I zhdukur para një jave, ‘Pa Gjurmë’ gjen 42-vjeçarin të aksidentuar në spital! E dinin shtetas sirian, policia mbërrin në ambjentet e Report TV

16 Shkurt 2023, 19:30| Përditesimi: 16 Shkurt 2023, 21:07

  • Share

Një javë pasi kishte humbur gjurmët gjendet gjatë transmetimit live Pjerin Shestani. 42-vjeçari doli nga banesa më datë 9 shkurt, pasi kishte lënë në gjumë nënën e moshuar. I vëllai Leonard Shesatani mbërriti me urgjencë në Report TV për të kërkuar ndihmë. Gjatë transmetimit live në emisionin ’Pa Gjurmë’ shumë prej telefonatave informonin se fotoja e një personi të fashuar në spital qarkullonte ndërkohë nëpër rrjetet sociale dhe ishte i paidentifikur nga familjarët. Stafi i ’Pa Gjurmë’ u nis menjëherë drejt spitalit të Traumës, me dyshimin se bëhej fjalë për Pjerin Shestanin, që po kërkohej nga i vëllai në program. Në spitalin e Traumës në Tiranë, ai u gjet i shtrirë në krevat, jashtë dhomave në korridorin e një pavioni të katit të dytë. Sapo video u shfaq në ekran Leonardi njohu menjëherë të vëllanë. 

’Po ky është vëllai im, ky është. Do të jetë çare rrugës. Unë kam shkuar kam kerkuar në spital dhe nuk e kam gjetur. O Zot pse ka përfunduar kështu vëllai im! Çfarë i ka ndodhur?’ përlotet në studio i vëllai

’Pa gjurmë’ zbuloi çfarë kishte ndodhur me 42-vjeçarin. Ai ishte dërguar me fraktura të rënda në trup, mëngjesin e së shtunës të datës 11 shkurt dhe prej 5 ditësh ishte i shtruar në spitalin e Traumës, ndërsa familjarët nuk kishin asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij. Ata e kishin denoncuar të humbur, më datë 9 shkurt në komisariatin nr. 2 në Tiranë. Pjerini ishte aksidentuar nga një automjet në zonës e Vaqarrit. Ishte drejtuesi i mjetit ai që njoftoi autoambulancën, e cila me urgjencë e kishte transportuar në spital. 42-vjeçari me probleme të shëndetit mendor, i pamundur për të folur fillimisht për të u dyshua se ishte një shtetas sirian. Që nga momenti kur ai, 5 ditë më parë përfundoi pa ndjenja në spital, policia e kryeqytetit ishte në kërkim të familjes për ta identifikuar. Falë publikimit në ’Pa Gjurmë’ pak para përfundimit të emisionit, në ambjentet e Report TV, mbërritën oficerë të policisë së komisariatit numër 2 për të shoqëruar të vëllain e Pjerinit drejt spitalit. Ai do të vijojë të qëndrojë ende në spital, pasi do t’i nënshtrohet një operacioni në krahun e majtë për shkak të dëmtimeve që ka marrë në momentin e aksidentit. 

O.D.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?