'Zef Deda shembull i shembujve’, Osman Mula: E emancipoi dhe modernizoi interpretimin skenik

25 Nëntor 2023, 14:11| Përditesimi: 25 Nëntor 2023, 14:42

  • Share

”Thonin si është e mundur ky djalë kaq i shkurtër të ketë kaq fuqi, të lëvizë, të hidhet nëpër skenë”,- është shprehur regjisori Osman Mula për aktorin Zef Deda, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme.

Mula e cilësoi aktorin Deda si një shembull të artit shqiptar dhe theksoi se aftësitë e tij skenike ishin unike dhe magnetike për spektatorin.

"Personalisht si shok më është dhimbsur shumë por duke e parë edhe në rang kombëtar, i gjithë populli e kujtoi. Natyrisht ky është një aktor i madh, i një trupe të madhe, të një skene të madhe, të një teatri të madh, ku secili ka luajtur një rol kryesor në fuqizimin e artit në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë.

Zefi është një nga interpretuesit më të mirë të kësaj skene dhe mesazhet që kanë dalë nga kjo skenë, nga ky teatër, janë shpërndarë shumë shpejt, janë thithur nga populli, siç është “Kunati i shokut Xhemal”, e me radhë.

I pranishëm në çdo koncert të Vitit të Ri për të rritur dhe për fëmijët.

Ne qoftë së Zefi ka qenë shumë i pranishëm në darkë, edhe pasdite tek fëmijët, ka qenë i pranishëm nëpër koncertet e mëdha të natës së Vitit të Ri. Zefi është një neoaktor në interpretim, një tjetër pistë. Zefi futi në teatrin e estradës një interpretim ndryshe. E emancipoi dhe e modernizoi interpretimin skenik, sepse Zefi në atë pistë që u fut, e kishte të pamundur tjetër kush të vraponte apo të afrohej afër Zefit. Zefi kishte një vokal që nuk e kishte kush. Nuk është puna për të folur, se përgjithësisht nëpër estrada hedhin batutën më tepër edhe për sallë dhe pothuajse janë në të njëjtin tonalitet.

 Zefi kishte një vokal ndryshe dhe një shtrirje të madhe vokale dhe Zefi këtu e muzikoi frazën e estradës, prandaj edhe publiku e vlerësoi, e duartrokiti dhe shpeshherë me tonalitetet e tij të shprehjes, ai afrohej dhe shpesh herë largohej. Ishte zëri i Zefit, ishte forca e tij interpretuese që e merrte me vete spektatorin. Ndoshta spektatori nuk ishte në gjendje ta shpjegonte se përse, por ishte forca e një gjeniali Zef në interpretimin e tij të shkëlqyer që e bëri këtë publik kaq për vete në të gjithë Shqipërinë.

Unë e kam ndjekur gjithandej, aq më tepër që kam qenë përfaqësues i RTSH-së, edhe në koncertet e Vitit të Ri, ku unë kam qenë shpesh herë regjisor, Zefi ka patur rol kryesor dhe mund të ketë qenë protagonisti i natës së Vitit të Ri.

Të gjithë njerëzit në rrugë na thonin: ka ardhur estrada e Shkodrës? Ka materiale estrada e Shkodrës? Ka Zefi? Ka Tano Banushi? Ka Zylihe?,- e me radhë.

Në atë pistë Zefi ka kolonën e dytë, këtë modernizmin e interpretimit aktorial në estradë. Zefi plastikisht ishte komplet ndryshe me të tjerët. Zefi ishte një aktor i plastikës i shkëlqyer. Zefi që kur futej në skenë kishte një vrull ishte alegro, kishte një ritëm të brendshëm, të cilët ndoshta thonin si është e mundur ky djalë kaq i shkurtër të ketë kaq fuqi, të lëvizë, të hidhet nëpër skenë. Zefi ishte i tillë dhe duhet parë me kujdes dhe duhet nënvizuar më vonë në analizat që bëhet për këta aktorë dhe për trupën e Shkodrës, ku secili nga ata ishte shkollë më vete. Për shembull Tano Banushi Zyliha Miloti, Paulin Preka, Katrina, Drania, Besniku, Mondi, është një trupë që duhet marrë si shembull, por në këtë shembull nuk është e lehtë të bëhesh shembull i këtyre shembujve, dhe ky shembull është Zef Deda”- u shpreh Mula.


Lajmi kryesor:

Shkodra i jep lamtumirën mjeshtrit të humorit Zef Deda! Duartrokitja e fundit dhe lot në Teatrin 'Migjeni'! Aktorët: U shua një yll! Juli: Na ndihmo nga lart!


K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?