Zviceranët 6 mln euro për shkollat e
ekselencës, ja nxënësit që përfitojnë

27 Shkurt 2016, 11:26| Përditesimi:

  • Share
Eshtë prezantuar në Vlorë projekti “Aftësi për Punë” që ‘Swisscontact’, me mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane, do të zbatojë për transformimin 5 shkollave dhe qendrave të formimit profesional në rrethet Vlorë, Berat dhe Lezhë, në shkolla ekselence dhe qendra multifunksionale. Të pranishëm në këtë takim ishin ministri Blendi Klosi, zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës Zvicerane në Tiranë, kreu i Këshillit të Qarkut Vlorë, si dhe drejtues të shkollave profesionale, zyrave të Punës dhe grupe interesi nga rrethet në të cilat do të zbatohet ky projekt. 
 
Në fjalën e tij në mbyllje të këtij takimi, ministri Blendi Klosi vlerësoi ndihmë zvicerane për të mbështetur reformimin e Arsimit dhe Formimit Profesional në vendin tonë dhe për ta kthyer atë në një mundësi reale që garanton punësim për zonat ku dhe do të zbatohet.
 
“Të gjithë ofruesit e arsimit dhe formimit profesional këtu në Vlorë, shkolla profesionale ‘Pavarësia’, Shkolla Tregtare dhe Qendra e Formimit Profesional, shkolla ‘Kolin Gjoka’ në Lezhë dhe shkolla ‘Kristo Isak’ në Berat, pra në total 4 shkolla pritet të kthehen në qendra ekselence. Gjithashtu, një qendër e formimit profesional do kthehet në qendër multifunksionale. Të paktën 4200 nxënës dhe kursantë do të kenë mundësi më shumë për punë falë një menaxhimi më të mirë të shkollave, përmirësimit të ofertës dhe përfshirjes të sektorit provat në arsimin dhe formimin profesional, si dhe forcimit të bashkëpunimit punëdhënës dhe punëkërkues në tregun e punës”, - bëri të ditur ministri i MSR-së, Blendi Klosi.
 
Swisscontact

Ai kërkoi gjithashtu nga të gjithë aktorët në këtë proces, partnerët zviceranë, pushteti vendor dhe institucionet e arsimit profesional në qendër dhe në bazë në këto tri rrethe, një bashkëpunim konkret dhe të shpejtë, në mënyrë që projekti të nisë nga zbatimi në terren brenda muajit maj, në mënyrë që këto shkolla të jenë gati për sezonin e ri arsimor në muajin shtator.
 
Që nga sot, presim në nivelin teknik nën drejtimin e ‘Swisscontakt’, që të punohet shumë fort për të bërë përgatitjen e projektit dhe mbështetjen në këto 4 shkolla. Nga cilësia e punës që të gjithë bashkë do bëni sot dhe në javët në vazhdim, do varet dhe materializimi i mbështetjes kaq bujare që na vjen nga qeveria zvicerane nëpërmjet këtij projekti. Ne kemi shumë deadline, por do shpresoja që në maj të këtij viti, ne të kishim mundësinë që së bashku me ambasadorin Graff, me përfaqësues të lart të pushtetit lokal në rrethet Vlorë, Berat dhe Lezhë, ku do bëhen këto investime, të fillojë konkretisht nga implementimi i projektit. Nëse do të humbasim kohë, atëherë do jemi jashtë parametrave që kërkohen që ky projekt të jetë i suksesshëm”, - shtoi Klosi.
 
 Në total, qeveria zvicerane nëpërmjet ‘Swisscontact’ ka parashikuar që në këtë projekt të investojë me një fond prej 6 milionë eurosh.
 
Por ky do jetë vetëm projekti i parë që MMSR dhe partnerët e saj do të nisin të zbatojnë në kuadër të këtij reformimi rrënjësor të institucioneve të arsimit dhe formimit profesional në vend. Kjo pasi siç bëri të ditur ministri Klosi, do të jenë rreth 15 shkolla dhe qendra të formimit profesional që do të shndërrohen në shkolla ekselence dhe qendra multifunksionale moderne.
 
Ne jemi tashmë në negociata të vazhdueshme me disa partnerë të ministrisë, ku realisht mbështetja austriake është gjithashtu në fazat e saj përmbyllëse dhe do të përzgjedhë tre nga shkollat tona të hoteleri-turizmit apo që ofrojnë hoteleri-turizëm, duke pasur po ashtu të njëjtën linjë për të mbështetur tri qendra multifunksionale dhe shkolla ekselence. Po ashtu, edhe me qeverinë italiane për 4 shkolla, 2 shkolla bujqësore në Lushnjë dhe Fier, shkollën ‘Hysen Çela’ në Durrës dhe një shkollë në Shkodër për profilin megatronik. Po të njëjtën mbështetje ne e kemi nga qeveria gjermane me një projekt shumë të rëndësishëm të shkollës së Kamzës, që mund të jetë një nga shkollat më të mëdha në vend. Kemi të njëjtën mundësi bashkëpunimi me qeverinë britanike”, - tha Klosi në fjalën e tij.

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?