Alban Bushi

Fitorja në shtëpi, Alban Bushi: Shqipëria shkon në Europian, kalon edhe grupet

13 Shtator 2023, 10:58| Përditesimi: 13 Shtator 2023, 11:08

  • Share

Kombëtarja U-21 e Shqipërisë fitoi 3-2 kundër moshatarëve të Rumanisë në "Elbasan Arena", duke marrë vendin e parë në grupin E kualifikues të Europianit 2025 për këtë grupmoshë.

Cristian Shpendi, Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti përmbysën rumunët, në një ndeshje që në fillimin e pjesës së dytë shkoi 0-2 për miqtë. Për përmbysjen e madhe dhe dy fitoret në një javë që sollën vendin e parë në grup, trajneri Alban Bushi për "Supersport" tha se janë gati për të shkuar në Euro 2025 për U-21 si edhe të kalojnë grupet.

"Unë e kam thënë që para 3-4 viteve. Shqipëria jo vetëm që do të shkojë në Europian, por do të kalojë grupet në Europian. Ne jemi më brenda dhe e njohim më mirë situatën. Punohet shumë me ekipet kombëtare. Nga U-15 e deri lart. Unë dua t’i falenderoj të gjithë", tha Bushi.

Më pas trajneri tregoi se janë në kontakt gjithë kohën me lojtarët, për t'i mbajtur në formë edhe kur nuk kanë ndeshje. Bushi theksoi edhe shpirtin e shqiptarit në fushë dhe rolin e tifozëve.

"Punohet jashtëzakonisht shumë me ekipet kombëtare, duke i skautuar ata, duke i parë, duke i dërguar video gjatë kohës kur jemi pushim dhe nuk kemi ndeshje. Jemi gjithmonë në kontakt me lojtarët për të arritur këtu lart. Jemi shqiptarë, kemi zemër shumë të madhe. Pavarësisht se nuk jemi Gjermania apo Franca, por kur japim zemrën në fushë, bashkë me tifozët mund të bëjmë gjëra shumë të mëdha", tha 'Loku'.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?