18 paditë e para të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor për shfuqizime ligjesh dhe vendimesh, dy çështjet ku votoi Marsida Xhaferllari (VIDEO)

30 Dhjetor 2019, 15:43| Përditesimi: 30 Dhjetor 2019, 19:19

  • Share

Gjykata Kushtetuese, gjatë muajit dhjetor të 2019, ka vendosur të rrëzojë që në seancat paraprake 18 padi për shfuqizime vendimesh dhe ligjesh. Shumica e kërkesave të rrëzuara u përkasin individëve, të cilët kërkonin shfuqizimin e disa vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatave të Apelit për çështje administrative dhe penale. Por, mes 18 padive të rrëzuara, është edhe një kërkesë e Avokaturës së Përgjithshme e Shtetit për shfuqizimin e një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë, e cila ka vendosur kthimin dhe vijimin e gjykimit në gjykatat më të ulëta të një çështje pronësie. Po ashtu, Kushtetuesja ka rrëzuar edhe një kërkesë të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila kërkonte shfuqizimin e nenit 450/1, shkronja “e”, të Kodit të Procedurës Penale. Shkronja “e” nenit 450/1 parashikon rishikimin automatik të çështjes së gjykuar në mungesë. Krimet e rënda kanë pretenduar se duhen diferencuar rastet e zhvillimit të gjykimit në mungesë pa dijeninë e të pandehurit, me rastet e gjykimit në mungesë me dijeninë e të pandehurit, i cili rezulton se i shmanget procedimit. Gjithsesi, Kushtetuesja nuk ka pranuar ta kalojë këtë padi për shqyrtim në seancë plenare. Pjesë e turpit gjykues për këtë çështje rezulton edhe Marsida Xhaferllari, e cila nuk njihet nga Kuvendi dhe mazhoranca si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Xhaferllari ka marrë pjesë edhe në rrëzimin e një tjetër padie të bërë nga një bankë e nivelit të dytë për shfuqizimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë. Nga data 16 korrik 2018 deri në muajin dhjetor, Kushtetuesja nuk kishte kuorumin e nevojshëm ligjor për formimin e trupave gjykuese për shqyrtimin paraprak të çështjeve, pasi të gjithë anëtarët e saj, me përjashtim të Vitore Tushën, ose u shkarkuan nga Vetingu ose u vetëlarguan nga frika e Vetingut. Me zgjedhjen e anëtareve Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska, Kushtetuesja arriti të formonte kuorumin për seleksionimin e çështjeve. Sipas ligjit, seleksionimi i çështjeve në seancat paraprake nëse duhet apo të kalojnë për gjykim seancë plenare bëhet me kolegje nga tre anëtarë. Ndërkaq, gjykimi në seancë plenare bëhet me kolegje me jo më pak se 6 anëtarë.

Paditë e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese në muajin dhjetor 2019

1. Kërkuese Avokatura e Përgjithshme e Shtetit: Objekti: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 00-2018-611, datë 07.02.2018 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

2. Kërkuese Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Objekti: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i nenit 450/1, shkronja “e”, të Kodit të Procedurës Penale. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.       

3. Kërkues Gëzim Toska. Objekti: Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e vendimmarrjeve të Gjykatës Administrative të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, (Kolegji Administrativ), duke sjellë si pasojë cenimin e parimit të sigurisë juridike, të standardit kushtetues të arsyetimit të vendimeve gjyqësore dhe të së drejtës së aksesit në gjykim nga një gjykatë kompetente e caktuar me ligj.  Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën i vendimeve nr.00-2018-719, datë 26.06.2018 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë; nr.12, datë 13.02.2018 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe kthimi i çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë me të njëjtin trup gjykues. Pezullimi i vendimeve deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

4.Kërkues Niko Zherdi. Objekti: Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr. 52, datë 27.01.2014 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër; nr.00-2017-2516, datë 31.10.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

5. Kërkuese Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë. Objekti: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i nenit 609, paragrafi i tretë, fjalia e fundit, të Kodit të Procedurës Civile. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

6. Kërkues Hysni Dervishi. Objekti: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2017-336, datë 07.04.2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

7. Kërkues Adriatik Myrto. Objekti: Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën i vendimeve nr. 195, datë 01.07.2003 të Gjykatës së Apelit Vlorë; nr. 00-2016- 1089, datë 28.06.2016 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

8. Kërkuese Eulanda Gashi. Objekti: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 321/1, datë 09.08.2018 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

9. Kërkues Krenar Maçi. Objekti. Rishikimin i vendimeve nr. 314, datë 23.10.1998 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; nr. 07, datë 24.04.1998 të Gjykatës së Apelit Durrës; nr. 35, datë 16.09.1998 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

10. Kërkuese Raiffeisen bank. Objekti: Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimeve nr. 437, datë 10.06.2016 të Gjykatës së Apelit Tiranë; nr. 00-2017-1363, datë 21.07.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari.           

11. Kërkues Kujtim Mëziu. Objekti: Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimeve nr. 6021, datë 11.06.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr. 1128, datë 13.05.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë; nr. 00-2016-2494, datë 23.09.2016 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

12. Kërkues Bardhyl Ibra. Objekti: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 4, datë 17.04.2018 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi). Konstatimi i cenimit të së drejtës së aksesit dhe sigurisë juridike si pasojë e mosregjistrimit të kallëzimit penal nr.207, datë 23.01.2015 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në bazë të nenit 287 të Kodit të Procedurës Penale. Konstatimi i cenimit të së drejtës së aksesit dhe sigurisë juridike nga ana e kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, si dhe kancelarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të cilët kanë marrë atributet e gjyqtarit, duke kthyer materialet pa veprime procedurale, në shkelje të detyrës së ngarkuar me ligj. Detyrimi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për përshpejtimin e procedurave ligjore për regjistrimin e veprës penale, në bazë të nenit 287/1 të Kodit të Procedurës Penale, në regjistrin përkatës të regjistrimit të veprave penale të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm dhe vazhdimi i gjithë procedurave ligjore. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

13. Kërkues Dilaver Shira. Objekti: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 00-2015-1601 (251), datë 13.05.2015 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

14. Kërkues Ilir Malindi. Objekti: Interpretimi i neneve 179, 442, 443 dhe 444 të Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, të shprehura në ligjin nr. 8116, datë 29.02.1996, i përditësuar në raport me dispozitat e ligjit nr. 44/2015 të Kodit të Procedurës Administrative të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i ligjit nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i përditësuar,  konkretisht, nenet 7, 13, 25, 34 dhe 44. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

15. Kërkues Shefqet Mata. Objekti: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 00-2017-1459, datë 19.09.2017 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë (dhomë këshillimi). Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

16. Kërkues Xhezmi Skënderaj. Objekti: Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën i vendimeve nr. 3010, datë 03.12.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr. 1019, datë 21.05.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë; nr. 00-2016-1143, datë 28.06.2016 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

17.  Kërkues Kristaq Minga. Objekti: Konstatimi i cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 420, datë 08.09.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë. Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 4673 (86-2018-5268), datë 20.12.2018 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

18. Kërkues Bashkim Kllogjri. Objekti: Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën i vendimeve nr. 00-2013-913, datë 04.07.2013 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; nr. 395, datë 11.04.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë; nr. 1159, datë 14.07.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kthimi për hetim të plotë, objektiv dhe të gjithanshëm i çështjes nr. 1394/2007, duke vendosur regjistrimin e procedimit penal për veprat penale të parashikuara nga nenet 25, 143 dhe 186 të Kodit Penal në ngarkim të personave I.Ç. dhe R. S. Nuk kalon për shqyrtim në seancë plenare, trupa gjykuese Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?