Kandidatët për kryetarë bashkie në disa qytete të vendit vijojnë takimet me banorët teksa kërkojnë votën për të administruar qytetet e tyre e për të vijuar me projektet e lëna pezull, ndërsa kane prezantuar edhe programet e tyre.
“Rruga “Valbona”, është premtimi ynë i mbajtur për njësinë administrative Rrashbull, ndërkohë që vazhdojmë me investime të tjera për mandatin e ardhshëm”. Kështu është shprehur kryebashkiakja Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për bashkinë Durrës në takimin me banorët e zonës.
Asfaltimi i kësaj rruge lehtëson qarkullimin e mjeteve dhe i shërben të gjithë banorëve. Pas përfundimit të investimeve në rrjetin elektrik dhe atë të ujësjellësit, puna do të fokusohet në rehabilitimin e infrastrukturës, në ndërtimin e terreneve sportive, qendrën e re shëndetësore si dhe në një sërë investimesh të tjera me qëllim trasnformimin rrënjësor të kësaj zonë.
“Ne jemi bashki që reagojmë ndaj kërkesave të komunitetit. Forcën më të madhe e kemi ballafaqimin me njerëzit dhe kur ballafaqohemi e kemi realizuar punët, kjo është shenjë serioziteti dhe vazhdimësie për të ardhmen. Kemi shumë plane. Në të gjithë njësitë administrative duam të bëjmë nga një terren sportiv, të bëjmë edhe qendrën shëndetësore. Është e rëndësishme mbështetja juaj për të vijuar punët për mandatin që vjen”, tha Sako.
Në njësinë administrative të Rrashbullit përgjatë këtyre viteve është investuar në linjën e furnizimit me energji elektrike 20 kv, në rrjetin e ujesjellësit me qëllim furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të zonës si dhe në infrastrukturën rrugore. Gjatë mandatit të ardhëm 4-vjeçar do të vazhdojnë investimet me qëllim transformimin e kësaj njësie.
Kandidati për bashkinë Himarë, Jorgo Goro thotë se pandemia dhe tërmeti i la pas me punët por do të vijojnë me projektet e lëna pezull.
Kandidati i opozitës për Kavajën Fisnik Qosja thotë se kryetari aktual i bashkisë është një njeri i papërgjegjshëm dhe se e ka çuar bashkinë në faliment.
‘Kavaja është zemra e Shqipërisë, është mesi i Shqipërisë. Një njeri i papërgjegjshëm, një njeri i cili nuk vjen nga vota, e ka çuar bashkinë në faliment. Ai nuk duhet të kandidonte më. Nëse unë nuk mbaj këto premtime që jap, herën tjetër nuk kandidoj më për bashkinë.
Rruga e bregdetit, do të bëhet një arterie shumë e rëndësishme për Kavajën. Kavaja nuk është për tu tallur, është zemra e Shqipërisë. Kush luan me Kavajën, ka luajtur me zjarrin. Janë mercenarë që kanë ardhur të mbushin xhepat e tyre.’- tha Qosja.
Kandidati për kryetar bashkie në qytetin e Elbasanit i koalicionit Meta-Berisha, Luçiano Boçi është takuar me shefen e misionit të OSBE-ODIHR në Shqipëri Andrey Glover. Boçi thekson se i ka përcjellë ambasadores shqetësimin për deklarata e vazhdueshme të Ramës se ai nuk do të bashkëpunojë me askënd prej opozitës, janë antikushtetuese dhe dëshmon frikën e tij për humbjen e zgjedhjeve.
Sipas Boçit, prej muajsh punonjësit e administratës janë nën presion të drejtpërdrejtë për të dorëzuar 10-20 karta identiteti. Boçi thekson se ka kërkuar që organizmat ndërkombëtare të ndërhyjnë për të ndaluar këtë veprim antikushtetues të një bashkie që është alarmuar prej ndjesisë së humbjes.
‘OSBE/ODIHR duhet të mbështesin ruajtjen e standardeve të zgjedhjeve të 14 majit përpara se këto standarde të bëhen të papranueshme, siç po ndodh! Këtë i përcolla sot në zyrën time zgjedhore ambasadores së nderuar të OSBE/ODIHR, shefes së misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve - znj. Audrey Glover dhe delegacionit që e shoqëron atë.
Deklaratat e vazhdueshme të Ramës se ai nuk do të bashkëpunojë me askënd prej opozitës janë antikushtetuese dhe dëshmon frikën e tij për humbjen e zgjedhjeve.
Pre muajsh punonjësit e administratës janë nën presion të drejtpërdrejtë për të dorëzuar 10-20 karta identiteti. Çdo mbështetës i opozitës ka marrë thirrje telefonike ose kërcënime direkte – te puna dhe tek biznesi.
16.000 përfitues të ndihmës ekonomike janë thirrur dhe këshilluar për cilin të votojnë që të mos humbasin ndihmën. Organet ligjore të Bashkisë janë inaktive dhe mijëra vende pune janë krijuar përkohshëm – për të ndikuar votën.
Ne presim që organizmat ndërkombëtare të ndërhyjnë për të ndaluar këtë veprim antikushtetues të një bashkie që është alarmuar prej ndjesisë së humbjes.’- shkruan Boçi.
Banorët e Toplanës, në njësinë administrative të Temalit, ka qenë ndalesa e radhës e kandidatit të koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Vau i Dejës, Zef Hila.
Ai ka takuar banorët e kësaj zone, të cilët kanë parashtruar problematikat që sipas tyre nisin që nga rruga, energjia elektrike dhe mungesa e energjisë elektrike dhe shërbimit shëndetësorë, ndërkohë që në këtë takim edhe militantë të së majtës në zonë i kanë shprehur mbështetjen.
Nga ana e tij kandidati Zef Hila i garantoi banorët se rruga e Toplanës do të jetë pjesë e planit emergjentë me të marrë mandatin e kryebashkiakut. Sipas tij zona e Toplanës është një nga zonat e braktisura të bashkisë Vau Dejës ku banorët deklaruan se askush nga shteti nuk kujtohet për ta.
Kandidatja e Partisë Demokratike në Vau Dejës Klomentina Drini në turin e saj të takimeve u ndal në Stajkë. Banorët u shprehen shumë të pakënaqur me qeverisjen aktuale të bashkisë dhe renditën shumë problematika, më kryesorja mungesa e investimeve .
Të bashkuar, banorët premtuan mbështetje për Klomentina Drinin si e vetmja kandidate e Partisë Demokratike.
Klomentina Drini garantoi banorët se nuk do të tërhiqet nga kjo betejë pavarësisht presioneve të shuma dhe së bashkë me ta do ta fitojnë këtë garë.
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja zhvilluan një takim me banorë të fshatit Shushicë, një nga fshatrat më të afërt me qytetin, por me projektet e mëdha si Automotoparku dhe By Pass i Elbasanit, shndërrohet në një nga lagjet e qytetit.
Numri dy i socialistëve deklaroi se për realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme me impakt të drejtpërdrejtë zhvillimi, nevojitet mbështetja e fortë e qeverisë, për t’i çuar përpara dhe vizioni i Gledit për t’i formësuar ato.
“Binomi bashki – qeveri duhet të na lidhë shumë mirë në zgjedhjet e 14 Majit. Prandaj edhe në këto zgjedhje, më 14 Maj, ne kemi mundësi që me votën për Gledin, të votojmë Gledin si kryetar bashkie, por votojmë dhe të gjithë ekipin e Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, sepse nuk jemi të shkëputur. Ata tremben nga fjala ekip. Kur flas unë thonë pse përmend fjalën ekip, pse se merr si garë individi. Aty nuk po zihen dy lojtarë në ring, kush këndon më mirë apo kush reciton më mirë. Jo! Konkurrojnë ekipi politik, filozofia, e kaluara jote dhe e ardhmja që ti premton. Gledi e ka treguar me punët e tij. Premtimi i Gledit nuk është vetëm premtimi i Gledit, është premtimi i të gjithë këtij ekipi politik”, deklaroi ai.
Kryetari i Bashkisë, Llatja përmendi disa nga investimet e kryera në Shushicë, ndërsa shtoi se ura mbi Shkumbin që lidh Byshekun me automotoparkun do të japë një impakt të menjëhershëm duke atë në një lagje të qytetit.
“Rregulluam dhe sistemuam rrugët, hapëm rrugët e arave, i kushtuam një vëmendje të veçantë mbrojtjes nga lumi Shkumbin. Filluam fillimisht me rrugën e varrezave dhe ate një pjesë së lagjes së vjetër të Shushicës së vjetër, vazhduam me rrugën e rezervave, pastaj me rrugën e pazarit dhe do vazhdojmë normalisht sepse ne nuk i kemi mbaruar punët. Shushica është një nga ato fshatrat që ka një perspektivë shumë të madhe. Ne po bëjmë bypassin e Elbasanit, ne jemi në fazën e detajuar të projektimit të tij, me ndihmën e qeverisë. Me urën e Byshekut, Shushica do të bëhet një lagje e Elbasanit. Një gjë e kemi të sigurt, perspektiva ekonomike është kyçi i zhvillimit të qytetit, i zhvillimit të fshatit, i zhvillimit të Elbasanit”, theksoi Llatja.
Nisma Thurje organizoi dot një takim me banorët e Tiranës tek ish fusha e aviacionit. Në këtë takim u prezantuan idetë e Nismës Thurje për shndërrimin e transportit publik sipas modelit gjerman si dhe propozimet për përmbysjen e sistemit të taksimit.
Gjatë këtij takimi, kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani u shpreh se kanë “propozimet për transportin urban, për taksat dhe për administrimin e pallateve, janë serioze, të realizueshme dhe synimi i tyre është një Tiranë KREJT NDRYSHE nga kjo që kemi patur këto 30 vjet”.
Ai deklaroi se “Tirana ka nevojë për një Këshill Bashkiak që e ka fuqinë të monitorojë kryetarin e bashkisë, dhe jo të shërbejë si bordero për të bërë qoka për miqte e qeverisë.”
Gjithashtu Pano Soko, si një prej kandidatëve kryesorë të Nismës Thurje për Këshillin Bashkiak u shpreh se ata kanë aftësinë që të monitorojnë mënyrën se si menaxhohet buxheti i Tiranës, por edhe guximin për t’i qëndruar përballë kujtdo që kërkon të abuzojë me fondet publike.
Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Tiranës, ka zhvilluar një takim elektoral në njësinë 5 ku ka bërë të ditur programin e tij elektoral.
“Njësia 5 në Tiranë është ndër më të populluarat, por gjithashtu mbart shumë probleme, që lidhen me mungesën e hapësirave publike, mungesën e parkimit dhe taksat. Në një takim që mbajta me banorë të kësaj zone, u njoha me problemin e madh të mungesës së hapësirave publike, dhe problemi akut i parkingjeve. Banorët denoncuan Bashkinë Tiranë, se po rrëmben edhe pjesë nga Parku i Liqenit, duke ua bërë më të vështirë jetesën dhe uzurpuar hapësirat publike për ndërtime nga oligarkët.
Ju premtova se vota e tyre sjell ndryshim! Duke filluar nga parkimet dhe hapësirat e gjelbërta, ekipi jonë ka hartuar një program që do të shtojë ndjeshëm parkingjet publike në mandatin e parë dhe ndërtojë një park të ri, në çdo lagje, si një domosdoshmëri për një qytet të pastër dhe me #frymëmarrje për Tiranën”, shkruan Bejko.
Kryetari i Grupit Parlamentar dhe njëherësh Drejtuesi politik i PS për qarkun e Fierit Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë e Roskovecit nga ku u ka bërë thirrje që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Balla tha se koha kur non gratat qeverisin do të marrë fund, dhe këtë e ka në dorë çdo i ri, të cilët të bashkuar mund të bëjnë që Shqipëria të ecë vetëm përpara, pa e kthyer më kokën pas.
Balla ka theksuar gjithashtu se në këtë fushatë nuk duhet mbjellë kultura e urrejtjes, por të mbillet një kulturë tërësisht tjetër ku kundërshtari të mos shihet si armik, por si një bashkëqytetar. Balla nënvizon se dy janë personazhet që mbjellin kulturën e urrejtjes e në Shqipëri, Saliu dhe Iliri.
“Askush nuk e imagjinonte dot 8 vite më parë sesi do të ishte sot Roskoveci. Të gjithë e mbani mend që këtu ku jemi mbledhur ka qenë një rrëmujë e madhe, ndërsa sot është një hapësirë e gjelbërt. Roskoveci është një prej qyteteve që ka pësuar një ndryshim shumë të madh.Majlinda ka bërë një punë të shkëlqyer dhe rikandidimi i saj ishte një vendim shumë i lehtë për ne, pasi jemi të bindur që ajo nuk ka konkurentë përballë. Konkurenti ka ardhur që të kandidojë e të humbë, nuk ka ardhur të fitojë.
Në këtë fushatë ne nuk duhet të mbjellim kulturën e urrejtjes, por të mbjellim një kulturë tërësisht tjetër siç po mbjellim këto pemë për një qytet më të gjelbërt. Ne duhet të mbjellim në këtë fushatë një kulturë tjetër për mos ta parë kundërshtarin si armik, por për ta parë kundërshtarin si një bashkëqytetar. Dy janë personazhet që mbjellin kukturën e urrejtjes në Shqipëri, kundër kundërshtarit e cila është e papranueshme i cili erdhi këtu dhe u mor me familjen e kryetares sonë sepse nuk ka çfarë të thotë, por ky qytet tashmë ka fizionominë e një qyteze europiane, prandaj ne na duhet që secili prej jush të flasë me bashkëmoshatarët dhe t’u thotë që më 14 maj të shkojnë të votojmë sepse kemi mundësi që Roskovecin të vazhdojmë ta zbukurojmë. Kandidati i non gratës nuk na ofron asgjë, nuk na jep mundësinë që ne të ecim përpara, por është një kthim mbrapa në disa kohë të errëta ku opozita vritej sapo fillonte fushata elektorale. Nuk ështe larg kur 14 vite më parë opozita vritej, nuk është larg 12 vite më parë kur opozita protestonte për votën e lirë e qelloi me plumba. Ne duam që Roskoveci të bëhet më i bukur, sepse ne duam që ju të rinjtë ta ndërtoni të ardhmen tuaj këtu. Më 14 maj të gjithë të votojmë për Majlinda Bufin dhe Partinë Socialiste, sepse vetëm kështu Shqipëria ecën përpara”.
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta, për kryetar të Bashkisë Durrës, Igli Cara ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës së të verbërve, të cilët e kanë vënë theksin te problematika konkrete, që ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre. Kryetari i Shoqatës "Shpresë për të Verbërit", Sajmir Farrici ka thënë ndër të tjera se sipas ligjit transporti publik për këtë kategori duhet të jetë falas, ndërsa ai interurban me çmim të reduktuar, 50% të vlerës. Ai ka nënvizuar se, ky vendim vazhdon të mos gjejë zbatim nga Bashkia e Durrësit, megjithëse Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i ka dhënë të drejtë disa herë.
Cara e ka cilësuar si të papranueshme situatën, që vazhdon të jetë e njëjtë ndër vite, ndërsa ka risjellë në vëmendje përgjegjësinë dhe detyrimet e përcaktuara me ligj, por që nuk gjejnë zbatim nga Bashkia e Durrësit. Kandidati, që garon për të marrë drejtimin e këtij institucioni ka siguruar se pas 14 majit, situata do të ndryshojë.
Në të njëjtën kohë, Cara është shprehur se mbështetja e tij do të jetë e vazhdueshme për këtë kategori.
Kandidati i çiftit Berisha Meta për Bashkinë Berat, Zija Ismaili ka zgjedhur të bëj fushatën duke denoncuar. Ura e cila lidh një lagje të fshatit Lapardha me qendrën është amortizuar. Banori shprehet se që në kohën e monizmit nuk ka vënë dorë askush. Kjo urë mbetet problematike për aq kohë sa në Berat është kthyer në burim aksidentesh.
“E njihni kryetarin e Bashkisë? Ndriçim keni? Po ti ku i hedh plehrat? S’ka kazan?”- tha ai.
Deputeti Ervin Salianji ka zhvilluar një takim me banorët e Kavajës dhe kandidatin e koalicionit Meta-Berisha, Fisnik Qosja. Salianji shkruan se Qosja nëse zgjidhet më 14 maj do të ketë vëmendjen maksimale ndaj fshatrave.
“Të dielën e kaluam me takime me banorët e Kanaparaj, Zikxhafaj, Kryemedhenj, Seferaj, Tilaj, Golemas dhe në pasditen vonë në Agonas. Fshatrat sado të vegjël dhe larg do kenë vëmendje të maksimale! Fisnik Qosja si kryetari i Bashkisë Kavajë do të jetë si sot mes banorëve për t’i dhënë zgjidhje shqetësimeve dhe problemeve”, shkruan Salianji.
Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu njëherësh kreu i Partisë Republikane, ka mbështetur sot kandidaten e çiftit Berisha-Meta në Korçë, Ledina Alolli.
Mediu shprehet se më 14 maj qytetarët duhet të votojnë për të rrëzuar të keqen.
“Është ora e shqiptarëve të cilët nuk pranojnë poshtërimin dhe përbuzjen. Jo është luftë për të fituar me të keqen, përballja për t’i dhënë vlerë Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo krimit e korrupsionit. Të bashkohemi, Të shkelmojmë të keqen, të bëjmë ndryshimin. Të shohim brenda nesh dhe të vlerësojmë dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Asnjëherë të mos dorëzohemi, 14 maji është momenti kur shqiptarët i thonë jo të keqes.”- thotë Mediu.
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Lezhë, Pashk Gjoni ka zhvilluar sot fushatën me qytetarët e Lezhës. Gjoni garantoi qytetarët se vota e tyre nuk do shkojë dëm dhe mos të kenë frikë të votojnë për të.
“Unë do luftoj fort për t’iu bindur që të na votoni ne dhe për t’iu siguruar që vota juaj nuk do shkojë kot.
Këta Janë mjeshtra të premtimeve, të rrenave. Po bëjnë çmos me administratën. Por e dhunojnë, kërkojnë kartë e lista, u thonë do ua fotografojnë votën por do ketë votues.
Po nuk ka për të ndodhur, s’ka për t’i lënë kush me i grabit votat.”- tha ai.
Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka nisur sot fushatën në praninë e disa qytetarëve. Ndreu u shpreh se në perspektivën e partisë socialiste tanimë është ndërthurja e prodhimit bujqësor dhe ekspansionit të turizmit.
“Pas datës 14 maj ti japim frymë turizmit malor në këtë zonë. E ardhmja e kësaj zone është me ne. Ne kemi bërë shumë punë. Njësia Shën Kollë është shembulli më i mirë sesi të shmangni propagandën e PD. Do lidhim turizmin me prodhimin bujqësor. Do ngremë pikë turistike nga Shën Kolli deri në Tale.”- tha Ndreu.
Turizmi është prioritet i zhvillimit të bashkisë Himarë. Në takimin me banorët e Palasës, deputeti Vullnet Sinaj e ka cilësuar tunelin e Llogarasë një nga investimet më të rëndësishme në zonë, impakti i të cilit tha se do të ndihet menjëherë në Palasë, por edhe gjithë bashkinë e Himarës.
“Ndihem shumë mirë që PS dhe kryesia e rikandidojnë dhe një herë. Krahas investimeve që ka bërë qeveria dhe ju e dini që jeni të parët që ndikoheni në turizmin e kësaj zone, askush nuk e besonte që do bëhej tunel në Llogara. Politika e PS dhe qllimi i qeverisë Rama është turizmi dhe ardhja e sa më shumë turistëve që përkthehet në ekonomi”, tha Sinaj.
“Kemi lënë të tjera projekte edhe për shkak të një katërvjecari të vështirë, për shkak të tërmetit dhe pandemisë”, ka konfirmuar Goro, projekte që vetëm janë shtyrë në kohë dhe janë gati për tu realizuar, jo vetëm në Palasë, por edhe gjithë Himarën.
“Kemi bërë e do të vijojmë punë ndërsa kemi pasur pengesa. Ky 4 vjecar ka qenë shumë i vështirë për të gjithë. Pas tërmetit të fuqishëm që ndodhi në Durrës dhe pandemisë që falë zotit e kaluam dhe tani jemi të gjithë këtu, na krijoi dhe pengesa të cilat shumë projekte që kemi pasur në Palasë por në të gjithë zonën e bashkisë Himarë janë shtyrë në kohë. Kjo shtyrja në kohë është një nga arsyet që kryeministri mendoi që të rikandidoj për të mbyllur projektet që janë në letra dhe qytetarët t’i vijmë në ndihmë për të vijuar jetën e tyre dhe për të punuar në këtë zonë”, tha Goro.
Premtimet e shumices se kandidateve te te gjitha kaheve jane absolutisht qesharake.Po i ndjek me kujdes dhe konkluzioni qe kam arritur deri tani, eshte qe me perjashtim te kandidatit pogradecar qe premtoi nje punishte per perpunimin e fruta-perimeve,te gjithe te tjeret duken sikur konkurojne per komunalen,ose per min.e turizmit e kultures.Patetike qe te gjithe!Premtimet permbajne vetem rruge,parqe.lulishte,ura,autoparqe, stadiume,parkingje e te tjera si keto.Por qe te premtojne uzina e fabrika e punishte qe te krijohen vende pune ,nuk degjojme.
PërgjigjuJeni shume te mbaruar si njerez
PërgjigjuAsgje skeni per te fituar o hajduta
PërgjigjuTe kote e keni se nuk keni per te fituar gje
PërgjigjuPer asgje nuk je jo,jo me te fitosh
PërgjigjuPd-ja te kot e ka se nuk keni per te fituar.
PërgjigjuNjerez negativ jeni
PërgjigjuFlisni budalliqe si gjithmone
PërgjigjuJa fusin kot. Ura nuk është e amortizuar por është model "vintage".
Përgjigju