Alexis Hupin

Zyrtari i BE-së në Tiranë: Shqipëria nuk ka rënë pre e dezinformimit të Kremlinit rreth luftës në Ukrainë

2 Gusht 2022, 19:50| Përditesimi: 2 Gusht 2022, 19:53

  • Share

Agresioni rus në Ukrainë është pasuar nga një valë e gjerë lajmesh të rreme në media sociale dhe llogari të ndryshme në aplikacione me shumë ndjekës, si pjesë e propagandës së Kremlinit.

I ngarkuari me punë i BE në Tiranë tha për Zërin e Amerikës, se dezinformimi që e lidh krizën energjitike dhe atë të ushqimeve me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, nuk po gjen terren në Shqipëri. Po ashtu edhe gazetarë e analistë vërejnë me shqetësim, se lufta në Ukrainë po shoqërohet me një betejë në mediume të ndryshme në internet.

Agresioni rus në Ukrainë po shoqërohet me një përpjekje të shtuar të Kremlinit, për të zgjeruar keqinformimin dhe propagandën përmes medias sociale dhe llogarive të rreme në aplikacione të ndryshme më shumë ndjekës. Kjo ka nxitur përfaqësues të BE, të rrisin përpjekjet për t’ju kundërvënë këtij dezinformimi. Përmes një portali të posaçëm të ballafaqohen të pavërtetat me të vërtetat rreth agresionit rus në Ukrainë, luftës që po zhvillohet që prej shkurtit të këtij viti dhe ndikimit të saj në tregjet ekonomike.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës i ngarkuari me punë i delegecionit të BE në Shqipëri Alexis Hupin thotë se në lidhje me këto dezinformime po monitorohet nga afër edhe situata në Shqipëri dhe konstatohet se ato nuk po depërtojnë. Diplomati i Brukselit thotë se kjo me shumë gjasa vjen nga fakti, se vendi ka një orientim euro-atlantik, që siç thotë ai, e bën publikun dhe median të qëndrueshme dhe elastike ndaj dezinformimit që tenton të përhapet në vend.

“Jemi dëshmitarë të rezistencës, për të mos rënë në kurthin e dezinformimit dhe veçanërisht në dritën e situatës së vështirë që po jetojnë njerëzit me rritjen e çmimeve të energjisë, por edhe me rritjen e çmimeve të ushqimeve. Ka një tendencë për të rënë pre e dezinformimeve dhe me këtë dua të them, që bëhet një lidhje mes rritjes së çmimeve dhe sanksioneve kundër Rusisë. Ne e dimë me siguri se nuk ka lidhje mes sanksioneve dhe rritjes së çmimeve. Në të vërtetë, sanksionet janë hartuar me shumë kujdes, që të mos prekin ushqimet apo plehrat kimike, por ekziston një përpjekje nga disa për ta përhapur këtë dezinformim. Ndërsa ky dezinformim po fiton terren në pjesë të tjera të botës, ajo çka shohim për momentin në Shqipëri është një rezistencë e mirë, dhe ne sigurisht shpresojmë që të vazhdojë të jetë kështu në lidhje me çështjen specifike të luftës kundër Ukrainës", – tha  i ngarkuari me punë i BE në Shqipëri.

Zyrtari i delegacionit të BE në Shqipëri thotë, se dezinformimi ka patur një ndikim të madh në vende të tjera të botës, veçanërisht në Azi dhe Afrikën e Veriut, lidhur me qasjen në ushqime, si pasojë e narrativës në shumë nga këto vende se rritja e çmimeve dhe mungesa e ushqimeve kanë ardhur nga sanksionet. Verifikues të fakteve në Shqipëri konstatojnë, se lufta në terren pas agresionit rus në Ukrainë, po shoqërohet me një betejë edhe në median sociale, mes të pavërtetave që prodhohen nga qeveria ruse dhe lajmeve të vërteta që vijnë nga burime të besueshme që verifikojnë faktet. Përmes llogarive të rreme në aplikacione të ndryshme këto të pavërteta shpërndahen me shpejtësi duke krijuar paqartësi dhe ndasi në opinion. Faktoje.al pjesë e rrjetit ndërkombëtar për verifikimin e fakteve ka evidentuar disa prej tyre si pjesë të propagandës ruse.

 

 

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?