Një ndër çështjet thelbësore të Procesit të Berlinit, sipas tij, është të ofrojë mbështetje në këtë kontekst. Intensifikimi i bashkëpunimit politik dhe atij ekonomik në rajon i ka dhënë një dinamikë të re përafrimit me bllokun dhe do të sjellë rritje të mirëqenies për popullsinë. Zyrtari i lartë gjerman vëren se në sektorët e zhvillimit të infrastrukturës, tregtisë, shkëmbimeve rinore dhe bashkëpunimit shkencor është arritur progres i rëndësishëm.
Ne jemi të gatshëm të japim më shumë mbështetje, thotë ai. Ministri i Jashtëm Federal, Sigmar Gabriel, bëri të ditur në maj intensifikimin e angazhimit gjerman. Por, ne mund vetëm të mbështesim, shton Hellbach. Transformimi i shtetit, shoqërisë dhe ekonomisë, që është parakusht për përafrimin me BE-në dhe njëkohësisht edhe për më shumë mirëqenie, duhet të realizohet nga politika shqiptare.
Për këtë qëllim, nevojiten reforma të qëndrueshme, të realizuara me seriozitet, ku një vlerë veçanërisht të konsiderueshme kanë konsolidimi i shtetit ligjor, qeverisja e mirë dhe lufta kundër korrupsionit. Shpresat në Berlin, nga sa shpjegon Hellbach, janë që qytetarët të ndjejnë një progres konkret edhe në këto aspekte. Kriteret për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit janë të njohura, sqaron ai. Tani është në dorën e Shqipërisë që të arrijë progresin e kërkuar në 5 prioritetet kyçe.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com