Nikolla pritet në Kongresin Amerikan: Shqipëria në një linjë me ShBA-në në luftën kundër terrorizmit dhe mbështetjen e Kosovës

24 Tetor 2023, 23:05| Përditesimi: 25 Tetor 2023, 21:11

  • Share

Me Kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën, z. Thomas Kean, Jr., Kryetarja Nikolla diskutoi mbi mbështetjen e Kongresit dhe të Kuvendit për partneritetin strategjik mes ShBA dhe Shqipërisë, zgjerimin e marrëdhënieve  mes Dhomës dhe Kuvendit,  bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike.

Lidershipi në KS dhe zgjedhja si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut po rrisin prestigjin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe forcojnë partneritetin strategjik me ShBA.

Kryetarja Nikolla dhe Kryetari Kean diskutuan mbi mbështetjen e Kongresit për ndërhyrjen e komunitetit

Euro-atlantik për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi si e vetmja rrugë drejt paqes, Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë si një instrument për stabilitetin në Kosovë. Shqipëria është plotësisht në një linjë me ShBA dhe BE për çështjet  e mësipërme.

Gjatë takimit u diskutua mbi integrimin euroatlantik, si i vetmi destinacion i natyrshëm Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe nevojën e mbrojtjes së rajonit nga influencat joperëndimore.

Shqipëria po udhëheq me sukses Procesin e Berlinit dhe po kontribuon si një faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe Integrimi rajonal.

Me bashkëkryetarët e Grupit të Miqësisë me Shqipërinë (Albania’s Caucus) kongresmenët Robert Aderholt dhe Jim Himes, Kryetarja Nikolla diskutoi mbi kontributin e grupeve të miqësisë për nxitjen e marrëdhënieve mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kuvendit dhe mbështetjen e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Fuqizimi i marrëdhënieve mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kuvendit do të nxisë edhe  bashkëpunimin mes institucioneve dhe rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si faktor zhvillimi, demokratizimi, integrimi dhe sigurie në rajon.

Në takimet në Kongres Kryetarja Nikolla prezantoi edhe kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për tiu bashkuar programit të Dhomës së Përfaqësuesve “Partneriteti për Demokracinë.”

Ora 21:01
Nikolla takon Escobar: SHBA-Shqipëri, partneritet dypalësh edhe në organizatat ndërkombëtare

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u prit sot në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Gabriel Escobar, ndihmëssekretar i Shtetit dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor për të diskutuar mbi ecurinë e reformave demokratizuese dhe integruese dhe mbështetjen e Kuvendit për avancimin e tyre.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA sot janë më të mira se asnjëherë. Partneriteti strategjik është konkretizuar në bashkëpunimin e shkëlqyer në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe do të jetë i tillë edhe në KDNJ. SHBA dëshirojnë ta kenë Shqipërinë partnere dhe mbështesin aplikimin e saj në sa më shumë organizata ndërkombëtare. SHBA mbështesin fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE, vlerësojnë arritjet e deritanishme dhe inkurajojnë thellimin e luftës kundër korrupsionit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.

“SHBA kanë dënuar aktin terrorist të 24 shtatorit dhe përgjegjësinë e Serbisë për këtë akt. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje strategjike dhe duhet punuar për zbatimin e saj. SHBA mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë, dhe po punojnë për njohjen e saj edhe nga pesë shtetet e BE që nuk e kanë njohur dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën”, theksohet në njoftim.

Ora 15:39
Yuri Kim pret Nikollën në Departamentin e Shtetit: Vijoni me avancimin e reformave

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua me Zëvendësndihmës Sekretaren Kryesore të Shtetit, Yuri Kim.

Sipas njoftimit të Kuvendit Nikolla dhe Kim diskutuan "mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe avancimin e reformave, bashkëpunimin për mbrojtjen e sigurinë kibernetike; lidershipin e Shqipërisë në KS dhe kontributin në Këshillin e të Drejtave të Njeriut; luftën kundër terrorizmit".

Gjithashtu pjesë e diskutimeve në këtë takim mes Nikollës dhe Kim kanë qenë zhvillimet në Veri të Kosovës dhe nevojën e ndërhyrjes se komunitetit euro-atlantik për depërshkallëzimin e situatës, duke e konsideruar dialogun Kosovë-Sërbi si e vetmja rrugë për garantimin e paqes. Ndërkaq u diskutua edhe lidershipi i Shqipërisë në Procesin e Berlinit dhe kontributin si një faktor për zhvillimin, integrimin dhe stabilitetin rajonal; kontributin e Kuvendit për garantimin e legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesit të integrimit evropian etj".

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?