VIDEO/ Kombëtarja vijon me supergola, U-21 ngjall Shpresat me përmbysje të ‘çmendur’ kundër Rumanisë! 5 gola në Elbasan për vendin e parë

12 Shtator 2023, 20:36| Përditesimi: 12 Shtator 2023, 20:59

  • Share

Çmenduri, pesë gola, spektakël dhe përmbysje në “Elbasan Arena”. Kombëtarja U-21 e Shqipërisë fitoi 3-2 kundër moshatarëve të Rumanisë, duke marrë vendin e parë në grupin E kualifikues të Europianit 2025 për këtë grupmoshë. Pas dy ndeshjeve të para, djemtë e Alban Bushit kanë gjashtë pikë të plota, teksa meritojnë komplimentet për shpirtin e garës që treguan pasditen e kësaj të marte në Elbasan.

Ndeshja do niste e ekuilibruar, me kuqezinjtë që nuk rrezikuan dhe e mbyllën pjesën e parë në barazim pa gola. Fraksioni i dytë i lojës do befasonte tanët, me rumunët që shënuan dy gola të shpejtë me Grameni dhe Munteanu në minutat 47 dhe 58, për të nxehur kuqezinjtë.

Kur u duk se miqtë kishin lojën në kontroll, Cristian Shpendi në të 63 minutë rihapi ndeshjen për tanët. Për barazimin momental mendoi Medon Berisha në minutën e 71. Lojtari i Fulham lëshoi një “silurë” nga 30 metra, me sferën që përshëndeti rrjetën.

Nëse miqtë menduan se do dilnin me pikë, Stiven Shpendi në minutën e 88-të asistoi për Adrion Pajazitin, që me një të djathtë të ëmbël i dha tri pikë dhe festën e merituar me përmbysje tanëve.

Tanimë me gjashtë pikë, Shqipëria mban vendin e parë në grup, teksa ka fituar me Armeninë në transfertë dhe Rumaninë në shtëpi. Zvicra dhe Mali i Zi ndajnë vendet dy dhe tre me nga tri pikë dhe një ndeshje më pak.

Formacioni i Shqipërisë: Klidman Lilo, Behar Ismaili, Ermis Selimaj, Adrian Bajrami, Ajdi Dajko, Arda Kurtulan, Medon Berisha, Arlind Rexhepi, Adrion Pajaziti, Stiven Shpendi, Geralb Smajli.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?