Një gol në minutën e 6 dhe një tjetër në të 87-ën i ka dhënë kualifikimin historik Teutës në turin e dytë eliminator të Europa League. Skuadra shqiptare e drejtuar nga Edi Martini ka mposhtur pastër 2-0 në 'Niko Dovana' izraelitët e Beitar Jerusalem.
Pak çaste pasi nisi ndeshja, sulmuesi Krasniqi gjeti momentin e duhur për të dërguar në rrjetë një kros nga e majta, duke zhbllokuar shifrat. Teuta në vijim ishte e aftë të ruante rezultatin dhe në disa raste të dilte në kundërsulm të shpejtë, por duhet të vinte minuta e 87 për të dyfishuar shifrat. Autori i golit në këtë rast ishte sulmuesi tjetër Rubin Hebaj.
Tani Teuta do të marrë pjesë në turin e dytë të Europa League, ndërsa aventura e Beitar ndërpritet këtu. Si pjesmarrëse në turin e dytë Teuta do të fitojë edhe një shifër të konsiderueshme nga UEFA. Duke përfshirë edhe pjesmarrjen në turin e parë shpërblimi shkon në 500 mijë euro.
Lajmi kryesor:
Historike! Triumfojnë skuadrat shqiptare në Kupat e Europës! Kualifikohen në turin e dytë Kukësi, Laçi dhe Teuta
//ReportTv.al