Sali Berisha

Zgjedhjet e pjesshme vendore, Berisha flet si drejtues i PD: Hapim primaret në parti, hyjmë në zgjedhjet në 6 bashki

19 Janar 2022, 21:51| Përditesimi: 19 Janar 2022, 22:27

  • Share

Sali Berisha nuk është më kryetar i PD-së, e megjithatë kjo nuk e pengon atë të sillet si drejtues i partisë më të madhe opozitare në vend, teksa ka deklaruar se do të hyjnë në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki.

Me një njoftim për mediat, i ashtëquajturi Komisioni i Rithemelimit, i ngritur nga Berisha bëri me dije se ata vendosën sot hapjen e procesit të primareve brenda PD për përzgjedhje e kandidaturave për secilën nga bashkitë, duke theksuar se procesi do të finalizohet me datë 30 janar, ndërsa afati për paraqitjen e kandidaturave është deri më 24 janar.

Sipas tyre, eidentimi i kandidatëve do të bëhet në përputhje me statutin e PD, nëpërmjet vetëpropozimit, propozimit nga anëtarësia dhe nga organet qendrore të PD.

"Duke ndjekur situatën politike për zgjedhjet e pjesshme, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit në emër të Partisë Demokratike deklaron se do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve për tu dhënë shqiptarëve mundësinë për tu përfaqësuar në qeverisjen vendore me kapacitetet më të mira të vendit.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vendosi sot hapjen e procesit të Primareve brenda PD për përzgjedhjen e kandidaturave më të mira për secilën nga bashkitë në garë.

Nga sot, në të gjitha bashkitë ku do të hapet gara, Partia Demokratike fillon punën për evidentimin e kandidatëve. Procesi i përzgjedhjes do të finalizohet në datën 30 Janar 2022 sipas parimit “të primareve”.

Në përputhje me statutin e PDSH neni 12 dhe 38 kandidatët mund të evidentohen:

Me vetëpropozim;
Propozim nga anëtarësia;
Propozim nga organet qendrore të PDSH.

Kandidatët duhet të jenë personalitete me autoritet të lartë politik, profesional dhe shoqëror.

Dokumentacioni i nevojshëm duhet të paraqitet pranë Komisionit të Rithemelimit të PD dhe duhet të përmbajë CV profesionale dhe politike të kandidatëve si dhe formularin e vetëdeklarimit për pastërtinë e figurës së kanditatit.

Afati për paraqitjen e kandidaturave është data 24 Janar 2022 ora 00:00", thuhet në njoftim.

Nuk ka ende një reagim të PD-së zyrtare në lidhje me këtë deklaratë të Grupit të Rithemelimit.

Ndërkohë Presidenti Ilir Meta nuk ka dekretuar ende një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa datat e diskutuara janë 27 shkurti dhe 6 marsi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?