Situata nga COVID-19/ Fiskalizimi shtyhet sërish, nis në janar të 2021

15 Korrik 2020, 19:35| Përditesimi: 15 Korrik 2020, 19:36

  • Share

Procesi i zbatimit të sistemit të fiskalizimit, i cili pritej të fillonte gradualisht në shtator 2020  është shtyrë për në 2021. E parashikuar të niste më janar 2020, me kërkesë të bizneseve për shkak të kohës së paktë që kishin në dispozicion, fiskalizimi u shty për në mars 2020, ndërsa u shty sërish për shkak të pandemisë në 1 shtator 2020. Sot me vendim të qeverisë është shtyrë sërish për në 2021.

Fiskalizimi është një proces që do të ndryshonte tërësisht mënyrën se si bizneset e bëjnë procesin e faturimit dhe do i detyronte bizneset të përshtateshin me teknologjinë e re ku gjithçka të kalonte online.

Sipas vendimit të qeverisë për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021, ndërsa për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.

Më 1 shtator 2021 fiskalizimi do të nis për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.87/2019, “PËR FATURËN DHE SISTEMIN E MONITORIMIT TË QARKULLIMIT””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

P R O J E K T L I GJ PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.87/2019, “PËR FATURËN DHE SISTEMIN E MONITORIMIT TË QARKULLIMIT”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Pika 2, e nenit 48, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Përjashtimisht pikës 1, të këtij neni, në varësi të llojit të transaksionit, ky ligj i fillon efektet sipas grafikut të përcaktuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike.

a) Për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021.

b) Për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.

c) Për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.”.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?