Zbuluesi i huaj: Kujdes 10 shtatorin
'Nano në Romë do jetë në 15 shtator'

4 Gusht 2016, 16:20| Përditesimi:

  • Share
Ai shtrëngoi mes gishtave të hollë një stilolaps elegant dhe diçka shënoi në bllokun e tij. Qe mbledhja e parë e të Ngarkuarit me Punë me stafin e ambasadës. Ishte me shëndet të kursyer, por më të pakët se çdo gjë kishte mishin e fytyrës. Lëkurën e pastër e delikate e kishte të tërhequr pas mjekrës e formave të nofullës, të shtrirë fort mbi ballë aq sa rrudhat, të tendosura pas kockave të mollëzave, mezi bënin vetëm një vijë të cekët e që dukej sikur të ishte e tejdukshme.

-Të mos humbasim vëmendjen nga veprimtaria kryesore që kemi në muajin shtator: vizitën e kryeministrit në Romë.

Sytë e kaltër i kishte mbajtur të zhytur në faqet e bllokut. Pastaj e ngriti kokën. Sytë i vetëtinë.
-Vizita e kryeministrit në Romë do të nisë më 15 shtator dhe do të përfundojë po këtë datë.

Diplomatët i gjysmëmbyllën sytë e tyre për të përballuar lëbyrjen e vështrimit të tij.
-Ose më saktë: Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëron, do të vijë në Romë pasditen e datës 14 shtator
 
Godina e metalxhamtë e shoqatës së industrialistëve italianë
Në paraditen e 24 gushtit Diplomati i Parë bashkë me Diplomatin e Dytë kishin shkuar në selinë e Konfindustrias, shoqatës së industrialistëve italiane. Selia hijerëndë dhe me strukturë bashkimi të metalit dhe xhamit ndodhej në zonën EUR të kryeqytetit.

Kërkuan këshilltarin Masoni që përfaqësonte zyrën e marrëdhënieve me jashtë. Ky ato çaste nuk ishte në zyrën e tij në katin e katërt të ngrehinës së metalxhamtë, por diku tjetër brenda saj. Sigurisht shërbimi në ato çaste po e lajmëronte për mbërritjen e dy diplomatëve shqiptarë dhe ai kishte nisur të nxitonte drejt të porsaardhurve, duke zgjedhur rrugën më të ngushtë nëpër labirintin e korridoreve dhe të ashensorëve.  

Kurse ata dy tashmë çapitnin ngadalë nëpër korridor. Në të majtë e të djathtë dyert e zyrave ishin të hapura dhe brenda tyre nuk gjendej njeri. Asnjë njeri. Zyra bosh.

Diplomatit të Parë i mbetën sytë tek kompjuterët që fërgëllonin me ekranet e tyre të mëdhenj ndezur. I kishin vendosur në të dy anët e korridorit, kështu që mund të ndiqje, po të dëshiroje, atë mori shkronjash dridhëse, shifrash, kolona tabelash, emra kryeqytetesh të botës, bankash, bursash. 

Të dy diplomatët shqiptarë i ngulën sytë tek faqja 101 e teletekstit të  lajmeve që transmetohej nga RAI, Radio Televizioni Italian. Mes morisë së germave përpëliteshin shkronjat e emrit Bin Laden.

Bin Laden, terror. Bin Laden, sulm kundër ambasadave amerikane në të gjithë botën. Bin Laden, Bin Laden...
Këshilltar Masoni u shfaq buzagaz para tyre. Ishte pjekur e nxirë nga pushimet buzëdetit. Edhe buzagazi i tij ngjante si i mbushur me diell.

Që në fillim i kishin thënë se pasditen e 15 shtatorit kryeministri shqiptar do të merrte pjesë në takimin me industrialistë italianë. Pas një bisede të shpejtë telefonike me sekretarinë e presidentit të Konfindustrias rezultoi se ky këtë ditë nuk do të gjendej dot në Romë, por qeveritarin e lartë shqiptar do ta priste e shoqëronte nënpresidenti i shoqatës. Pastaj që të tre nxituan për një kat më poshtë.
Kishin zbritur në një korridor tjetër. Mes duraluminit, xhamit dhe drurit të gdhendur.

Pasi i hodhën një sy sallës së madhe ku do të mbahej pasditen e 15 shtatorit takimi i kryeministrit shqiptar me industrialistët italianë dhe ndërsa Masoni shtoi se takime të shpejta kishin kërkuar edhe qarqe qeveritare bullgare e rumune, por kalendari i takimit të Konfindustrias me to ishin lënë në fund të tetorit, nisën të pinin së bashku një kafe.
Pastaj u përshëndetën për t'u ndarë.

Aty Masoni, ndërsa i shihte me sytë gjysmë të pulitur, tha se do kishte patur shumë dëshirë që kryeministri shqiptar të ftohej e pritej nga qeveritarët më të lartë të vendit të tij.

Më në fund u ndanë. Makina e tyre e vogël dhe e amortizuar Fiatuno rrëshqiti mbi sheshin e madh para selisë së metalxhamtë të Konfindustrias, kapërceu postbllokun elektronik, bëri një kthesë majtas, pastaj djathtas, sërish një gjysmërrotullim djathtas, djathtas edhe njëherë dhe doli me vërtik në rrugën qendrore të EUR-it.
 
25 gusht 1998, Tiranë
"Rilindja Demokratike" në titujt e saj kryesorë:
"Klika Nano urdhëron drejtësinë: Të gjithë në burg'  "Pesëdhjetë mijë qytetarë të Tiranës demonstrojnë kundër diktaturës së Nanos. Përmbysje për qeverinë e krimit, kontrabandës dhe mafies"
"Tirana thërret: Vdekje Komunizmit"

"Mijërat e protestuesve rrethojnë Kryeministrinë, Ministrinë e Brendshme, vilën e Nanos dhe selinë e Partisë Socialiste"
"Berisha: Nanos, këtij barbari duhet t'i përgjigjemi me mënyrën që meriton"
"Shqiptarë, ngrihuni! Nesër do të jetë vonë"
 
TVSH, edicioni i lajmeve, ora 20.00
Nga fjalimi i kryeministrit:
"...Me cilësinë e kryetarit të qeverisë shqiptare, deklaroj sot me përgjegjësi përpara jush se, të gjitha akuzat e opozitës, sipas të cilave Fatos Nano është ideatori i këtyre arrestimeve, janë krejtësisht të pavërteta, janë shpifje dhe kanë për qëllim nxitjen e armiqësisë midis popullit dhe qeverisë së vet... Unë shpresoj që, kur ka dhënë mandatin e arrestit për gjashtë ish-funksionarët e pushtetit të Partisë Demokratike, prokuroria t'i ketë mbledhur këto prova dhe ta ketë hedhur këtë hap mbi një bazë solide argumentimi të akuzës. Sepse, nëse nuk do të rezultojë kështu, atëhere arrestimi i këtyre personave do të jetë një tjetër pengesë serioze në rrugën e normalizimit të vendit e të konsolidimit të demokracisë. Dhe për më tepër për vetë kushtet në të cilat ndodhemi, kjo histori nuk do të kalojë pa pasoja edhe mbi vetë qeverinë e koalicionit...".
 
26 gusht
Në konferencën e shtypit të radhës Berisha deklaroi: "Nano duhet të largohet nga Blloku për një javë".      

Këtë ditë "Koha Jonë" vëren se në mbledhjen e degës së Partisë Demokratike për Tiranën Azem Hajdari ka deklaruar : "Thirrja "o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri" është aktuale edhe tani". Kurse Berisha tha: "Në rast se kërkesat tona nuk përmbushen deri më 31 gusht, atëherë ne, përveç protestave paqësore e mjeteve demokratike, do t'i përgjigjemi qeverisë me të gjitha format".
 
"Fiera del Levante" me një “Ditë për Shqipërinë”
Gjatë asaj paradite e kishte kërkuar dy herë. Annamaria. Kaq ishte shënuar në librin e telefonatave. "Tha se do t'ju marrë përsëri" shtoi centralistja, duke anuar me delikatesë kokën për t'i bërë më të bindshme fjalët që po shqiptonte. Diplomati i Parë tha faleminderit dhe ngjiti me hapa të gjatë shkallët. Druri i tyre kërciti.
Ai hyri në këndin ku gjendej dera e zyrës së tij. Ishte terri i zakonshëm i atij fundkorridori pa asnjë dritare. Provoi të ndezë dritën, por çelësi bëri krak pa mundur të përflakë asnjë shkëndijë në poçin e bardhë e të verbër të llambës. Ajo ishte djegur.

Po shkonte në zyrë që të mund ta telefononte vetë Annamarinë. Për herë të parë. Në një nga sirtarët e tavolinës së punës, në një çantëz dore që më shumë i ngjante një vendi intim, kishte një pusullë të saj: "Të falënderoj për përzemërsinë që tregon. Annamaria Cislaghi". Kjo kishte ndodhur pesë muaj më parë, ndërsa një ekip i televizionit shqiptar po xhironte një dokumentar për qytetin e Barit dhe panairin e saj, Fiera del Levanten.

Ajo kishte lindur në Aleksandri të Egjiptit, nga dy prindër italianë dhe se i jati, me origjinë milaneze, punonte si funksionar në konsullatën italiane. Ai kishte vdekur 48 vjeç nga një infarkt i zemrës. Pas kësaj ngjarjeje e jëma ishte kthyer në Bari, ku edhe kishte një motër të saj. Annamaria ato çaste ishte 17 vjeçe dhe gjeti punë në Fiera del Levante.

Pesë muaj të shkuara Annamaria pati thënë në Bari se Fiera del Levante kishte planifikuar një "Ditë të Shqipërisë". Pastaj nisi shpjegimin: “Besojmë që kjo Ditë të kryhet rreth 14 apo 15 shtatorit. Vetë Panairi ynë fillon më 12 shtator. Pritet që në përurimin e tij të marrë pjesë kryeministri Romano Prodi”.
 
"Shtëpia e djallit"
Klubi në katin e parë të sheshit "Shtëpia e Djallit" kishte një banak dhe vitrinë hapësirëngushtë, ku për bujtësin që hynte për herë të parë aty kafeja apo lëngjet e frutave mund të gëlltiteshin vetëm në këmbë.

Por ata që ishin klientë të shpeshtë të tij e dinin se ngushtica e dhjetë-pesëmbëdhjetë hapave të para, mes banakut, arkës, një frigoriferi të madh dhe një rafti me shishe pijesh, të çonte në një palë shkallë, të cilat me të vënë këmbën, spërdridheshin menjëherë majtas e silueta e njeriut që ngjitej humbiste sa të hapje e mbyllje sytë.

Shkallarja përfundonte në një dhomë të gjerë e tavanlartë, rrethuar me rafte druri arre të gdhendur e që më shumë ngjante me një bibliotekë të madhe dhe e gjithë hapësira me një studio pune. Të gjithë këtë mjedis intim e komprometonin katër tavolina të shpërndara ftohtësisht nëpër dhomë. Ato rrinin larg njëra-tjetrës e dukeshin shumë të vetmuara.
I mbetur vetëm këtë buzëmbrëmje ishte edhe Syri i Qelqtë. Kolegu i tij i një vendi perëndimor sapo kishte ikur dhe akoma nëpër ajër rrokulliseshin mbyturazi fjalët e tij të fundit.

Ato ende trokëllinin duke rënë përmbys mbi njëra-tjetrën.
Ai pa vezullimin e qelqeve të gotave të zbrazura. Kishin pirë nga një uiski.
Diplomati perëndimor kishte dy sy që më shpesh shihnin qelqin e gotës dhe pëllëmbët e tij të duarve. Dhe pikërisht kur mendoje se ai kishte përhumbur në to, e ngrinte rrufeshëm vështrimin e zhbironte fytyrën e bashkëbiseduesit.

Kështu kishte vepruar edhe sot. Foli e foli, fërkoi e fërkoi qelqin e gotës me mollëzat e gishtave dhe pikërisht në atë çast kur shqiptoi fjalët "të dhënat që kemi nga disa burime lënë të kuptohet se rreth datës 10 shtator mund të kaloni trazira në Shqipëri", çoi vrullshëm vështrimin.
Syri i Qelqtë nuk ishte i përgatitur ta përballonte. Shikimi iu errësua si ta kishte kapulluar papritur një eklips dielli. Bebëzat iu përpëlitën dhe u tkurrën. Tani ishin vetëm pikëza të ikura thellë.

Kolegu nuk kishte ndërmend të tërhiqte vështrimin e ngulmët. "Është e sigurt?" - i kishte bashkuar me vështirësi fjalët Syri i Qelqtë. Tjetri kishte bërë një pauzë shumë të shkurtër dhe pastaj i ishte përgjigjur: "Të dhënat janë pjesërisht të sigurta. Ky është thjesht plani i autorëve të turbullirave, fakti, në do të ndodhin vërtetë, është gjë tjetër. Mund të ndryshojnë datat, mundet edhe projekti të anulohet". "Domethënë...-tha shqiptari, dhjetë shtator".
"Diçka më shumë apo diçka më pak" kishte shqiptuar i huaji dhe qe ngritur.
 
Bruno Kalvo
Në ato ditë të fundit të gushtit ai erdhi po aq papritur në ambasadë, sa edhe edhe dy vite më parë, kur propozoi botimin e një albumi fotografik për Shqipërinë.

Burrë i shkurtër, i ngjeshur, me flokët si Hemiguej. Dukej krenar dhe me një lloj besimi kokëfortë në vete. Ngjante i gatshëm për sherr. Atëherë, më 1996, kishte vënë nën sqetull një dosje dhe ia pati hedhur sytë rëndë të parit diplomat që iu shfaq përpara e që sapo ishte lajmëruar nga punonjësja e shërbimit. Ishte Poeti.
"Kam sjellë këto që t'i korrigjoni" kishte thënë Kalvo pa i dhënë asnjë grimë drite fytyrës së tij ende të zymtë. 

Poeti pati ndjerë brenda vetes zemërim nga toni i rëndë e kryelartë i të porsaardhurit dhe i kërciti njërën pas tjetrës fjalët "Kush je ti dhe çfarë ke sjellë?"
Italiani i ktheu përgjigjen po kaq fjalëkërcitëse: "Kam bërë një libër për Shqipërinë dhe një album. Do të më korrigjoni emrat shqip se mos kam bërë ndonjë gabim".

I zgjati Poetit dosjen dhe po priste një përgjigje të tij. Në ato çaste pamja e tij e ngurtë u duk sikur ishte një masë që mund të squllej nga fjala e magjishme "faleminderit". Por diplomati shqiptar tashmë ishte zhytur mes fletëve me format të madh, ku qenë montuar fotografi e tekst. Pamjet nga Shqipëria ishin shumë të bukura, madje mahnitëse. Montimi i tyre me një ritëm interesant. Në tekst dalloheshin pasaktësi, të cilat duheshin korrigjuar.
"Një libër kaq i madh për Shqipërinë! Kush e boton?"

Kalvo shtrëngoi ballin sa ai iu rrudh thellë: "Është një miku im. Miki Grauzo".
Kur i porsaardhuri kishte humbur çdo shpresë se mund të nxirrte ndonjë fjalë mirënjohëse nga diplomati shqiptar, Poeti vuri buzën në gaz e tha: "Punë shumë e bukur.

Faleminderit!"
Kalvo menjëherë kishte zbuar nga fytyra e tij zymtinë dhe një dritë e ngrohtë, si prag agimi mbi një qiell që pret të kaltërohet, i pati zbritur mbi tipare pamjen e një fëmije.  
Por kësaj radhe, në atë fundgusht, tha se kishte ardhur vetëm sa t'i përshëndeste dhe t'u afronte gratis kopje të albumit, nëse kishin nevojë. Pastaj për pak kohë bëri shaka. Më në fund shqiptoi pyetjen "si e keni gjendjen e brendshme".
Iu kthye përgjigja "normale".

-Kam dëgjuar për disa mitingje të rrëmujshme dhe thirrje për dorëheqje të kryeministrit tuaj - tha.
-Janë pjesë e pluralizmit - iu kthye përgjigja.
-Prandaj është e nevojshme diktatura-kërciti fjalët Kalvo-Vetëm diktaturat i shpëtojnë shoqëritë-shtoi.

-Aha, vetëm diktaturë jo, e provuam dhe e dimë se çfarë tmerri është-ia kthyen.


-Diktaturë, diktaturë-shqiptoi tjetri-Të paktën ju shqiptarët keni nevojë për diktaturë, për rregull në shtetin tuaj. Kjo që ju po e mburrni si demokraci nuk është gjë tjetër veç kaos dhe anarki.
Kalvos tashmë i shndriste fytyra:-Kaq kisha për të thënë.
Dhe u ngrit në këmbë të ikte.      
 Nano në Romë
Nano në Romë
Nano në Romë

Nano në Romë
 Fotot shoqëruese: 01. Ambasada Shqiptare në Romë, 02. Selia e Konfindustria-s në Romë, 03 Fiera del Levante, qyteti i Barit 04 Albumi “Albania” i gazetarit italian Bruno Kalvo.
 

 
Redaksia Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?