Gledian Llatja dhe Luçiano Boçi

Zgjedhjet e 14 majit/ Boçi: Në Elbasan komunitetit rom e egjiptian po u shpërndajnë ndihma në këmbim të votës! Reagon bashkia: Spekulime të ulëta

18 Mars 2023, 21:26| Përditesimi: 18 Mars 2023, 21:38

  • Share

Kandidati i Partisë Demokratike për qytetin e Elbasanit, Luçiano Boçi ka hedhur akuza në drejtim të bashkisë së Elbasanit se po shpërndan ndihma për përfaqësues të komuniteteve rom dhe egjiptian në Elbasan, me kushtin që këta të fundit të dorëzojnë kartat e identitetit dhe të hedhin firma se do të jenë votues të Partisë Socialiste.

‘Institucioni që e ka trajtuar në mënyrën më të padinjitetshme komunitetin rom dhe egjiptian në Elbasan, tani po u jep lëmoshën e radhës për t'u blerë votën. Pas zgjedhjeve i harron, i përçmon, i përzë, i fyen! Padiskutim merrini ndihmat se ato janë paratë e taksave të qytetarëve të Elbasanit, por në 14 maj me votë jepini ndëshkim atyre që ju kanë përbuzur për 16 vite!’- shkruan Boçi.

Por bashkia e Elbasanit ka përgënjeshtruar Luçiano Boçin. Përmes një njoftimi për media, Bashkia Elbasan sqaron se ndihmat e shpërndara janë një aktivitet bamirësie i Shoqatës "Mirësi për Botën" të cilët si çdo vit shpërndajnë ndihma tek familjet në nevojë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Keqardhje për spekulimet e ulëta politike të lëshuara në publik nga shtetasi Luçiano Boçi ndaj institucionit të Bashkisë së Elbasanit. Pamjet e shitura prej tij në rrjetet sociale e më pas në media si gjoja shpërndarje ndihmash nga Bashkia e Elbasanit në fakt janë as më pak e as më shumë se sa një aktivitet bamirësie i Shoqatës "Mirësi për Botën" të cilët si çdo vit shpërndajnë ndihma tek familjet në nevojë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit”.  

Më tej në reagim thuhet se i vetmi ndryshim nga vitet e shkuara është se shtetasit Luçiano Boçi i janë errësuar sytë në ëndrrën e tij për të pushtuar Bashkinë e Elbasanit.

“Ëndërr për të cilën është gati të njollosë e bëjë pis çdo komunitet fetar, çdo organizatë joqeveritare, çdo institucion publik, çdo qytetar të Elbasanit. 14 Maji do jetë dita kur Luçiano Boçi do të marrë përgjigjen e merituar si mëkëmbësi i Sali Berishës dhe Ilir Metës”, theksohet në reagim.

Në njoftim thuhet se Bashkia e Elbasanit ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në përkrahje dhe mbështetje të shtresave në nevojë.

“Bashkia e Elbasanit gjithashtu falenderon dhe i shpreh mirënjohje çdo organizatë bamirësie në përpjekjet e tyre të përvitshme, larg çdo ndikimi politik, për të ndihmuar sa më shumë familje në nevojë”, theksohet më tej në njoftim.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?