Kronikë

Zjarri në Tunelin e Kalimashit, prefekti Kukësit për Report Tv: Po merren masa që të mos rrezikohen banesat! Mjete e zjarrfikëseve duhet të jenë në standardin e fqinjëve

10 Gusht 2021, 08:45| Përditesimi: 10 Gusht 2021, 09:18

  • Share

Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana në një prononcim për Report Tv është shprehur se situata në Tunelin e Kalimashit është vënë nën kontroll që mbrëmjen e djeshme. Ai bëri me dije se forcat zjarrfikëse e ushtarake janë ende në terren dhe po merren masa që mos të rrezikohen banesat nga flakët.

Ndërkaq, sipas tij në Kukës këto vatra zjarri janë aktivizuar për shkak të flakëve nga Mirdita ndërsa theksoi se të gjitha këto zjarre shkaktohen nga dora e njeriut. I pyetur nëse zjarrfikëset kanë kapacitete e duhura për të ndërhyrë, Kuçana tha se mjetet duhet të riparohen dhe të vendosen në dispozicion sipas standardeve që kanë vendet fqinje.

"Dje pasdite kemi pasur një moment kritik tek hyrja tunelit ku falë punës së vazhdueshme bëmë të mundur që kjo flakë  mos të arrinte poshtë tek tuneli. Gjithsesi u hapën dhe lajme të rreme që u bllokua tuneli. Kujdesi është gjë tjetër por qarkullimi nuk është ndërprerë për asnjë sekondë. Të gjithë kanë qenë në krye të detyrës, që nga kryetari i Bashkisë, Safet Gjici e drejtues të operacionit. Ka pasur një erë tepër të fuqishme, sa mendoje se ke mbaruar shpërthente vatra tjetër. Është era  e fuqishme në drejtime të ndryshme që shpërndan zjarrin. Gjithsesi ne ia dolëm mbanë mbrëmë edhe me ardhjen e mjeteve të tjera dhe u bë e mundur që ajo pjesë mos të ketë asnjë problem. Sot të gjitha edhe me mjete ajrore në njësinë administrative Malzi e në lagjen e poshtme të Leproj po merren masa që zjarri mos të shkoj në banesa. Po kështu edhe në pjesën e sipërme në Thirrëz po merren masa që mos të shkojë flakë në Surroj pasi janë disa stane dhe barinj me blegtori. Është bërë një pritë që nuk do shkojë. Zjarri erdhi nga Mirdita, kemi bashkëpunuar edhe me perfektin e Lezhës. Nuk ka zjarre të natyrës të gjitha këto janë të dorës së njeriut. Mjete duhet të riparohen duhet të jepen në standardin që kanë fqinjët tanë", tha Kuçana.


Lajmi kryesor:

Zjarret në vend, Çako nga Kukësi për Report Tv: Zjarrvëniet kriminale paguhen nga grupe të caktuara! Në Lakun e Thive rrezikohen banesat, mund të ketë evakuim, po ndërhyhet nga ajri


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?