Vetëvendosja dhe PDK ndajnë pushtetin e veriut të Kosovës, Kurti dhe Osmani: Serbët bojkotuan se u kërcënuan! BE: Nuk ofrohet zgjidhje afatgjatë

24 Prill 2023, 12:37| Përditesimi: 24 Prill 2023, 16:55

  • Share

KOSOVË- Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK ndanë dje pushtet në veri të Kosovës duke fituar nga 2 komuna. Sidoqoftë, në veri të Kosovës nuk pati një pjesëmarrje të madhe për shkak se u bojkotuan nga serbët. Pikërisht këtë bojkot, kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, shprehen se serbët kanë qenë të presionuar për të bojkotuar zgjedhjet. Dy krerët e shtetit të Kosovës shprehen se serbët patën kërcënime, e si rrjedhojë refuzuan të marrin pjesë në zgjedhje. Ende nuk ka një reagim nga Presidenti Aleksandër Vuçiç ndërsa drejtori i së ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën’, Petar Petkoviç i ka cilësuar si antidemokratike.

Përkatësisht, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviç ndërsa në Zubin Potokun dhe Zveçanin qytetarët ja kanë ‘besuar’ PDK-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës u mbyll me 1.567 votues, pra me vetëm 3.47% të trupit votues.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Bashkimi Europian ka theksuar se procesi zgjedhor kishte qenë i rregullt por nuk ofrohet zgjidhje afatgjatë politike dhe për këtë arsye duhet të ketë një dialog gjithpërfshirës që të finalizohet me formimin e Asociacionit. Ndërsa në një reagim të bërë për mediat, përfaqësuesit e OSBE-ODIHR në Kosovë u shprehën se duhet të merren parasysh interesat e të gjithë komuniteteve që jetojnë në veri të Kosovës. 

Zgjedhjet morën bekimin e SHBA-ve, ndërsa shprehën keqardhje për mospjesëmarrjen e qytetarëve serb në zgjedhje.

Ora 15:17
OSBE pas zgjedhjeve në veri të Kosovës: Të merren parasysh interesat e gjithë komuniteteve

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka reaguar pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në veri të Kosovës, duke u shprehur se duhen marrë parasysh të drejtat dhe interesat e të gjithë komuniteteve që jetojnë në 4 komunat veriore të vendit.

Jeff Bieley, shef për çështje politike dhe për komunikim në misionin e OSBE-së në Kosovë, ka komentuar për Radion Evropa e Lirë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetarët e komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

“Do të ishte e preferueshme që të gjitha komunitetet të merrnin pjesë plotësisht, si kandidatët ashtu edhe votuesit”, tha Bieley.

Por mes të tjersash, ai theksoi se ishte i rëndësishëm fakti që pavarësisht dallimeve politike për mbajtjen e zgjedhjeve, nuk pati asnjë tentativë për të prishur këtë proces.

Ora 13:56
Vuçiç: Ndryshime tektonike në veri të Kosovës, regjimi i Kurtit ka dështuar

1680452349_Screenshot3.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, "kanë ndodhur ndryshime tektonike".

“Dje populli serb tregoi se kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash nga bashkësia ndërkombëtare, dhe para së gjithash po i referohem fuqive perëndimore”, tha Vuçiq për gazetarët më 24 prill.

Ai tha po ashtu se zgjedhjet paraqesin “dështim të regjimit të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.

“Nën një, [zgjedhjet e 23 prillit] janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it”, deklaroi Vuçiq, duke iu referuar grupit të shteteve ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Nën dy, ky është një rezultat historik sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”.

Ora 12:49
Zgjedhjet në veri të Kosovës, BE: Nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë politike, të finalizohet asociacioni

1682333500_sa.JPG

Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me zgjedhjet në katër komunat veriore gjatë ditës së djeshme.

BE-ja ka vlerësuar se zgjedhjet kanë qenë në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Megjithatë, kanë shprehur shqetësim pasi dalja ishte tepër e ulët.

“Bashkimi Evropian ka marrë parasysh katër zgjedhjet e djeshme për kryetar komune dhe dy zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale në komunat e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut. BE-ja pranon se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje”, thuhet në komunikatë, raporton gazeta Nacionale.

Në këtë reagim, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të finalizohet sa më shpejt që është e mundur.

“Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht. Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen. Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht e angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre”, thuhet në komunikatë.

“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, specifikohet më tutje.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për dialog serioz, në mënyrë që serbët të kthehen në polici e gjyqësi në veri.

 “Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre. Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për të arritur këtë objektiv. BE-ja mirëpret profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të saj për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet”, ka përfunduar komunikata për media e Bashkimit Evropian.

SHBA-ja ka thënë se zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës si dhe për asamble komunale në dy komuna në veri, janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetutuese dhe ligjore të Kosovës.

Nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë është thënë se përkrahin “një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë”.

“Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës të cilës i shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërisë demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhore të Kosovës për t’i vënë në dispozicion vendvotimet për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Po ashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizimin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX) dhe KFOR-it për sigurimin e një mjedisi të sigurtë për zgjedhjet”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ora 12:22
Vetëvendosja dhe PDK ndajnë pushtetin e veriut të Kosovës, Osmani: Serbët e bojkotuan se u kërcënuan nga strukturat kriminale

1682331809_091220212096843912211.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Osmani ka thënë se serbët e Kosovës u kërcënuan e shantazhuan për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e veriut.

“Përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgatitjet e bëra, të cilat mundësuan realizimin e procesit të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Falënderoj poashtu të gjitha institucionet e sigurisë për punën profesionale, të cilat siguruan një ambient të qetë e të sigurt përgjatë procesit zgjedhor, i cili ishte shtyrë nga dhjetori 2022 për në prill 2023.

Instituionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës.

Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serb të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal.

Ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar.

Republika e Kosovës ka shprehur zotimin e saj në Samitin për Demokraci, të organizuar nën përkujdesin e Presidentit Biden, për të qëndruar përkrah me shtetet demokratike për ta luftuar dukurinë në rritje të ndërhyrjes nga jashtë në procese zgjedhore.

Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin zbatues.

Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, veprim ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare.

Institucionet e Kosovës do t`i shtojnë përpjekjet dhe do t’i qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, në mënyrë që të mbrohen nga kërcënimet e strukturave ilegale.

Institucionet e Kosovës poashtu do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjik për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë, të cilat janë edhe në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të Brukselit.

Jemi të vendosur që së bashku me qytetarët e këtyre komunave të punojmë për kushte gjithnjë e më të mira jetese, më shumë demokraci dhe mirëqenie në secilën lagje të secilës komunë.”- tha Osmani

Ora 10:49
Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve në veri u imponua nga fushata kërcënuese e Beogradit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia atribuoi daljen e ulët në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri, atmosferës “së frikësimit dhe shantazhit”. Më 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, vetëm 3.47 për qind nga mbi 45.000 qytetarë me të drejtë vote, votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e dy asambleve komunale.

Zgjedhjet, në masë të madhe, u bojkotuan nga popullsia serbe, që është shumicë në këtë pjesë të Kosovës.

“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, shkroi Kurti në Facebook.

Në zgjedhjet e 23 prillit nuk mori pjesë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila bëri thirrje për bojkotimin e procesit zgjedhor.

Prej vitit 2013 kur është formuar, Lista Serbe ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb, në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës. Por, vëzhgues ndërkombëtarë kanë konstatuar vazhdimisht se votuesve u është bërë presion nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, ka fituar garat për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Ndërkaq, në Zveçan dhe Zubin Potok kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Përfaqësuesit e Listës Serbe pas publikimit të rezultateve preliminare, deklaruan se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje. Por, Kurti premtoi mbështetjen e ekzekutivit për të kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur të dielën.

“Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë”, shkroi Kurti.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbëri: 24/04/2023 16:52

    T’ia rruq Kurtit o fashist serborus ti së bashku më Edvin shkjaun shqipfolës…!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?