Zhupa kërkon të pezullohen punimet për Aeroportin e Vlorës: Kosto e madhe mjedisore për lagunën Vjosë-Nartë! Rrezikohet siguria aeroportuale

10 Dhjetor 2022, 11:00| Përditesimi: 10 Dhjetor 2022, 16:07

  • Share

Deputetja e PD Ina Zhupa ka kërkuar që të ndalen punimet në lagunën “Vjosë-Nartë”. Në një dalje për mediat përmend se Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve që të pezullohen punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Sipas saj, PD mbështet ndërtimin e Aeroportit të Vlorës por thotë se rrezikohet shkatërrimi i mjedisit dhe rrezikohet siguria aeroportuale në rast se vazhdohet në këtë rrugë.

“Partia Demokratike e ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme edhe publike shkeljen e ligjeve dhe konventave në procesin për ndërtimin e Aeroportit të ri të Vlorës. Ashtu siç pritej, edhe Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe rishikimin e të dhënave të Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zonën ku po ndërtohet aeroporti.

Bashkimi Europian e ka përfshirë në mënyrë të përsëritur në Progres Raportet për Shqipërinë shqetësimin. Në Progres-Raportin të Komisioni Europian shkruhet për aeroportin në zonën “Vjosë-Nartë”, se është në “konflikt me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së larmishmërisë biologjike, të cilat Shqipëria i ka ratifikuar”.

Mjedisi është një çështje thelbësore për BE-në. Nëse qeveria shqiptare vazhdon me këmbëngulje të shkelë konventat, te mos zbatoj rekomandimet e Bashkimit Europian kjo është kosto e madhe për qytetarët shqiptarë në rrugën e integrimit. Nga ana tjetër është edhe një kosto e madhe mjedisore për lagunën Vjosë-Nartë me risk të lartë edhe për vetë sigurinë aeroportuale në rast se vazhdohet në këtë rrugë.

Partia Demokratike është pro ndërtimit të një Aeroporti për Vlorën dhe e mbështet zhvillimin, por nuk mund të pranojë kurrë që të shkelen ligjet, konventat, të cënohen standardet europiane, të rrezikohesh shkatërrimi i mjedisit vetëm për një kapricio kryeministrore edhe projekte pa plane të mirëfillta. Çdo nismë në shkelje të kontratave dhe konventave europiane është atentat kundër Shqipërisë dhe integrimit”, tha Zhupa.

Sipas dokumenteve të miratuara në mbledhjen vjetore të Komitetit të mbledhur në Strazburg në takimin vjetor nga 28 nëntori deri në 2dhjetor “ kërkesa për pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës vjen për shkak të mungesës së dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?