Zjarri në depozitën e gazit, banorët e Porto Romanos sërish në protestë: Largoni fabrikën! Është minë me sahat

29 Qershor 2022, 11:15| Përditesimi: 29 Qershor 2022, 14:17

  • Share

DURRËS- Banorët e Porto Romanos janë ngritur në protestë për të dytën herë brenda pak ditëve, kundër vendosjes së depozitavë të gazit, të cilat ndodhen shumë pranë banesave të tyre.

Me pankarta në duar, qytetarët, së bashku me fëmijët e tyre i bënë thirrje instancave shtetërore të merren masa për sigurinë e jetës së tyre, që rrezikohet për shkak të ndonjë shpërthimi të mundshëm.

Këtë herë, banorët protestuan së bashku, pasi shqetësimi është i të gjithëve. Ata i tremben përsëritjes së një tjetër Gërdeci dhe i bënë apel institucioneve për largimin e depozitave, të vendosura në qendër të një zone të banuar. 

Protesta e banorëve u zhvillua në mënyrë paqësore dhe u monitorua nga afër nga efektivët e policisë, por u paralajmëruan përshkallëzime të protestave nëse nuk merren masat e duhura për largimin e depozitave të gazit.

“Ne kemi bërë grevë, para një viti kam denoncuar që kjo është fabrikë gazi, e ka shtuar fabrikën, po e shton akoma, na ngushtoi dhe rrugën dhe është në rregull ai. Kush ka vënë firmën të mbajë përgjegjësi ai. Kjo është e rrezikshme, mes banorëve është e rrezikshme”.

“Është një minë e sahat. Kjo na mbyt me sekondë, se kur plas e di vetëm kjo dhe Zoti”.

“Qeveria t’i bjerë mbrapa. Nëse shteti nuk reagon do bllokojmë objektin dhe rrugën. Protestat kenë rënë në vesh të shurdhët”, thanë banorët”

Të shtunën e dy javëve më parë, në fabrikën e gazit u regjistrua një shpërthim dhe u desh ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse për të neutralizuar flakët, sakaq banorët asokohe treguan se ky nuk ishte shpërthimi i parë i ndodhur.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?