Foto ilustruese

Zgjerohet skema e librave falas, kategoritë që përfitojnë nga vendimi i sotëm i qeverisë

17 Qershor 2020, 14:50| Përditesimi: 17 Qershor 2020, 14:55

  • Share

TIRANE-Qeveria në mbledhjen e sotme ka vendosur që zgjerojë skemën e ndihmës me libra falas për fëmijët. Por kush përfiton? Ministrja e Arsimit Besa Shahini shprehet në një postim në Facebook se vendimi i sotëm përcakton mbulimin me libra falas të gjithë nxënësve që vijnë nga situata të brishta socio-ekonomike deri në klasën e 12-të.

Gjithashtu Shahini thekson se kësaj skeme përfituese i shtohen të gjithë nxënësit e klasave të 6-ta dhe 7-ta duke arritur në mbi 250 mijë numrin e nxënësve përfitues, ku përfshihen të gjithë nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të.

"Sapo u miratua në Këshillin e Ministrave propozimi i Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të mbuluar me libra falas të gjithë nxënësit që vijnë nga situata të brishta socio-ekonomike deri në klasën e 12-të.

Nxënësit romë dhe egjiptianë, sikurse nxënësit me aftësi të kufizuara apo nxënësit përfitues të asistencës sociale - grupe tashmë të përfshira ne skemën e librave falas - kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme. Kjo na brengos akoma më shumë tani që gjendemi në situatë pandemie.

Por, me vendimin e sotëm, në kuadër të politikave gjithëpërfshirëse arsimore, ne do të ulim më tej koston e familjeve për shkollimin e fëmijëve të tyre dhe do të përmirësojmë më tutje qasjen e nxënësve në arsim.

Kësaj skeme përfituese i shtohen të gjithë nxënësit e klasave të 6-ta dhe 7-ta duke arritur në mbi 250 mijë numrin e nxënësve përfitues (të gjithë nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të).

Përkundër presionit të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë COVID-19 që rëndon mbi buxhetin publik, politikat që sigurojnë gjithëpërfshirje në arsim i kemi mbrojtur dhe do t’i mbrojmë gjithmonë" tha Shahini.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?