Protesta e Rithemelimit, zëdhënësja e PD: U bë për interesa personale! Muça: Ishte miting i orientuar në sulme ndaj SPAK dhe SHBA

23 Shkurt, 17:43| Përditesimi: 23 Shkurt, 22:12

  • Share

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina e ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv e konsideroi protestën e Rithemelimit të bërë në 20 shkurt para kryeministrisë si një organizim të bërë për interesa personale.

Ajo tha se duhet ndryshuar kultura politike e protestave të thirrura nga partitë. Ndërsa theksoi se protesta e 20 shkurtit u bë që përfaqësues të Rithemelimit të tregonin forcën që nuk e kanë tek elektorati.  

“Protestat në një vend të zhvilluar nuk bëhen nga partitë politike. Do ishte mirë siç kanë ndodhur disa protesta si ajo për rritjen e çmimeve , do ishte mirë të bëheshin nga qytetarët dhe më pas të mbështeteshin nga opozita. Duhet ta ndryshojmë këtë kulturë politike. Protesta tregoi se çfarë bëhet për interesa të ngushta. Bëhet për një grup njerëzish që nuk e kanë forcën tek elektorati dhe mundohen të tregojnë veten me protesta të tilla”- tha Karabina.

Sipas zëdhëneses së PD, Bardhi dhe deputetët e tjerë që i janë bashkuar Rithemelimit, bojkotuan partinë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit.

“Ka qenë një grup i PD që tani i ka bërë nder PD-së që deri tani kanë dyshuar se një grup i cili ka qenë pengues prej një viti, më në fund ka shkuar atje ku ka shërbyer gjatë gjithë vitit në kurriz të PD. Gjatë majit patëm zgjedhjet lokale dhe kemi qenë të penguar. Ky grup deputetësh e minoi atë proces, bëri të mundur të mos dilnim me kandidatë”- shtoi zëdhënësja.

Nga ana tjetër analisti, Flogert Muça e cilësoi si një miting organizimin e bërë 3 ditë më parë nga Rithemelimi. Muça nënvizoi se pati sulme të orientuara ndaj SPAK-ut dhe SHBA-ve.

“Ishte miting, jo protestë. Protesta ka fjalime të atyre që protestojnë, të fermerëve apo të tjerëve. Aty ishte një miting për hapjen e fushatës sepse doktori nuk shkon dot nëpër qytete. I mblodhi në shesh, u foli siç u foli. Sulmet ishin orientuar ndaj SPAK, SHBA-ve etj. Mesazhi ishte i qartë, ishte një tubim politik i Sali Berishës për të krijuar një efekt që e ka krijuar. Me pjesëmarrjen e mirë që kishte në mitingun e tij tregoi që pjesën më të madhe të demokratëve e ka ai në krah”- tha Muça.

Në studio u diskutua edhe për amnistinë penale dhe deklaratat që dha mbrëmjen e djeshme deputeti i Rithemelimit Edmond Spaho në emisionin 'Frontline' duke u shprehur se kushti që ka për ta votuar projektligjin e mazhorancës është që t'u jepet e drejta për bashkëkryetar të Reformës Zgjedhore. Analisti Flogert Muça e konsideroi këtë si një përpjekje të hapur nga ana e Rithemelimit për pazar me qeverinë. 

Ora 18:00
Deklarata e Spahos në Report Tv për amnistinë penale, analisti: Rithemelimi kërkoi hapur pazar me mazhorancën

 

Deklaratën e djeshme të bërë nga deputeti i Rithemelimit Edmond Spaho në Report Tv ku vuri si kusht bashkëkryetarin e Reformën Zgjedhore në mënyrë që të jepte votën për amnistinë penale, analisti Flogert Muça e cilësoi në “Studio Live” si kërkesë të hapur për pazar me qeverinë.

Ai tha se Rithemelimi po kërkon të arrijë marrëveshje me mazhorancën pa dashur t’ja dijë në të vërtetë për interesin publik të qytetarëve lidhur me amnistinë penale.

“Ky është Pazar. Do të thotë që mund t’i thonë mazhorancës, bëni çfarë të doni, për ne nuk ka rëndësi por për ne rëndësi ka të na jepni bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore. Është haptasi një ofertë për të bërë pazar.  Të gjitha palët kërkojnë pazare me mazhorancën. Më pëlqen që Spaho ka qenë i sinqertë, na jepni bashkëkryetarin dhe ne votojmë çfarë të doni. Pra interesi publik tek ata është zero.  E gjitha më duket si një tollovi politike në kushtet kur mazhorana nuk ka votat për ta miratuar vetëm secila palë po kërkon pazare për të përfituar politikisht”- tha analisti.

Ora 17:56
Muça: Mostakimi me Blinken dhe ‘federata opozitare’, dy shuplaka për Lulzim Bashën

Analisti Flogert Muça, nëpërmjet një lidhje ‘skype për emisionin “Studio Live” në Report Tv tha se kryetari i PD-së Lulzim Basha ka marrë 2 goditje të forta pasi sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken nuk e takoi dhe së fundmi bashkimin e 11 partive opozitare me Rithemelimin në një ‘Federatë opozitare’.

“Basha ka ngrënë 2 shuplaka. Së pari mostakimi me Blinken. Më kanë treguar burime se është insistuar deri në moment të fundit për një takim me të. Ne e kemi parë Bashën si njeriun e amerikanëve, mostakimi nga Blinken ishte shuplakë për Bashën. Bashkimi opozitar dhe protesta ishte një shkundje për Bashën për t’i thënë se pala tjetër i ka njerëzit dhe duhet të tregosh se ke më shumë se pala tjetër”- u shpreh Muça.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?