Hiqet tatim-fitimi për bizneset e vogla, fasha e re e TVSH-së deri në 8 mln lekë

15 Korrik 2020, 19:31| Përditesimi: 15 Korrik 2020, 20:22

  • Share

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë heqjen e Tatimit mbi Fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë, deri në vitin 2029. Ky vendim do të hy në fuqi më 1 janar 2021, dhe nga kjo datë të gjitha bizneset nuk do të paguajnë këtë tarifë.

Po ashtu në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, është vendosur edhe pragu i ri i TVSH-së, që do të jetë 8 milionë lekë.

Deri më tani bizneset që kanë qenë subjekte të TVSH-së ishin ata që kalonin xhiron vjetore deri në 2 milionë lekë, ndërsa tashmë ky prag rritet deri në 8 milionë qarkullim vjetor.

Këto dy lehtësira që janë marrë në kohë pandemie pritet të mbështesin biznesin e vogël për tu rimëkëmbur, edhe pse kritikët pohojnë që fashat dhe diferencime të tilla lënë hapësira për evazion fiskal. 

Ndërkohë edhe FMN është shprehu kundër këtyre nismave. Heqja e TVSH-së dhe e tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël do të gërryejnë bazën tatimore si dhe do të reduktojnë të ardhurat në buxhet. Në këtë konkluzion ka dalë Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili kundërshton ndërmarrjen e një hapi të tillë kaq afatgjatë, dhe sipas saj duhet treguar kujdes me përcaktimin e pragjeve tatimore.

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Në pikën 1, të nenit 16, “Fusha e veprimit të tatimit mbi fitimin”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Në shkronjën “a”, fjalët “… dhe që janë të regjistruar për TVSH-në …” zëvendësohen me“… me të ardhura mbi 8 000 000 lekë në vit …”.

2. Në shkronjën “c” hiqen fjalët “… kur ky është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar…”.

Neni 2

Pika 1, e nenit 28, “Shkalla tatimore”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Shkalla e tatimit mbi fitimin është:

• 0% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit.

• 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit.”.

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?