PS, projektligj në Kuvend për të shmangur Leskajn nga KLSH

9 Qershor 2020, 12:59| Përditesimi: 9 Qershor 2020, 18:01

  • Share

Përplasja e krijuar mes Kuvendit dhe Presidentit Ilir Meta për emërimin e kreut të KLSH, që drejtohet ende nga Bujar Leskaj me mandat të mbaruar, ka bërë që PS të dërgojë në Kuvend një projektligj për ndryshime në drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit që do të shërbejë dhe si një mekanizëm për zhbllokimin e këtij institucionit.

Sipas projektligjit, PS kërkon shtimin e postit të zv.kryetarit të KLSH, i cili do të zëvendësojë edhe kryetarin kur ai mungon apo i ka mbaruar mandati, duke bërë të mundur kështu daljen përfundimisht të Bujar Leskaj nga ky institucion.

Në propozimin e PS në projektligjin e paraqitur në Kuvend, zv.kryetari i KLSH emërohet për një mandat 3-vjeçar me të drejtë rizgjedhje.

Po pse lindi nevoja e këtij mekanizmi zhbllokues? Kjo erdhi si pasojë e rrëzimit të 3 kandidaturave të para të paraqitura nga Ilir Meta nga Kuvendit dhe kërkimin e emrit të radhës. Këto rrëzime Meta i cilësoi një tregues se mazhoranca po tenton të kap edhe këtë institucion presion politik me qëllim që të vendoste kandidaturën që mazhoranca kërkonte, duke i dërguar edhe një letër Gramoz Ruçit.

Për kreun e KLSH, presidenti Meta aktualisht ka çuar kandidaturën e Arben Shehu, duke u shprehur se i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion.

Vitore Tusha, Bahri Shaqiri dhe Petraq Milo janë tre emrat që Presidenti Meta i ka dërguar Kuvendit për kreun e KLSH dhe janë rrëzuar nga parlamenti.

Projektligji i depozituar nga PS në Kuvend për KLSH

Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 154/2014

“Për organizimin dhe Funksionimin Kontrollit të Lartë të Shtetit”

Neni 1

Titulli i KREUT III ndryshohet si vijon:

“ORGANIZIMI I KONTROLLIT TË LARTË TË SHTETIT”

Neni 2

Titulli i Nenit 19 ndryshohet si vijon:

“Zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”

Neni 3

Në nenin 24, në paragrafin 1 shfuqizohet.(shfuqizimi ka të bëjë me shprehjen “qëndron në detyrë deri kur zëvendësohet”)

Neni 4

Pas nenit 25, shtohen nenet 25/a, 25/bdhe 25/c me këtë përmbajtje:

“Neni 25/a

Emërimi dhe funksionet e Zëvendëskryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

1.     Kuvendi me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit emëron Zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

2.     Kandidatura për Zëvendëskryetar duhet të plotësojë të paktën kushtet e parashikuara në nenin 20 të këtij Ligji dhe procedura parlamentare e emërimit ka lidhje me verifikimine plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidaturës. Komisioni për Ekonominë dhe Financatpas shqyrtimit të kandidaturës i përcjell Kuvendit për votim një raport vlerësimi për plotësimin ose jo të kushteve dhe kritereve ligjore.

3.     Zëvendëskryetari emërohet për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhje më shumë se një herë dhe ushtron funksionet e Kryetarit, në të gjitha rastet kur vendi i Kryetarit mbetet bosh për shkak të mbarimit të mandatit ose shkarkimit, sipas parashikimeve të nenit 23 të këtij ligji.

4.     Paga e Zëvendëskryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit është e barabartë me atë të anëtarit të Gjykatës së Lartë.

5.     Dispozitat e nenit 21 dhe 22 të këtij Ligji vlejnë dhe zbatohen për analogji edhe për Zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të gjitha rastet kur ai ushtron funksione si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për shkak të vakancës së krijuar sipas parashikimit të paragrafit 3 të këtij Neni.

Neni 25/b

Mbarimi i mandatit dhe shkarkimi i Zëvendëskryetarit

1.     Mandati i Zëvendëskryetarit të KLSH-së mbaron kur:

a)     mbaron afati trevjeçar i qëndrimit në detyrë;

b)    dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi;

c)     nuk paraqitet në detyrë për shkaqe të paarsyeshme;

d)    jep dorëheqjen;

e)     deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë;

f)      mbush moshën e pensionit;

g)     vdes.

2.     Konstatimi i vakancës bëhet nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe në mungesë ose pamundësi të tij, nga Kuvendi.

3.     Në rastet e pritshmërisë për krijimin e vakancës për shkak të kushteve të parashikuara në shkronjën a) dhe f) të paragrafit 1 të këtij neni, propozimi i kandidaturës zëvendësuese, bëhet të paktën 30 ditë përpara datës në të cilën pritet të krijohet vakanca.

4.     Në rast të konstatimit të vakancës së Zëvendëskryetarit të KLSH, në kushtet e  shkronjave b), c), d), e) dhe g) të paragrafit 1 të këtij neni si dhe paragrafit 4 të këtij neni, propozimi për zëvendësuesin bëhet brenda 15 ditëve

5.     Zëvendëskryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit shkarkohet nga Kuvendi, me propozim të Kryetarit të Kontrollit të lartë të Shtetit ose të Komisionit te Ekonomisë, kur:

a)     shkel rëndë ligjin gjatë ushtrimit të funksioneve të tij;

b)    kryen akte ose sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij;

c)     zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij.

6.     Në rast se:

a.     vendi i Zëvendëskryetarit mbetet vakantdhe Kryetari i Kontrollit të lartë të Shtetit nuk ushtron kompetencën e tij për propozimin e emrit të Zëvendëskryetarit brenda afatit të parashikuara në paragrafin 3 të këtij neni si dhe

b.     në rastet kur vendi i Kryetarit të Kontrollit të lartë të Shtetit rezulton gjithashtu vakant,

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i Kuvendit, i propozon menjëherë Kuvendit kandidaturën për postin e Zëvendëskryetarit të KLSH.

Neni 25/c

Përgjegjësitë e Zëvendëskryetarit

Zëvendëskryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit është përgjegjës për:

a)     zbatimin e përgjegjësive të përcaktuara në nenin 25 të këtij ligji, nëraste të vakancës së Kryetarit;

b)    procesin e kontrollit të cilësisë gjatë veprimtarisë audituese të Kontrollit të lartë të Shtetit;

c)     zbatimin e rregullave të etikës dhe standardet antikorrupsion në institucionin eKontrollit të Lartë të Shtetit;

d)    dakordësinë mbiplanin vjetor të auditimit dhe autorizimet për kryerje të auditimit jashtë planit fillestar të miratuar;

d)    dakordësinë e marrjessë vendimeve për raportet e auditimit, lidhur me rekomandimet për marrjen e masave për zhdëmtim dëmi, administrative, disiplinore apo kallëzimeve penale, sipas procedurave përkatëse;

dh) detyra të tjera të deleguara nga Kryetari.”

Neni 5

Dispozitë tranzitore Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi verifikon menjëherë vakancën në postit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe pasi konstatohet gjendja në kushtet e paragrafit 6 të nenit 25/b të këtij Ligji, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, brenda 15 ditëve vijuese i propozon Kuvendit, kandidaturën që do të komandohet në postin e Zëvendëskryetarit të KLSH dhe do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e emërimit dhe plotësimit të vakancës së Kryetarit të KLSH. Menjëherë pas emërimit të Kryetarit të KLSH, organet dhe personat e ngarkuara nga dispozita e neni 25/b të këtij Ligji, nisin procedurat për emërimin e Zëvendëskryetarit të KLSH me mandat të plotë.

(Kliko ketu) Drafti per ndryshimet ne KLSH

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?