Qeveria miraton projektligjin/ Ndërtimet pa leje të konfiskuara shiten në ankand! Pronari i truallit dhe ndërtuesi kanë të drejtën e parablerjes

31 Maj 2023, 19:03| Përditesimi: 1 Qershor 2023, 08:27

  • Share

TIRANË- 9 muaj pas vendimit për të konfiskuar ndërtimet pa leje ose ato në tejkalim të lejes së ndërtimit, qeveria miratoi të mërkurën projekt-ligjin për përdorimin e këtyre objekteve. Me anë të projektligjit qeveria përcakton kompetencat dhe detyrat e autoriteteve publike përgjegjëse, të përfshira në proceset e zhvillimit dhe administrimit të objekteve të konfiskuara, si dhe procedurat e shit-blerjes së godinave të konfiskuara.

Sipas projektligjit, në procesin e shitjes që do të kryejë qeveria, kanë të drejtën e parablerjes me vlerën e tregut; pronarët e truallit, subjekti ndërtues, si dhe personat e tretë që kanë një marrëveshje juridiko-civile për pronën e konfiskuar.

Nëse palët e parashikuara nuk shfaqin interes objektet, atëherë objektet e konfiskuara dalin në ankand publik. Vlera fillestare me të cilën prona del në shitje përcaktohet nga vlera e tregut që referohet nga INSTAT ose Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Nëse ankandi dështon, çmimi i tij në raundin e dytë nuk ulet, por mbetet sërish i njëjtë. Po ashtu sipas projektligjit u njihet e drejta e pronësisë pronarëve të truallit mbi të cilin është ndërtuar objekti në tejkalim të lejes së ndërtimit. 

Në projektligj është përcaktuar edhe programi i shitjes së objekteve të konfiskuara. Format e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara janë:

'a) ofrimi për blerje me vlerën e tregut, nëpërmjet një njoftimi me shkrim, subjekteve që kanë të drejtën e parablerjes, në kuptim të këtij ligji, sipas kësaj radhe përparësie:

i. Pronari i truallit ka të drejtë parablerjeje të pjesës së objektit të konfiskuar në tejkalim të lejes, me të njëjtat raporte/apo përqindje të njësuara sipas pjesës takuese të tij në aktmarrëveshjen për ndërtim/kontratën noteriale me qëllim zhvillimin e ligjshëm të pronës, regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.

ii. Personat e tretë, në kuptim të këtij ligji, kanë të drejtën e parablerjes për objektin e konfiskuar, sipas marrëveshjes juridiko-civile të hartuar para noterit, të regjistruar në regjistrat përkatës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.

iii. Në rast se pronari i truallit apo personi i tretë shprehen me shkrim se nuk duan të ushtrojnë të drejtën e parablerjes për objektin e konfiskuar apo në rast se këta nuk përgjigjen brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit se dëshirojnë të blejnë objektin e konfiskuar, subjekti zhvillues/ndërtues ka të drejtën e parablerjes së objektit të konfiskuar ose të një pjese të tij.

b) shitja nëpërmjet ankandit publik i cili kryhet në zbatim të kuadrit ligjor për ankandin publik. Procedurat e kryerjes së ankandit publik bazohen në parimet e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi për ankandin e pronave publike. Përjashtimisht, nga parashikimet e kuadrit ligjor për ankandin publik, në asnjë rast nuk lejohet ofrimi i shitjes me një çmim më të ulët se vlera fillestare e ankandit publik.'- thuhet në projektligj.

Programi i shitjes së objekteve të konfiskuara kryhet nga ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, nëpërmjet strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike.

Sipas projekt-ligjit, do të krijohet një strukturë i quajtur Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, me 9 anëtarë, mes të cilëve edhe 2 përfaqësues nga kryeministria që do të vlerësojë rast pas rasti gjendjen e objekteve të konfiskuara e do të propozojë mënyrën sesi ato do të përdoren.  

‘a) Vlerëson rast pas rasti gjendjen e objekteve të konfiskuara dhe propozon për miratim në Këshillin e Ministrave kalimin në përgjegjësi administrimi, përdorim të përkohshëm apo pronësi të objektit të konfiskuar në favor të institucioneve publike apo të enteve publike përkatëse;

b) Përcakton njësinë zbatuese për përfundimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara, në zbatim të masave të parashikuara në programin e zhvillimit;

c) Përcakton programin e zhvillimit i cili përmbush më mirë interesin publik si dhe miraton masat përkatëse të atij programi zhvillimi, të propozuara nga njësia zbatuese;

ç) Miraton mënyrën dhe masën e përdorimit të fondeve nga fondi i veçantë i objekteve të konfiskuara;

d) Cakton si detyrim për ministrinë përgjegjëse për pronën shtetërore të angazhojë ekspertë të fushës me qëllim vlerësimin financiar e teknik të gjendjes së objekteve të konfiskuara deri në caktimin e njësisë së zbatimit, pagesat e të cilëve mbulohen nga fondi i veçantë;

dh) Cakton si detyrë të njësisë së zbatimit të angazhojë ekspertë të fushës për vlerësimin financiar e teknik të objekteve të konfiskuara me qëllim propozimin e masave të programit apo për nevoja të zhvillimit, pagesat e të cilëve mbulohen nga fondi i veçantë.’- thuhet në projektligj.

Ndërkohë brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit të Komisionit për miratimin e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore njofton subjektet që kanë të drejtën e parablerjes, në kuptim të këtij ligji, në lidhje me ushtrimin e së drejtës së parablerjes.

Ky projekt-ligj vjen në një kohë kur VKM e qeverisë për ndërtimet pa leje ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh të opozitës. Në fillimet e kësaj nisme, kryeministri Edi Rama i denoncoi vetë publikisht ndërtimet pa leje, apo ata që kishin tejkaluar lejen e ndërtimit.

Lexo të plotë: Projektligji i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Edi: 31/05/2023 22:06

    Po nese ndertuesi e ka ndertuar pa leje?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?