Albin Kurti

Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve në veri u imponua nga fushata kërcënuese e Beogradit

24 Prill 2023, 10:49| Përditesimi: 24 Prill 2023, 12:40

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia atribuoi daljen e ulët në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri, atmosferës “së frikësimit dhe shantazhit”. Më 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, vetëm 3.47 për qind nga mbi 45.000 qytetarë me të drejtë vote, votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e dy asambleve komunale.

Zgjedhjet, në masë të madhe, u bojkotuan nga popullsia serbe, që është shumicë në këtë pjesë të Kosovës.

“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, shkroi Kurti në Facebook.

Në zgjedhjet e 23 prillit nuk mori pjesë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila bëri thirrje për bojkotimin e procesit zgjedhor.

Prej vitit 2013 kur është formuar, Lista Serbe ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb, në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës. Por, vëzhgues ndërkombëtarë kanë konstatuar vazhdimisht se votuesve u është bërë presion nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, ka fituar garat për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Ndërkaq, në Zveçan dhe Zubin Potok kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Përfaqësuesit e Listës Serbe pas publikimit të rezultateve preliminare, deklaruan se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje. Por, Kurti premtoi mbështetjen e ekzekutivit për të kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur të dielën.

“Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë”, shkroi Kurti.


Lajmi kryesor:

Vetëvendosja dhe PDK ndajnë pushtetin e veriut të Kosovës, Kurti dhe Osmani: Serbët bojkotuan se u kërcënuan! BE: Nuk ofrohet zgjidhje afatgjatë


K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?