Zv/ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në kohën e koronavirusit, një perspektivë nga Shqipëria

6 Maj 2020, 21:25| Përditesimi: 7 Maj 2020, 16:19

  • Share

Punimi në fjalë është shkruar prej një pozite personale dhe nuk ka për qëllim të pasqyrojë pozicionin zyrtar të Qeverisë Shqiptare.
Në 24 mars të 2020, Bashkimi Evropian ndërmori një hap pozitiv drejt zgjerimit me vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këshilli Evropian, sikurse edhe Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi konfirmuan se të dyja vendet i kanë përmbushur rekomandimet e BE dhe kanë arritje të dukshme në reformat e ndërmarra.

Shqipëria ka shënjuar sukses veçanërisht me reformën në drejtësi. Janë ngritur një sërë institucionesh të reja dhe janë implementuar mekanizma kompleksë për të garantuar që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, i paanshëm, profesional, sikurse edhe llogaridhënës. Për herë të parë, promovimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri do të bëhet nga organe të pavarura si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organe këto që nuk kanë në përbërje as anëtarë të ekzekutivit dhe as deputetë të Parlamentit. Promovimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të bazohet për herë të parë në një set kriteresh transparent dhe një mekanizëm pikëzimi.

Përmes hapash të paprecedentë deri më tani, Shqipëria po kalon gjithashtu përmes një procesi të ashpër vetting-u për gjyqtarët dhe prokurorët. 800 gjyqtarë dhe prokurorë janë duke u verifikuar në lidhje me pasuritë, figurën dhe aftësinë e tyre profesionale. 

Shifrat e vetting-ut flasin vetë: nga 243 gjyqtarë dhe prokurorë të verifikuar deri më tani, 100 prej tyre janë konfirmuar në detyrë, 90 janë hequr nga detyra dhe 52 janë tërhequr me vullnet të vetin.

Teksa Progres-Raportet e BE-së e kanë theksuar prej kohësh korrupsionin në vend si një çështje problematike, edhe në këtë drejtim janë ndërmarrë masa proaktive.

Për herë të parë në Shqipëri është ngritur një Zyrë e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit, e cila, së bashku me Gjykatën Speciale Kundër Korrupsionit, do të gjykojnë mbi korrupsionin dhe veprat penale të krimit të organizuar, të kryera nga zyrtarë të lartë.

Po ashtu, Shqipëria ka përmirësuar në mënyrë thelbësore kornizën e saj strategjike kundër korrupsionit duke rishikuar Planin e saj të Veprimit kundër Korrupsionit dhe ka përforcuar instrumentat e monitorimit të këtij të fundit.

Për më tepër, rastet e para të padive të zyrtarëve të lartë kanë kanë filluar të ngrihen, një hap i parë i mirë ky drejt sfidimit të kulturës së pandëshkueshmërisë në radhët e zyrtarëve të lartë.

Ndërkohë që Këshilli i BE e pranoi këtë përparim reformash më 24 Mars, Shqipëria ishte në proces e sipër të përballjes me COVID-19. Mes mungesës të zgjidhjeve në nivel ndërkombëtar, vendi u tregua i shpejtë për të ndërmarrë masat, pavarësisht mungesës së burimeve materiale, për t’u përgjigjur dhe mbrojtur qytetarët.

Kjo betejë vetmitare dukej të ishte përgjigja më e parë e secilit vendi, marrë parasysh detyrimin e menjëhershëm të çdo qeverie për të mbrojtur qytetarët e vet.

Mes gjithë kësaj trazire të përballjes me një virus të padukshëm dhe betjes solitare në hapat e para, Shqipëria merr një lajm të mirë nga Brukseli. Pas disa muajsh mesazhesh mikse, vendimi i Këshillit për të filluar bisedimet e anëtarësimit përbënte padyshim arsye për të festuar: tashmë vendi mund të shihte dritën evropiane në fund të tunelit.

Shqipëria, me të drejtë, mund të ishte krenare për këtë vendim, pasi më në fund arriti të përmbushë kushtet e shtruara për të qenë pjesë e tryezës së negociatave të anëtarësimit..

Megjithatë, në kohë krize askush nuk mund të festojë dhe – për fat të keq, sikurse e shtroi edhe Kryeministri i Shqipërisë, “Dera e dhomës së ndenjes së Shtëpisë së Evropës hapet në një kohë dreqi, kur dyert e të gjithëve filluan të mbyllen.”

Hapja e negociatave me Shqipërinë nuk ishte një proces i lehtë. Zëra të fortë brenda BE-së paralajmëruan se negociatat duhet të happen vetëm pasi BE vetë të ishte reformuar dhe të kishte zgjidhur sfidat e saj të brendshme. Edhe pse është plotësisht e kuptueshme që Themeluesit e “Klubit” vendosin vet mbi ‘kur’ dhe ‘si’ do të pranojnë anëtarët e rinj, shtyrja e bisedimeve la një shije të hidhur.

Zhgenjimi shkatërroi besimin se procesi i zgjerimit bazohej vetëm në përparimin e vendeve kandidate dhe krijoi konfuzion mbi standardet e ndryshme të aplikuara nga Komisioni dhe Këshilli kur vjen punë në vlerësimin e reformave.

Këto vendime negative të Këshillit vunë në dyshim besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe nxorën në pah shqetësimet e brendshme të shteteve anëtare.

Për këtë arsye, vendimi i fundit i Këshillit shënon një kthesë pozitive jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por edhe për vetë Bashkimin Evropian. BE mund të shihet, , edhe një herë si aktor gjeopolitik i aftë të kapërcejë ndarjet e brendshme dhe të shërbejë si qendër e gravitetit politik si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.

Sot, Këshilli Evropian do të mblidhet sërish për të diskutuar mbi Ballkanin Perëndimor. Shqipëria nuk do të donte të shihte asgjë më pak sesa “më shumë Evropë’ në horizontin përpara saj.

Teksa Shqipëria lehtëson masat e saj të bllokimit nga coronavirus, ajo mbetet e vetëdijshme që BE ka qenë subjekt i kritikave për mënyrës se si i është përgjigjur situatës së shkaktuar prej pandemisë.

Vendimet e vështira, si financimi i Eurobonds (coronabonds) a krijimi i një mekanizmi për të financuar rimëkëmbjen nga kriza e përshfaqen BE më tepër të ndarë se sa të bashkuar. Bashkimi Evropian është ende një bashkim shtetesh anëtare dhe ata janë agjentët që munden, duke vepruar në unitet, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta zgjidhur këtë krizë, ose të tërhiqen në mosveprim dhe diskordancë.

Mungesa e bashkëpunimit në nivelin e Bashkimit Evropian midis shteteve anëtare i përngjan një trupi të infektuar nga një virus, një trupi në të cilin secila pjesë e veçantë përpiqet të luftojë e vetme.
Në kohëra si këto, ajo çka lipset të risjellim në kujtesë është identiteti evropian, thënë ndryshe seti i vlerave të përbashkëta që përcakton zgjedhjet që BE bën.

Le të mos ta harrojmë thënien e vjetër të mençur se “e gjithë fuqia është e dobët nëse nuk bashkohet”. Shtetet anëtare duhet të punojnë së bashku në nivel evropian, bazuar në parimet e solidaritetit dhe subsidiaritetit.

Një mesazh nga “Kujtimet” e Jean Monnet duket të jetë i përshtatshëm në këtë pikë. Megjithëse e shkruar në një kontekst të ndryshëm prej këtij, ai jehon si mesazh për të sotmen. Ai vërejti se “Bashkimi i Evropës [është] i rëndësishëm jo vetëm për vetë evropianët: ai vlen edhe si një shembull për të tjerët.[…] Nëse Evropa nuk e organizon bashkimin e vetvetes, vendimet që do të ndikojnë në të ardhmen e saj kanë për t’u marrë prej të tjerëve pa të.”
E në fakt, sot bota duket tepër e fragmentuar dhe në mungesë bashkimi.

Pikërisht sot ekziston nevoja për të parë një Bashkim Evropian që ofron ’unitet’ në skenën botërore, unitet në solidaritet si një vlerë evropiane. Në një botë të mangët në burime, ilaçe dhe ventilatorë, gara e ashpër për të shfaqur epërsi duke ju vulosur këtyre mallrave flamurin kombëtar të pronësisë mund të çojë në më shumë demonstrimi fuqie, se sa më shumë shfaqje  solidariteti. Për këtë aryse nga BE kemi nevojë të shohim edhe më tepër solidaritet de facto: vetë BE-ja është e destinuar të luajë këtë mision, së jashtmi dhe brenda saj.

Nëse ajo dështon në këtë mision, boshllëku do të mbushet prej forcave dhe fuqive të tjera.

BE dhe vendet anëtare të saj po përballen me sfida madhore të cilat do ta formësojnë Evropën për shumë breza të ardhshëm. Kohët e vështira kërkojnë udhëheqje (drejtim) dhe një vizion të guximshëm. Udhëheqësit kombëtarë të vendosin të qëndrojnë në Tokën e Lotusit dhe të rreken të promovojnë vetëm përfitimet e veta kombëtare, duke injoruar zërat e tjerë, ose nga ana tjetër, mund të mbajnë qëndrim dhe të luftojnë për një vizion të përbashkët drejt arritjes së një Shtëpie Evropiane edhe më të mire për gjeneratat që do të vijnë.

E teksa Shqipëria sheh drejt BE-së nga anë tjetër e gardhit, ne sërish lutemi që të shohim as më pak e as më shumë sesa edhe më tepër Evropë.

*Prej Marsit 2019, Zv/ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka, mbulon kryesisht çështje të integrimit evropian, anti-korrupsionit dhe reformës në drejtësi.
Artikulli është botuar fillimisht nga “Friends of Europe”.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anonim: 07/05/2020 12:40

    Jam shume dakord me komentin pararendes

    Përgjigju
  • Tirana: 07/05/2020 11:29

    Ekspertja me e mire sot ne vend ne ceshtjet e legjislacionit dhe politikave te bashkimit europian. Duhen emeruar minitre e puneve te jashtme dhe evropes si individi me i kualifikuar dhe me me integritet per kete detyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?