Nutricionisti Altin Joka: Si është e vërteta e të ushqyerit sipas grupit të gjakut? Po testet e intolerancës ushqimore çfarë tregojnë?

3 Maj 2023, 12:18| Përditesimi: 3 Maj 2023, 12:23

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia, Altin Joka, i cili u ndal në dy tema të rëndësishme diskutimi, si dieta ushqimore sipas grupeve të gjakut dhe intoleranca ushqimore.

”Ka shumë studime që flasin për të ushqyerit sipas grupeve të gjakut, ku thuhet se grupi i gjakut A, duhet të shmangë mishin, apo grupi i gjakut B, duhet të ha mish, përveç mishit të pulës, sikurse grupi i gjakut O+- është gjenetikisht mishngrënës” e nis kështu bisedën nutricionisti i njohur.

Sipas tij, nëse një studim të thotë se duhet ndjekur një dietë apo një tjetër, njerëzit janë të pritur t’a ndjekin, por në fakt për shkak të asaj diete, mund të kenë dëme të tjera në organizëm.

”Mendoj se pjesa më e madhe e studimeve janë të tëra në kuadër të fitimeve dhe nuk ka shembuj shkencor se duke evituar ndonjë ushqim, mund të jesh më i shëndetshëm” theksoi Altini, ndërsa nuk harroi të shtonte se trupi në mënyrë shumë inteligjente përcakton vetë çfarë është më e mira për të dhe sigurisht që zgjedh.

”Të ushqyerit sipas grupeve të gjakut edhe pse mendohet se mund të bëjë mirë në një drejtim, të krijon probleme apo mungesa në drejtime të tjera” nënvizoi nutricionisti, duke shtuar se ka shumë dieta që gjenden lehtësisht, por asnjëra nuk ka prova shkencore se është e duhura dhe nuk mbështetet klinikisht. Sipas Altinit, dieta më e mirë është stili i jetesës dhe jo një dietë specifike.

Më pas Altin Joka u ndal dhe tek intoleranca ushqimore. ”Trupi ynë reagon nga një shpërbërje ushqimore dhe kuptohet se ka ushqime që ai i toleron dhe të tjera që nuk i toleron, gjë që njihet si intolerancë ushqimore” tha Altini, për të shpjeguar fillimisht termin.

”Ka shumë teste që mendohet se na tregojnë ushqimet që duhet të shmangim, si testi i gjakut, testi i pulsit, testi i fijes së flokut, testi elektromagnetik, apo testi i frymëmarrjes me hidrogjen, por asnjëri nuk ka një provë shkencore që të vërtetojë se duhen shmangur disa ushqime specifike” tha Altini, duke shtuar se të gjitha këto teste janë thjeshtë dhe vetëm për arsye biznesi dhe jo për të zgjidhur një problem specifik.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?