Komisioni Hetimor për Inceneratorët deri më 25 shkurt! Rama dëshmitari i parë! Yuri Kim: Ndjekim nga afër procesin! Soreca: Lufta ndaj korrupsionit kyçe për integrimin

4 Shkurt 2022, 12:50| Përditesimi: 4 Shkurt 2022, 20:23

  • Share

Komisionin Hetimor për Inceneratorët do të vijojë punën e tij deri më 25 shkurt. Vendimi u mor sot në mbledhjen e Komisionit të Rregullores së Kuvendit dhe Mandateve, pas kërkesës së PD, pas një debati që kishte lindur mes PD dhe PS lidhur me llogaritjen e ditëve të pushimit si ditë pune apo jo.

Komisioni Hetimor për Inceneratorët do të rifillojë punën ditën e hënë, ndërkohë, kryetarja Jorida Tabaku ka publikuar edhe listën e personave që do të thirren për të dëshmuar, ku i pari është kryeministri Edi Rama. Në listën e gjatë të dëshmitarëve janë edhe zëvendëskryeminitri Arben Ahmetaj, Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gungallja, etj..

Në reagimin e saj, Tabaku thekson ndër të tjera se PD fitoi një të drejtë të mohuar për të thirrur dëshmitar kryeministrin Edi Rama dhe 'bashkëpunëtorët e tij'.

Ndërkohë pas zgjatjeve të afateve të Komisionit Hetimor reagoi edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim e cila përshëndeti vendimin dhe deklaroi se procesi do të monitorohet nga afër.

"Rikthehet komisioni hetimor për incineratorët. Jorida Tabaku: PD fitoi të drejtën e mohuar për të thirrur dëshmitar Edi Ramën dhe bashëpunëtorët e tij për vjedhjen 430 milion euro. Ditën e sotme, pas kërkesës së Partisë Demokratike, u mblodh Komisioni i Rregullores së Kuvendit dhe Mandateve. Në fund të këtij takimi ky Komision i dha të drejtën e mohuar opozitës nga anëtarët e mazhorancës socialiste në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve. Komisioni i Rregullores miratoi zbatimin e rregullores së kuvendit duke dërguar deri në 25 shkurt ditën e mbylljes së këtij komisioni dhe duke i hapur rrugë planit të hetimit të propozuar nga Partia Demokratike në këtë komision. Për ditë me radhë kam zhvilluar takime intensive me çdo faktor për të vijuar punën e komisionit që padrejtësisht u ndërpre me votën kundër për planin e hetimit, duke kërkuar që të mbyllet veprimtaria dhe të pengohet thirrja e dëshmitarëve! Një plan hetimor që u votua kundër dhe bllokua politikisht nga socialistët në mbledhjen e fundit të Komisionit të Inceneratorëve. Afera e inceneratorëve ka qenë një prej çështjeve që ka dëshmuar se si shteti është kapur nga interesa korruptive dhe okulte. Por pesha e një shteti të kapur është ndjerë ditën kur nisi komisioni hetimor për Inceneratorët. Por, taktikat e tyre dështuan dhe qytetarët do të kenë mundësinë të shohin dhe dëgjojnë prova për këtë aferë. Sikundër do të kenë mundësinë të dëgjojnë dëshmitë e atyre që kanë firmosur për ngritjen e inceneratorëve të korrupsionit me vlerë mbi 430 mln euro. Ne, nuk dorëzohemi edhe as intimidohemi nga akuzat e pabaza të atyre që akuzat i kanë mburojë për veten e tyre dhe as prej atyre që korrupsionin e kanë shndërruar në arsyen e qeverisjes. E kemi të qartë që inceneratorët janë testi për politikën dhe drejtësinë e re! Partia Demokratike ka dëshmuar dhe po dëshmon përditë angazhimin maksimal në interesin e qytetarëve dhe jo të oligarkisë politiko-ekonomike që i mban peng shqiptarët në pellgun e tranzicionit! Nga e hëna rinis puna që u vonua prej avokatisë politike dhe do të thërriten dëshmitarët", shkruan Tabaku.

Kujtojmë se në mbledhjen e 19 janarit, maxhoranca votoi kundër planit të hetimit dhe për rrjedhojë edhe kundër shtyrjes së afatit të punës së Komisionit. Debati lidhej me 3 javët ndërmjet dy sesioneve parlamentare të cilat opozita kërkoi të mos llogariteshin në afatin e punës. Në mbledhjen e fundit të komisionit mazhoranca argumentoi se afati 3 mujor përfundonte më 28 janar duke llogaritur si ditë pune dhe 3 javët e pushimit. Me këtë argument anëtarët e PS-së në komision votuan kundër planit hetimor të paraqitur nga kryetarja e komisionit Jorida Tabaku.

E kontaktuar nga Report Tv, zv.kryetarja e Komisionit hetimor për incerenatorët, Ermonela Felaj tha se afatet nuk janë shtyrë, por ka pasur interpretim të rregullores, ku nuk janë llogaritur ditët e pushimit si ditë pune.

"Nuk është shtyre por është interpretuar rregullorja nga këshilli i rregullores dhe mandateve me kërkesë të PD. Lidhur me një nen të rregullores mbi llogaritjen e afateve, e për rrjedhojë sipas rillogaritjes afati tremujor mbaron me 25 shkur", tha Felaj

Lista e dëshmitarëve
 

Ora 15:36
Pas Kim, edhe Soreca: Puna të vijojë, transparenca dhe lufta ndaj korrupsionit prioritet për integrimin

Pas ambasadores Yuri Kim, edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka përshëndetur vendimin për zgjatjen e afateve të punës së Komisionit hetimor për incerenatorët. Soreca shkruan se lufta ndaj korrupsionit dhe transparenca janë kyçe për integrimin.

"E rëndësishme që puna e Komisionit Hetimor të Parlamentit për inceneratorët të vazhdojë. Transparenca dhe llogaridhënia janë parimet kryesore të BE-së. Lufta kundër korrupsionit është një prioritet kryesor për BE dhe Shqipërinë në rrugën e saj integruese", shkruan Soreca.

Ora 12:57
Zgjatja e afatit për Komisionin Hetimor për Inceneratorët, Kim: E mirëpresim, të ndërmerren veprimet e duhura

Ambasadorja e në Tiranë, Yuri Kim ka mirëpritur zgjatjen e afatet për Komisionin Hetimor për Inceneratorët, duke i bërë thirrje të gjitha autoriteteve dhe institucioneve përkatëse të shqyrtojnë dhe ndërmarrin veprimet e duhura.

Ajo përmes një postimi në rrjetin e saj social Twitter, i ka vënë serish theksin prioriteti të SHBA në Shqipëri, që është forcimi i institucioneve demokratike dhe lufta ndaj korrupsion, ndërsa shtoi se çelësi i demokracisë është përgjegjësia.

“Përgjegjësia është çelësi i demokracie. Forcimi i institucioneve demokratike dhe lufta ndaj korrupsionit janë prioritetet e SHBA në Shqipëri. Ne mirëpresim vijimin e komisionit parlamentar për inceneratorët Ne u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve dhe institucioneve përkatëse të shqyrtojnë dhe ndërmarrin veprimet e duhura. Ne do ta ndjekim këtë nga afër”, shkruan Kim.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?