Pasi njoftoi dështimin e negociatave për bashkimin e PD, Berisha mbledh krerët e degëve të Tiranës dhe sulmon Ramën: Jemi në fillim të betejës! S'është e thjeshtë por do fitojmë

1 Nëntor 2022, 20:00| Përditesimi: 1 Nëntor 2022, 22:04

  • Share

Sapo njoftoi dështimin e negociatave për bashkimin e PD dhe nuk kurseu gjuhën kërcënuese ndaj grupit të Alibeajt, Sali Berisha mblodhi  krerët e degëve të Tiranës dhe nuk hezitoi të sulmonte Edi Ramën. Me një mesazh të qartë për grupin e Alibeajt dhe për mazhorancën, Berisha u shpreh me bindje se Rithemelimi do të arrijë të marrë pushtetin. 

Berisha u shpreh se kanë hyrë në fushën e betejës dhe i dha këshilla anëtarëve që të tregojnë para të gjithëve se cila është figura e Edi Ramës, për të cilin thotë se ka ardhur momenti për ta larguar nga pushteti.

“Ne sot kemi hyrë në fushën e betejës. Duhet të kuptohemi, të gjitha përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë përpjekje për tu ngritur në këmbë, për të dëshmuar veten tonë si opozitë e vërtetë, si PD e rithemeluar. Tani, ne vijmë në fillimin e betejës. 

Vijmë në fillimin e betejës sepse shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që janë presin nga PD-ja, opozita shqiptare, shpëtimin nga kjo klikë, nga ky njeri i cili ka vendosur monizmin më të shëmtuar në Shqipëri. Monizmi i tij sot qëndron në rrafshin e shtetit ligjor, disa shkallë më poshtë se monizmi në Vietnamin socialist në të cilin Partia Komuniste është forcë udhëheqëse hegjemone me kushtetutë. Pra nuk është pluralizmi, siç thotë kushtetuta jonë, por është monizmi, por shtetin ligjor ata e kanë 4 shkallë më në rregull seç e kemi ne, në këtë situatë katastrofale. Që Edi Rama duhet të largohet nga pushteti e kanë thënë mijëra herë shqiptarët, por tani ka ardhur koha që ta shndërrojmë në realitet këtë moto”, tha Berisha.

Teksa vijon të akuzojë udhëtimet me charter të Edi Ramës, Berisha thotë se kreu i qeverisë po tallet me qytetarët. Ndër të tjera paralajmëron se kryeministri do të përballet me shqiptarët duke shtuar se nuk do të ndalen protestat. I bindur se të gjitha do t’i sjellin fitoren, Berisha thotë se do të mbrojnë interesat e qytetarëve, por përjashton mbështetësit e Ramës.

“Ne tani nisim betejën, kjo nuk është betejë e thjeshtë, por do të fitojmë sepse kemi një kauzë të drejtë dhe po mbrojmë interesa jetike, jo tonat, jo personale, por të çdo qytetari shqiptar. Përveç klubit të hajdutëve rilindas, ata jo. Ata janë për tu marrë një e nga një dhe për të shkuar atje ku e kanë vendin, me në krye Edi Ramën”, tha Berisha.

Sot është njoftuar se negociatat për bashkim brenda Partisë Demokratike kanë dështuar. Demokratët do të dalin të përçarë në zgjedhjet vendore të 2023. Pas 20 ditëve tentativa për bashkim, palët kanë dalë me akuza në drejtim të njëri-tjetrin. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?