Zemrat e ngrira të Tiranës

4 Gusht 2015, 15:27| Përditesimi: 15 Gusht 2015, 11:56

  • Share
Kur në ndonjë intervistë që kam mundur të jap kam vlerësuar punën e kolegeve të mia gazetare, karrierën e tyre mes vështirësive, pengesat dhe sarkazmat mashkullore, sidomos ne botën e gazetarisë, koleget e mia janë habitur, më kanë falenderuar duke me thënë: Sot nuk e thotë askush një fjalë të mirë...
 
Një gazetë madje e bëri dhe lajm komplimentin tim të sinqertë për një lajm të bukur që kishin gjetur e bërë. Duket se komplimentat në Tiranë mungojnë; duket sikur njerëzit e elitës kanë zemër të ngushtë, të ngrirë. Ose bëhen komplimenta servile (që dallohen lehtë ngaqë janë false). Personalisht nuk jam tip që kërkoj, pres, apo pretendoj komplimente. Më shumë më pëlqen të jem në një linjë me parimet e mia për të drejtën, të mirën, e të bukurën pa e vrarë mendjen se si e mendojnë të tjerët. Por në Tiranë ka diçka që nuk shkon, jo për faktin që askush nuk bën komplimenta, por në faktin që, sidomos mes elitës, fshihet, mohohet merita e dikujt, pra, e vërteta.
 
Më qëlloi kohët e fundit të konstatoj përmes kolegëve italianë që ndonjë zonjë shumë elitare e Tiranës, jo vetëm që nuk kishte vlerësuar punën e bërë nga tjetërkush duke folur me shtypin e huaj, por edhe e kishte përvetësuar pa asnjë problem. Kishte ndodhur kështu, edhe pse e vërteta del shpejt duke treguar si si qëndrojnë vërtetë gjërat. Zemrat e ftohta dhe të ngushta e kanë shumë të vështirë të përhapin pozitivitet, shohin rivalitet te cilido, kudo dhe kurdo. Ndjehen përgjithmonë të rrezikuara nga kush është i aftë dhe punon.
 
Për të kuptuar sadopak këtë ankth të madh të elitave të Tiranës, mjafton të shohësh se ku jetojnë: ndryshe nga tendenca e kujt në botën Perëndimore apo Lindore ngrihet në nivel ekonomik dhe kulturor e kupton se kontakti ma natyrën është rruga drejt lumturisë, në elitat e Tiranës ndodh e kundërta. Për shëmbull, më të pasurit, ( janë rast që në fakt ka çuditur tashmë), supervilat e tyre luksoze, në vend që ti njësojnë me natyrën e ta shijojnë atë, i kanë ndërtuar ngjitur me njëra-tjetrën e me mur rrethues që është aq i lartë e izolues me natyrën e njerëzit sa të kujton menjëherë murin që ndan Izraelin me Gazën. Nga kush kanë kaq shumë frikë elitat e Tiranës që rrinë kaq ngushtë me njëra tjetrën e ngrenë mure të larta, në vend të shtëpive të lehta me mure prej xhami?

Korriku ishte i nxehtë këtë verë, por edhe gushti do të jetë nga më të mirët për temperaturat, uroj e shpresoj që vapa të shkrijë sadopak zemrat e ngrira të Tiranës, se nëse bëhen gurë, asgjë nuk mund t’i shpëtojë e përmirësojë. Jo vetëm, për të thënë një fjalë të mirë për kë bën gjëra të bukura, por edhe për të shijuar jetën.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?