Zgjerohet Katedra e
Albanologjisë në Budapest

6 Dhjetor 2013, 07:37| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Studimet e albanologjisë nëpër metropolet dhe qendrat e rëndësishme europiane janë të rralla e aq më të rralla janë katedrat albanologjike ku studiohet e mësohet gjuha shqipe, historia e popullit shqiptar, tradita, kultura, zakonet, etj. Në këtë fund vit, njëra prej katedrave albanologjike më të suksesshme mund të themi europiane është ajo e Budapestit, e cila edhe pse e themeluar rishtas, në vitin 2011, ka arritur përmes punës përkushtuese të zgjoj interesim të madh për studime albanologjike nga studentë të nivelit bachelor, pastaj atyre për master e doktoraturë. Këtyre duhet shtuar edhe studentët që vijnë me programin “Erasmus mundus” nga vende të ndryshme evropiane dhe ndjekin kurse pranë Departamentit “Albanian Studies – Katedrën e Albanologjisë”.

Katedra drejtohet nga prof. Dr. Etleva Lala, e cila këto ditë priti në një vizitë zyrtare konsullin e ambasadës së Kosovës në Budapest z. Fatmir Zajmi. Ishte vizita e parë e këtij lloji nga shteti i Kosovës. Zajmi vizitoi Departamentin “Albanian Studies – Katedrën e Albanologjisë” dhe u njoh me ambientin dhe me punën që bëhet në këtë departament. Titulli i departamentit “Albanian Studies – Katedra e Albanologjisë” tregon qartë që departamenti nuk është vetëm institucion ku studiohet vetëm gjuha shqipe, por është interdisiplinar duke u fokusuar tek historia, gjuha, tradita, zakonet, etnografia, etnologjia e kultura shqipe në Ballkanin perëndimor, veçanërisht te gjuha dhe letërsia shqiptare dhe albanologjia në përgjithësi.

Modestia e ambientit të vënë në dispozicion për Departamentin e “Albanian Studies – Katedrën e Albanologjisë” tregon për punën e shumtë që mbetet për t’u bërë, në mënyrë që të krijojmë stabilitet dhe shtrirje në universitetin e ELTE-s. Kjo varet shumë jo vetëm nga numri i studentëve – këtë vit ndjekin kurset pranë Departamentit “Albanian Studies – Katedra e Albanologjisë” 15 studentë, që mësojnë shqip dhe marrin leksione për historinë, traditën, zakonet, etnografinë, etnologjinë e kulturën e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor dhe gjuhën shqipe në veçanti, por edhe nga zgjerimi i stafit mësimdhënës në këtë drejtim, si dhe nga akreditimi i gjuhës shqipe pranë Ministrisë së Arsimit në Hungari.

     Zoti Fatmir Zajmi i shoqëruar nga prof. dr. Etleva Lala dhe prof. dr. Musa Ahmeti priten në zyrën e tij nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, prof. dr. habil. Tamás Dezső, i cili  bëri një përshkrim shumë impresionuese të Fakultetit të Shkencave Humane, duke theksuar që ky fakultet mban vendin e parë në Hungari për sa i përket vjetërsisë, madhësisë, dhe cilësisë. Ky fakultet daton që nga viti 1635 dhe është më i madhi në Hungari për sa i përket stafit akademik dhe administrativ si dhe numrit të studentëve dhe institucioneve që përmban.
 
Diskutohen projekte me Tamás Dezső dhe Ferenc Pál
Për nga cilësia, Fakulteti i Shkencave Humane drejtuar nga  prof. dr. habil Tamás Dezső kryeson tradicionalisht universitetet hungareze me vendin numër 1 në Hungari, gjë që shihet edhe në botimet e përvitshme të rankimeve në revistën “Diploma.” Ai vuri në pah se pranë këtij fakulteti janë të akredituar 64 katedra të gjuhëve të ndryshme europiane e botërore, ndër to edhe Departamenti i “Albanian Studies – Katedra e Albanologjisë.” Ai gjithashtu i kërkoi z.Zajmi të shikojë mundësinë për një bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë gjë që u theksua edhe nga zëvendës dekani dhe njëkohësisht drejtori i marrëdhënieve ndërkombëtare, prof. dr. Ferenc Pál, i cili ndër të tjera theksoi edhe rëndësinë e divulgarizimit të studimeve shqipe, që me fjalë të tjera do të thotë, krijimin e kushteve për njohjen më nga afër të kulturës shqiptare, nëpërmjet vizitave apo edhe ditëve shqiptare që mund të përkojnë, por jo domosdoshmërisht, me festa kombëtare.

Në lidhje me pyetjen për akreditimin e gjuhës dhe kulturës shqipe, prof. dr.Ferenc Pál propozoi që në fillim të krijojmë një program minor, dhe pastaj të bëjmë hapa të tjera. Në bisedën e tij prof. dr. Ferenc Pál theksoi që universiteti Eötvös Loránd University (ELTE) vë në dispozicion ambjentet e Fakultetit të Shkencave Humane për çfarëdo lloj aktiviteti që dëshirojmë të organizojmë, por nuk mund të sigurojë mbështetje financiare, të cila duhet të gjenden nga burime të tjera nga Departamenti i“Albanian Studies – Katedra e Albanologjisë.”

Në takimin që konsuli z. Zajmi pati me prof. dr. Istvan Majorosh, përgjegjësi i programit të Erasmus Mundus në Fakultetin e Shkencave Humane, u diskutuan mundësitë për shkëmbim studentësh të universitetit ELTE dhe të universiteteve të Kosovës, duke filluar me një numër prej 2-3 vetësh si fillim dhe pastaj duke e rritur këtë numër. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për të ftuar profesorë nga Kosova në konferencën e majit e organizuar prej tij, me temë bosht “Luftën e Parë Botërore” dhe konferencën tjetër po në muajin maj të vitit 2014 të cilën e organizon Departamenti i “Albanian Studies – Katedra e Albanologjisë” që drejtohet nga prof. dr. Etleva Lala.

Shkrimi u publikua sot (06.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?