Kronikë

Zjarrfikësit, heronjtë në 'luftën' me flakët në Vlorë, por Bashkia i ka lënë pa paga, 2 muaj që s'marrin paratë për orët shtesë! Leli pretendon se kaluan në datë 4, rrëzohet nga zjarrfikësit

6 Gusht 2021, 08:54| Përditesimi: 6 Gusht 2021, 19:36

  • Share

35 zjarrfikësit e Vlorës, të cilët po përballen me flakët prej disa ditësh, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, prej dy muajsh nuk paguhen për orët shtesë. Report TV ka mësuar se ‘heronjtë e zjarrit’, nuk janë paguar për 178 orë gatishmëri, në luftën kundër flakëve që prej dy javësh kanë përfshirë Vlorën e kanë djegur me qindra hektarë tokë, por edhe banesa e stane.

Ministria e Punëve të Brendshme i ka transferuar Bashkisë Vlorë një fond prej 35.3 milionë lekësh për Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, me synim që të përmirësohet siguria publike nëpërmjet sigurimit të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit.

Ndërsa bazuar në buxhetin e vitit 2021 të kësaj bashkie fondi i pagave për personelin ezjarrfikësit ku përfshihen komisar zjarrfikës, kryeinspektor zjarrfikës, krye-zjarrfikës, zjarrfikës, asistent zjarrfikës është mbi 33 milionë lekë. Nga fond 5.5 milionë lekë është i përcaktuar për orët shtesë dhe qëndrimin në gatishmëri, ndërsa paga mujore e një zjarrfikësi në Vlorë është 46 mijë lekë.

Për zgjidhjen e këtij problemi përfaqësues të zjarrfikëses  kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Lelin, por nuk dihet ende se çfarë është vendosur.

Për shkak të situatave me zjarret, atyre i është dashur të punojnë dyfishin e orëve, në  kushte të vështira duke rrezikuar edhe jetën, mund dhe lodhje për të cilën nuk janë shpërblyer.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për Report Tv ka pretenduar se lajmi është i pavërtetë pasi sipas tij 'pagesat për orët shtesë kanë kaluar në llogaritë e zjarrfikësve që më datë 4 gusht'.  Por burime për Report Tv nga zjarrfikësit e Vlorës rikonfirmojnë se asnjë qindarkë nuk ka kaluar për ta.

Zjarrfikësit vijojnë të përballen me flakët, pasi vatrat e zjarrit nuk janë shuar ende, ndërsa kushtet e punës kanë qenë shumë të vështira. Në shumë raste, të papajisur me veshjet e posaçme, zjarrfikësit kanë pasur 'armë' kundër zjarreve vetëm degë pemësh dhe lopata.

Por nga ana tjetër bashkia e Vlorës ka 12.7 milionë lekë të përcaktuara nga buxheti i shtetit vetëm për emergjencat nga zjarri, nga 96.6 milionë lekë që është fondi në total për qarkun e Vlorës.

Shpenzimet pë pagat e zjarrfikësve për 2021 për Bashkinë e Vlorës

 

 

(Kliko këtu) Buxheti i Bashkisë Vlorë për vitin 2021

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?