Vendimi shtyhet për nesër


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?