Simone Inzaghi

Zyrtare/ Interi dhe Simone Inzaghi së bashku deri në vitin 2025

5 Shtator 2023, 12:26
  • Share

Tashmë është zyrtare, Simone Inzaghi ka zgjatur me një vit marrëveshjen me Interin, teksa ka ardhur firma për rinovimin e kontratës së trajnerit deri në vitin 2025.

Marrëveshja mes palëve u arrit javët e fundit dhe u komunikua mëngjesin e sotëm nga klubi zikaltër, dy ditë pas fitores me Fiorentinën, që e sheh skuadrën zikaltër në krye të renditjes së Serie A (së bashku me Milanin, kundërshtari i radhës në rinisjen e ligës pas pushimit ndërkombëtar) me 9 pikë, rezultat i tri fitoreve ndaj Monzas, Cagliarit dhe Fiorentinës, me tetë gola të shënuar dhe zero të pësuar.

Për trajnerin zikaltër një pagë 5.5 milionë euro në sezon si pjesë fikse, së cilës duhet t'i shtohen edhe bonuset në bazë të rezultateve të arritura. Në dy sezonet e para te Interi, Inzaghi fitoi 4 trofe (dy Kupa Italie dhe dy Superkupa Italie), duke i çuar të tijtë në finalen e Champions League qershorin e kaluar në Stamboll kundër Manchester Cityt.

"Internazionale Milano është i lumtur të njoftojë rinovimin e kontratës së trajnerit Simone Inzaghi. Falë marrëveshjes së re, trajneri do të jetë në krye të zikaltërve deri në vitin 2025", njofton Interi.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?