Afera ‘Partizani’, Berisha kërkon ndihmën e partisë për veten e dhëndrin: Tani është koha për betejë

25 Tetor 2023, 13:29| Përditesimi: 25 Tetor 2023, 13:56

  • Share

Betejën me SPAK që e ka vënë në hetim për korrupsion, Sali Berisha që deri më tani ka refuzuar gjykatën, tha qartë se nuk do ta bëjë i vetëm, por duket se do të përdorë si mburojë ata që e mbështesin. Berisha mblodhi kryesinë dhe e mobilizoi për një aksion që nuk përjashton edhe skenarin e protestave, pasi sipas tij SPAK nuk ka goditur atë personalisht, por programin politik të opozitës.

“Të gjitha këto po ndodhin para syve tonë. Tani është koha për betejë! Tani është koha të ngrihemi! Tani është koha që cilido që mendon dhe beson se duhet të luftojë për demokracinë në këtë vend, për dinjitetin në këtë vend, se pa demokraci nuk ka dinjitet. Kurrë! 

Ne duhet të ngrihemi! Ne nuk mund të pranojmë… ne e nisëm këtë, askush të mos e lidhë më këtë që ndodhi. Kjo që ndodhi është dëshmi e radhës e atyre faktorëve që na detyruan të shpallim betejën pa kthim. Beteja pa kthim duhet të organizohet. Beteja pa kthim kërkon sakrifica nga çdo demokrat. Unë jam i bindur se problemet me të cilat përballen demokratët, janë shumë të dhimbshme, janë shumë të thella, janë shumë të mëdha.

Por zgjidhje tjetër nuk ka përveç mobilizimit, përveç ngritjes në këmbë, përveç betejës! Përndryshe, sa më shumë të zvarritet, aq më e thellë bëhet kriza. Aq më dëshpëruese bëhet situata. Ndaj dhe mesazhi im është ky sot: mesazhi im është të bëjmë gjithçka, të shpërndahemi në mbarë vendin në një dialog, në një emergjencë. Thashë edhe njëherë ky është kapitulli i fundit dhe këta nuk kanë fund fare se ky nuk ndalet në betejën e asgjësimit të opozitës.

Por edhe opozita nuk do ndalet kurrë në rezistencën e saj me të gjitha format për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar. Nuk ndodh kurrë në botë që të përdoret një samit kundër gjysmës tjetër të kombit. Që të përdoret një vizitë shtetërore  për të kërkuar anulimin e vizave për gjysmën tjetër të kombit. Nuk ka kurrë tradhtar të tillë që i lejojnë vetes qëndrime të tilla si Edi Rama. Ne nuk mund të rrimë më duarkryq. Kjo situatë kërkon përgjigje, besoj se biem dakord. Ndaj të shpërndahemi në një takim me bazën tonë, me këtë thirrje: Ne duhet të fillojmë betejën, parlamentarët e kanë filluar betejën. Ata do qëndrojnë në parlament, nuk e braktisin parlamentin, por do qëndrojnë aty gjer në rikthimin e të drejtave të plota të tyre", tha Berisha. 


Lajmi kryesor:

‘Partizani’/ Mbrojtja e Berishës braktis gjyqin, GJKKO i vendos avokat shtetëror! Në sulm Shkëlzen Berisha, zëvendësohet Artan Simoni! Vendimi shtyhet për nesër


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?