Mbyllet kopshti privat 'stinët' në Tiranë, prindërit denoncuan se vajza e tyre u dhunua

7 Nëntor 2023, 12:53| Përditesimi: 7 Nëntor 2023, 15:52

  • Share

1699358074_page.jpg

Pas historisë së dhimbshme dhe të mistershme të 3-vjeçares që theu këmbën teksa prindërit e kishin çuar në kopsht, Ministria e Arsimit reagoi duke zbuluar një fakt edhe më të rëndë, se kopshti “Stinët” është i pa licencuar, pra e ushtron veprimtarinë e tij në paligjshmëri. Vetëm pas denoncimit të prindërve dhe bërjes së rastit publik, kopshti është mbyllur.

Njoftimi 

MAS ka ngritur menjëherë Task-Forcën institucionale për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe policinë e shtetit.

Ministria e Arsimit dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve.

Pas transmetimit të ngjarjes së rëndë në emisionin “Stop” në Tv Klan, Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake marrjen e masave për mbylljen e menjëherëshme të kopshtit “Stinët”, pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licensuar si institucion arsimor parauniversitar privat, në zbatim të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoriatet, do të ngrenë Task-Forcën për kontrollin e plotë në territor për subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që  institucionet arsimore, publike apo private, të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e të drejtave themelore të tyre dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë. Ministria e Arsimit do të jetë e vendosur në luftën kundër dhunës në ambientet arsimore për të siguruar që fëmijët tanë të rriten në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur.


Lajmi kryesor:

Tiranë/ Vajza 3-vjeçare thyen këmbën në kopshtin privat dhe u dhunua! Nisin hetimet, shoqërohet edukatorja! Pezullohen 3 efektivë! Zbardhet dëshmia


S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?