Zgjedhjet e pjesshme lokale, Spaho nga Komisioni i Rithemelimit:Do të bëjmë fushatë me flamujt e PD-së! Logu: Përpjekje për të krijuar konfuzion tek demokratët

4 Shkurt 2022, 22:01| Përditesimi: 4 Shkurt 2022, 22:41

  • Share

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi regjistroi koalicionin e partive LSI dhe PDK nën logon “Shtëpia e lirisë” në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, por nuk njeh Komisionin e Rithemelimit. Pavarësisht se të 6 emrat e kandidatëve për kryetar bashkie janë bërë nga Komisioni i Rithemelimit të Sali Berishës, ato do të kërkojnë vota për LSI-në dhe PDK-në. Por Edmond Spaho, nga Komisioni i Rithemelimit, i ftuar në emisionin 'Pa Protokoll' në Report Tv, thotë se ato do të kërkojnë vota në emër të demokratëve, e madje do të përdorin flamur e logo të PD-së.

'Ligji nuk na pengon të përdorim simbolet tona. E gjithë fushata do jetë me flamur e logo të PD-së. Do u themi votoni Spahiun në Shkodër dhe demokratët do të dinë se kë do të votojnë. 'Shtëpia e Lirisë' ka simbolin e vet. Do jenë emrat e kandidatëve, qytetarët që do të votojnë në mendjen e tyre e dinë shumë mire. 'Mënyrën sesi reagojnë qytetarët do të shohim në fushatë. Ne hyjmë në garë kundër Edi Ramës dhe hyjmë për të fituar në 6 bashkitë. Unë nuk mendoj se e dëmton opozitën, pasi realiteti ka treguar se pjesa dërrmuese janë me Komisionin e Rithemelimit'- tha Spaho.

Nga ana tjetër, Spaho theksoi se Lulzim Basha është i shkarkuar nga anëtarësia e PD-së dhe se është vetëm kryetar i Edi Ramës. Sipas Spahos gjykata e ka vonuar vendimin për miratimin e ndryshimeve statutore të miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit, në mënyrë që Berisha mos të regjistrohej me logon e PD-së.

'Akoma nuk është shqyrtuar nga gjykata, në mënyrë që mos të regjistrohej! Basha është i shkarkuar. Lulzim Basha është kryetar i Edi Ramës, kundër vullnetit të gjithë anëtarëve të PD.'- tha Spaho.

Ndërsa Marash Logu, përfaqësues ligjor i PD-së në KQZ u shpreh se me vendimmarrjen e KQZ-së u vendos ligjshmëria, dhe se interesi i demokratëve është që të pengojnë çdo lloj përpjekje për të krijuan konfuzion tek demokratët.

'Në fletën e votimit mund të jetë Shtëpia e Lirisë dhe në kllapa dy partitë. Me vendimmarrjen e KQZ-së në mënyrë që të vendoset ligjshmëria. Interesi i PD-së është që të pengojnë çdo lloj përpjekje për të krijuan konfuzion tek demokratët.'- tha Logu.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?