Zgjedhjet e 14 majit, Kapllanaj: Kandidati i koalicionit opozitar, patericë e socialistëve! Berisha më sulmon se them mendimin tim, duhet të tërhiqej në disa bashki

21 Prill 2023, 16:53| Përditesimi: 21 Prill 2023, 16:56

  • Share

Agron Kapllanaj, kandidati i PD për bashkinë Mallakastër është i bindur se do të marrë fitoren më 14 maj ndërsa vijon të cilësojë ‘patericë e socialistëve’ Resmi Shanajn, kandidatin e koalicionit Berisha-Meta.

Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Kapllanaj tha se Resmi Shanaj po ndjek të njëjtën filozofi si e majta dhe qëllimi i vetëm është të mos sjellin ndryshim në Mallakastër.

“Betejën e kam me kandidatin e PS. Qytetarët duan që të vazhdojmë punët që kanë mbetur në mes se në këto 4 vite, në Mallakastër thuajse s’është bërë asgjë. Vëmendja ime kryesore të shkojë te hallet e tyre. Kandidati i Berishës është patericë e kandidatit të PS në Mallakastër. Strukturat e PS kur gjejnë socialist të zemëruar apo edhe demokratë që janë mes kandidatit Berishës dhe meje, vetë socialistët bëjnë fushatë që thonë mos e çoni votën te PS por te Resmiu. Me këtë filozofi po ndjek e majta por ka rënë brenda edhe kandidati i Foltores që ka synim të mos ketë ndryshim në bashkinë Mallakastër por të qëndrojë Qerim Ismailaj”, tha Agron Kapllanaj.

I pyetur përse është sulmuar nga Sali Berisha, Kapllanaj thotë se kanë mendime të kundërta dhe nuk heziton t’i thojë por Berisha nuk i pranon dot ata që i ka kundër.

“Sepse kam menduar dhe vijoj të mendoj ndryshe nga Berisha dhe nga një pjesë e atyre që e mbështesin se unë kështu jam, kështu kam lindur i lirë. Nëse dikush e ka gabim kushdo qoftë them që e ka. Berisha nuk e ka përtypur dot dhe kushdo i ka dalë kundër e ka pësuar me përjashtim nga PD, me akuza të rënda, me përzënie por mund të ketë edhe nga ata që e kanë pësuar më keq akoma”, tha Kapllanaj.

Vendimin e PD për të shkuar vetëm me 14 kandidatë për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit, Kapllanaj e cilësoi si të duhur duke thënë se kanë pranuar vendimet e strukturave që në disa bashki është më mirë të shkojnë vetëm me 1 kandidat. As këtu nuk e kurseu komentin për Berishën duke thënë se Berisha nuk u tërhoq aty ku do kandidonte PD në mënyrë që t’i jepnin mundësi demokratëve të bënin vetëm 1 zgjedhje.

“Kam qenë në mbledhjen e Kryesisë, e kam dëgjuar dhe diskutimin e Sulës, ka pasur mendime të ndryshme. Në të gjithë qarqet kemi pranuar vendimet dhe aty ku kanë menduar të mos kandidojnë, nuk kemi kandiduar. Aty ku strukturat kanë rënë dakord si rasti i Mallakastrës, unë ja ku jam dhe as nuk jam tërhequr dhe garën e kam me kandidatin e PS. Ne nuk kemi imponuar kandidat pra kemi bërë mirë që kemi pranuar vendimet e strukturave se dalja me 1 kandidat i jep një mundësi më tepër demokratëve. Në bashkitë ku janë ata që janë në siglën e Partisë së Lirisë i jap fitoren. Në ato ku jemi 3 nuk kam çfarë të them se Berisha nuk e pa të arsyeshme ashtu si ne që të tërhiqemi. Për 2 bashki si Mallakastër dhe Fier do vijojmë betejën e më 14 maj do shihni surpriza”, tha Kapllanaj.

Kapllanaj përmendi se në fokus të tij janë qytetarët të cilët nuk kanë parë thuajse asnjë ndryshim në këto 4 vite.

“E para është rikthimi i kësaj bashkie në shërbim të qytetarëve se kanë ankesa që në këto 4 vite, shërbimi ndaj tyre ka muguar. Të tjera problematika si shpërndarja e fondeve publike, e të ardhurave të bashkisë Mallakastër që janë shpërndarë në mënyrë të njëanshme dhe kanë prekur vetëm një zonë. Do të preken të gjitha problematikat, pa harruar shtresat në nevojë”, tha Kapllanaj.

Në zgjedhjet e 14 majit, Kapllanaj do të jetë përballë Resmi Shanajt që kandidon me koalicionin Berisha-Meta dhe Qerim Ismailaj që rikandidon me siglën e PS.

A.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rrofte ps: 21/04/2023 18:04

    Ik o Agron se e ke djeg veten nga lufta qe bere me ate qe te beri me lek.Ske shans ta fitosh bashkike se ske me asnje njeri nga pas vetes.As ti as Niku i bekstritbojsave nuk fitoni dot.Ps fiton 80% te bashkive ne shkalle vendi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?