Bie bora e parë në veri, 'zbardhen' Kukësi, Hasi e Tropoja (VIDEO)

30 Nëntor 2020, 09:16| Përditesimi: 30 Nëntor 2020, 18:30

  • Share

Dimri në Kukës, Has e Tropojë  ka "trokitur" sot zyrtarisht. Ndryshimi i temperaturave ka shkaktuar reshjet e para të borës në zonat e larta malore në lartesitë 400 m mbi nivelin e detit.

Lartësia e borës është 1-4 cm. Si rrjedhojë mali i Gjalicës dhe  i Koretnikut u zbardhën nga dëbora. Reshjet kanë përfshirë edhe fshatrat e zonës së Shishtavecit.

Reshje bore ka edhe në shpatet malore të segmentit Fushë-Dugagjin të Rrugës së Kombit, e cila nuk paraqet probleme në lëvizjen e automjeteve pasi bora nuk ka krijuar shtresë.

Po kështu është zbardhur dhe mali i Hasit e rrugët nacionale ku lëvizja në këto akse dhe ato bashkiake deri në këto momente, nuk paraqet probleme. 

Akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht në të gjithë Qarkun Kukës. 

Mjetet dhe forcat janë në gatishmëri, për përballimin e situatave të mundshme nga firmat kontraktore që kanë në performance rrugët nacionale të Qarkut Kukës.

Nga informacionet e marra nga përgjegjësit e Emergjencave Civile të bashkive të qarkut deri tani nuk ka probleme. 

Policia Rrugore, iu bën apel qytetarëve që të jenë të pajisur me goma dimërore, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore.

Reshjet e para të borës janë regjistruar  edhe në Kosovë . Reshje bore ka në Brezovicë, Sharr të Prizrenit.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?