Komisionet ‘OK’ buxhetit e paketës fiskale 2024/ Veprimtaria pranon kërkesën e MIE për shtim buxheti me 6 mld lekë! Qeveria s'tërhiqet nga rritja e taksës së karbonit

23 Nëntor 2023, 11:53| Përditesimi: 23 Nëntor 2023, 15:18

  • Share

Tre komisione parlamentare ai i Sigurisë, i Çështjeve Evropiane dhe i Veprimtarisë miratuan projektbuxhetin e vitit 2024 si dhe paketën fiskale.

Paketa fiskale është miratuar pa asnjë ndryshim nga komisionet, pavarësisht se bizneset janë shprehur kundër rritjes së taksës së karbonit për qymyrin, kërkesë e mbështetur edhe nga Komisioni i Ekonomisë që kërkoj shtyrje të këtij projektligji.

Por Ministria e Financave tha se nuk do të ketë ndryshime, pasi ndryshimi është në përputhje me direktivat e BE-së.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, ka miratuar projektligjin e buxhetit, me disa ndryshime, ku shtohet me 6 miliardë lekë buxheti për Ministrinë e Infrastrukturës. Po ashtu 400 milionë lekë ulen nga buxheti i bujqësisë dhe i kalojnë bashkive për kullimin dhe ujitjen.

“Kemi shprehur dakordësi për këto kërkesa. Këto ndryshime të pranuara nga Veprimtaria do t'i kalojnë Komisionit të Ekonomisë për vendimin final.”

Buxheti është miratuar edhe nga Komisioni i Edukimit dhe i Shëndetësisë. Tashmë pritet edhe votimi nga Komisioni i Ligjeve dhe i Ekonomisë që është përgjegjës. 

Komisioni i Veprimtarisë miratoi pa ndryshime edhe 3 projektligje të paketës fiskale, projektligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë, projektligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.

Ndërsa projektligji për taksat kombëtare ka pasur kundërshtime nga bizneset por edhe Komisioni i Ekonomisë ka kërkuar të shtyhet vendimi për të rritur në mënyrë progresive të taksës. Por ministria e Financave tha se i qëndron propozimit fillestar pasi është në përputhje me direktivat e BE-së, dhe i shërben objektivit për të ulur emetimin e karbonit.

Pas këtij qëndrimi komisioni i veprimtarisë e votoi pa ndryshime këtë projektligj që rrit në mënyrë progresive taksën e karbonit për qymyrin.

Projektbuxheti prej 7 miliardë euro dhe paketa fiskale është planifikuar të miratohen përfundimisht në kuvend më 7 dhjetor 2023.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?